Analistët: Raporti i progresit përplot kritika
Maqedonia nuk ka bërë asnjë përparim në sferën e reformave dhe zgjidhjen e kontestit të emrit andaj edhe raporti i progresit është përlotë me kritika, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare.
Maqedonia nuk ka gjasa të marrë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me BE, gjë që e dëshmon edhe deklarata e djeshme e kryeministrit Gruevski. Rekomandimi i fundit ishte i domosdoshëm në mënyrë që mos të ketë destabilizim të Maqedonisë dhe Rajonit. Kështu shprehen analistët Bekim Kadriu dhe Nano Ruzhin sipas të cilëve, vendi ka dështuar në sferat kyçe për reforma në gjyqësor, mediat dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Rekomandimi është dhënë me qëllim stabilizimin e Maqedonisë pasi mos dhënia do të nënkuptonte një minus i madh për shtetin dhe mund të shkaktonte ndikime negative në rajon dhe në marrëdhëniet e brendshme. Kjo qeveri duhet ti pranojë gabimet dhe të punojë për përmirësimin e tyre. Të mundohet të bëjë diçka në fillimin e ciklit të dytë. Punët në këtë shoqëri duhet të vendosen mbi bazë demokratike”, deklaroi Nano Ruzhin, ish diplomat.
Kadriu thotë se Maqedonia nuk ka bërë asgjë lidhur me kontestin me Greqinë e cila në fund përsëri do ti vendosë veto dhe do ta bllokojë anëtarësimin ndërsa veçon edhe sferën e marrëdhënieve ndëretnike dhe kërkesën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Republika e Maqedonisë edhe këtë vit nuk ka bërë gati asgjë për fillimin e negociatave me Greqinë, ose dhënies së ndonjë propozimi të ri konkret për zgjidhjen e këtij kontesti. Raporti thekson se drejtësia dhe funksionimi i pushtetit gjyqësorë në rast të caktuara ka qasje selektive, dhe drejtësia në këtë mënyrë është selektive dhe drejtësia në atë mënyrë është selektive dhe ka ndikim të pushtetit në raste të caktuara. Ky raport thekson se ka nevojë për vazhdimin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, sidomos më vjen mirë që raporti thekson se ka nevojë për avancimin e përdorimit të Gjuhës Shqipe”, tha Bekim Kadriu, analist.
Analistët mendojnë se Maqedonisë i ka mbetur shumë pak kohë për tu përmirësuar pasi Unioni Evropian nuk toleron gabime dhe regrese si ky i fundit. Maqedonia e cila sipas tyre ka qenë kandidatja më serioze për anëtarësim tani ka ngelur e fundit në listë pas Kroacisë, Serbisë e shumë vendeved të tjera që kanë filluar shumë më vonë procesin e integrimit. Ferikan Iljazi