Paul WohlersAmbasadori amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers ka deklaruar se liderët e këtij vendi duhet të bëjnë thirrje për të ndërtuar raporte të mira ndëretnike.

Ai këtë mesazh e dha në një ligjeratë të mbajtur në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

“Këtu në Maqedoni është e qartë se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk besojnë se ata pranojnë çdo herë trajtim të barabartë para ligjit. Është në interes të kësaj qeverise që të njoh shqetësimet dhe kur është e nevojshme të merr aksion t’i adresojë këto shqetësime, sepse, duke shikuar tutje dhe duke fshehur problemet, nuk i bëjmë ata probleme që të zhduken, por i lejmë që të bëhen më të vështira”, nënvizoi ambasadori amerikan.

Sipas tij, heshtja dhe fshehja e problemeve është e dëmshme dhe se marrëdhëniet ndëretnike janë problem si në Maqedoni poashtu edhe në SHBA.

“Ne të gjithë e dimë se marrëdhëniet ndëretnike këtu në Maqedoni janë problem, nuk ka njeri që e mohon këtë, por nuk dua të ndjeheni se unë piketoj këtë problem vetëm këtu, në Maqedoni. Edhe në Amerikë ka poashtu, por është e hapur ndaj kësaj. Ajo çka ne bëjmë është se mësojmë nga gabimet tona. Ky është proces i dhimbshëm, por është i rëndësishëm. Për të lëvizur përpara të gjithë vendet dhe shoqëritë duhet të flasin drejtë për ndjenjat dhe problemet e tyre, pra duhet të flitet hapur si të rregullohet situata në vendin tuaj. Kjo kërkon poashtu edhe media të lira që përhapin diversitetin dhe poashtu të flitet për problemet në shoqëri. Kërkon edhe një ndërtim të sistemit qeveritar dhe institucional që njerëzit do i besojnë, bile edhe nëse nuk pajtohen me atë”, theksoi ambasadori Wohlers.

Ai ka folur edhe mbi dhunën globale dhe terrorizmin, një dukuri që po gjen përhapje dhe që po ndjellë urrejtje midis njerëzve. Wohlers vlerësoi angazhimin e vendit në luftën kundër terrorizmit, duke nënvizuar miratimin e ligjit për dënimin e të gjitha atyre që marrin pjesë në konfliktet e jashtme.