galeria_tetovKupola të rrënuara, mure me lagështi, mungesë drenazhi, këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat vite me radhë përballet galeria e arteve në Tetovë. Sikurse këto të mos mjaftonin, galerisë së arteve në Tetovë i mungon edhe ndriçimi për pikturat dhe ai i hapësirës, ndërsa zërimi ka kohë që pritet të gjej vendin në këtë institucion.

“Problem parësor faktikisht e kemi problemin e lagështisë. Kohëve të fundit kemi realizuar disa kontakte me drejtorin e qendrës për konservim dhe na ka premtuar se projekti ka kaluar tek TIKA dhe shpresoj shpejt do fillojmë me realizimin e këtij problemi. Problem më i madh pra është drenazhi dhe problem tjetër është kupola, problemi qëndron se si projekt ka kaluar por problem janë dokumentacioni kërkesat që bëhen nga ana e Drejtorisë për konservim.”, deklaroi Afrim Ziberi, Drejtor i Galerisë së Arteve në Tetovë.

Drejtori i Qendrës nacionale për Konservim thotë se çështjen e problemit të lagështisë në Galerinë e Arteve do e zgjidh Agjencia turke për bashkëpunim TIKA, por nuk ka sqaruar se, si planifikojnë ti zgjidhin problemet tjera të shumta që i ka ky institucion, siç janë muri në hyrje të Galerisë, pllakat e copëtuara të oborrit, ndriçimi dhe shumë probleme të tjera.

“Kemi bë një projekt për zgjidhjen e problemit të drenazhit sepse galeria e arteve ka problem me lagështinë dhe ky ka qenë pjesë e një nga projektet e qeverisë, por, me angazhimin e institucionit tonë, kemi arrit që ky projekt të realizohet apo financohet nga Agjencia TIKA.”, tha Memet Selmani, Drejtor i QNK-së.

Sipas Informatave tona, shumën të cilën pritet ta investoj Agjencia TIKA në Galerinë e Arteve në Tetovë, arrin diku rreth 100 000 euro, por as kjo shumë parash, nuk do mjaftojë për ta rregulluar këtë institucion i cili përkundër problemeve të shumta ia arrin të organizoj ekspozita që janë në numër më të madh se edhe galeria e arteve në Shkup.Bashkim Sulejmani