qosja_2Zhvillimet politike që janë duke ndodhur për më shumë se tre muaj, akademik Rexhep Qosja i ka quajtur dëshpërime të mëdha, të cilat kanë dëshmuar ndjenja negative e papërgjegjësi të rëndë politike dhe shtetërore.

“Kjo krizë e ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë fort Kosovën dhe t’i dëmtojë mentalitetin dhe kulturën politike shqiptare në sytë e të tjerëve  në Evropë e në botë në përgjithësi. Çfarë njerëzish të politikës janë ata që as për tre muaj e tri javë nuk mund të merren vesh për formimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë? Çka në të vërtetë duan ata? Çka në të vërtetë nuk duan ata?”, ka deklaruar Qosja në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” dhënë gazetares Fatmira Nikolli.
Ai ka vlerësuar se të gjithë zyrtarët partiakë e pushtetarë kanë rënë nga provimi dhe janë komprometuar politikisht duke menduar për pushtetin e jo për shtetin. “Dhe, kështu, në këtë krizë politike, pothuajse të gjithë zyrtarët partiakë e pushtetarë në Kosovë kanë rënë në provim dhe, cili më pak, cili më shumë e cili krejtësisht janë komprometuar politikisht. Ata treguan se mendojnë vetëm për pushtetin e vet, për leverditë e veta e jo për qeverisjen demokratike, për interesat e Kosovës”, ka theksuar Qosja. Sipas tij, humbës politikë janë kryetarët e partive të dala nga UÇK-ja dhe Vetëvendosja, kurse fitues është kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Heronjtë e luftës çlirimtare pranojnë të ecin pas rrogëtarit të dikurshëm të kasapit të Ballkanit dhe pastruesit etnik të shqiptarëve-të ecin, të rreshtohen pas tij e të bëjnë politikën e tij! Përmbysje tepër dëshpëruese! Në këtë moçal politik, në të cilin luftëtarët Ramush Haradinaj,  Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi e lanë dhe e shpërlanë Isa Mustafën, pas tre muajsh u zhyt edhe Albin Kurti! Ky djalosh i zgjuar, që lexon, që mendon drejt për shumë çështje, hoqi dorë prej të gjitha atyre fjalëve që kishte shqiptuar për të kaluarën antikombëtare politike rrahmanmoriniane dhe millosheviqiane të Isa Mustafës dhe për, si thoshte, përfitimet e llojllojshme materiale të Ramush Haradinajt, të Fatmir Limajt e të partizanëve të tyre në Kosovën e privatizuar dhe me sapun venus filloi t’i lajë e t’i shpërlajë të përzgjedhurit e tij, në të vërtetë përdoruesit e tij të udhëhequr prej Isa Mustafës! Për disa poste administrative të vetes e të bashkëpunëtorëve të vet Albin Kurti i ktheu në hiçgjë politikën dhe etikën me të cilat Vetëvendosja ishte bërë zë i ri dhe shpresëdhënës në Kosovë”, është shprehur Qosja, duke shtuar se në këtë moçal politik ka rënë edhe Hashim Thaçi. Në këtë kontekst, ai ka thënë se presidentja Jahjaga nuk ka bërë asgjë karshi krizës politike. “E si të bëjë? Identiteti i saj më shumë se në prestigjin e paqenë politik mbështetet në kostumet e saj luksoze!”, ka theksuar Qosja.
Ai ka folur edhe për arrestimet e imamëve, duke thënë se është kundër shkuarjes së shqiptarëve në luftërat e të ashtuquajturit ISIS në Irak, Siri apo kudo tjetër në Lindje të Mesme. “E dënoj shkuarjen dhe përkrahjen në çfarëdo mënyre të pjesëmarrjes së shqiptarëve në terrorizmin e ISIS-it, por nuk e pranoj as Zyrën, në të vërtetë Qendrën që ka hapur Dom Lush Gjergji për konvertimin e shqiptarëve të besimit mysliman në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Qosja.
Z. Qosja, si po i shihni zhvillimet e fundit politike në Kosovë?
Qosja: Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, që po zgjasin që tre muaj e tri javë, i shoh dëshpërueshëm, shumë dëshpërueshëm, si numri më i madh i shqiptarëve jo vetëm në Kosovë. Shkaktarët e këtyre, si i quani ju, zhvillimeve, në të vërtetë të kësaj krize të rëndë politike, që analistë e komentues të ndryshëm po e banalizojnë me fjalën biologjike ngërç, kanë dëshmuar ndjenja negative e papërgjegjësi të rëndë politike dhe shtetërore.
Sa po e dëmton  Kosovën kjo situatë?
Qosja: Kjo krizë e ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë fort Kosovën dhe të dëmtojë mentalitetin dhe kulturën politike shqiptare në sytë e të tjerëve  në Evropë e në botë në përgjithësi. Çfarë njerëzish të politikës janë ata që as për tre muaj e tri javë nuk mund të merren vesh për formimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë? Çka në të vërtetë duan ata? Çka në të vërtetë nuk duan ata? Ata, me sjelljet e tyre, u kanë sjellë mjaft të dhëna atyre ballkanasve dhe evropianëve që prej Krizës Lindore në shekullin nëntëmbëdhjetë janë përpjekur t’i bëjnë shkencë paragjykimet e tyre për shqiptarët si popull që e quanin primitiv pa prirje shtetdrejtuese! Ata, me sjelljet e tyre u kanë sjellë mjaft të dhëna atyre ballkanasve dhe evropianëve që prej Krizës Lindore janë përpjekur, me gojë e me shkrime, t’i bëjnë  shkencë paragjykimet e tyre sipas të cilave sjelljet e ndërsjella të shqiptarëve më tepër se mirëkuptimi, bashkëpunimi, marrëveshja i përcaktojnë mosdurimi dhe urrejtja! Dhe, kështu në këtë krizë politike pothuaj të gjithë zyrtarët partiakë e pushtetarë në Kosovë kanë rënë në provim dhe, cili më pak, cili më shumë e cili krejtësisht janë komprometuar politikisht. Ata treguan se mendojnë vetëm për pushtetin e vet, për leverditë e veta e jo për qeverisjen demokratike, për interesat e Kosovës. E pse për pushtetin vetjak? Sepse ai pushtet deri sot u ka bërë të mundshme të pasurohen, të përvetësojnë shumë pasuri shoqërore të Kosovës, të krijojnë gjithfarë pronash, të ligjshme e të paligjshme, të cilat e dinë mirë, se tani për tani, nuk ekzistojnë mënyra dhe nuk ekzistojnë  forca politike që  do t’i nacionalizonin! Dhe, sepse ai pushtet u ka siguruar gjithfarë privilegjesh, për të cilat kur e kur edhe po shkruajnë disa gazeta; të sigurojnë gjithfarë privilegjesh që tingëllojnë vërtet tragjikomike. Dhe, tani po bëjnë çmos që të jenë në pushtetin e ardhshëm dhe të vazhdojnë të shtojnë pasuritë dhe të vazhdojnë të sigurojnë e të shtojnë privilegjet tragjikomike!
Thaçi, Haradinaj, Limaj e Kurti janë humbës politikë, kurse fitues është Isa Mustafa
Si u shkaktua kjo krizë politike?
Qosja: Krizën politike e shkaktoi grupi, tani i quajtur blloku, i përbërë prej kryetarit të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, prej kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe prej kryetarit e sekretarit të Nismës, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. Ata në të vërtetë para se të mbyllej procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 8 qershorit, bënë një puç të tipit afrikan: u turrën të bëjnë qeverinë sepse, thanë: bashkërisht, me aleancën që krijuam pas zgjedhjeve, kemi  shumicën! Këtij grupi puçist iu bashkua edhe kush nuk pritej se do t’i bashkohej: Vetëvendosja. Puçi i tyre i nxitur nga pasioni për pushtet vetjak nxiti pasionin vetëmbrojtës të Partisë Demokratike. Dhe, kështu pasionet instiktive pushtetore dhe etjet pasurore me lakmitë privilegjuese të këtyre puçistëve dhe kundërpuçistëve vazhdojnë që tre muaj e tri javë. Dhe, kështu, me pasionet e tyre tragjikomike  e cenuan keqas e pafalshëm konceptin e Kosovës shtet!
Të drejtën ta krijojë qeverinë e ka Partia Demokratike
Kush ka të drejtë ta krijojë qeverinë sipas jush?
Qosja: Të drejtën që të krijojë qeverinë e ka Partia Demokratike, sepse ajo i fitoi zgjedhjet. E në qoftë se ajo nuk e ka numrin e deputetëve, në të vërtetë në qoftë se ajo nuk e ka numrin e votave në Kuvend për të krijuar qeverinë atëherë, si të vendosë Gjykata Kushtetuese, qeverinë e formojnë ata që kanë shumicën ose mbahen zgjedhje të reja. Kjo është praktika evropiane.
Çka bëri kryetarja e Kosovës në këtë situatë?
Qosja: Kryetarja e Kosovës nuk bëri asgjë. E si të bëjë? Identiteti i saj më shumë se në prestigjin e paqenë politik mbështetet në kostumet e saj luksoze!
Cilët, sipas jush, janë humbësit më të mëdhenj në këtë ngërç politik?
Qosja: Sipas mendimit tim, humbës politikë në këtë krizë janë kryetarët e partive të dala nga UÇK-ja dhe Vetëvendosja, kurse fitues është kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Merreni me mend çka s’do të duhej të mund të merrej me mend? Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, që e filluan dhe e bënë luftën çlirimtare në Kosovë kundër dhunës e terrorit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit e shërbëtorëve të tij politikë shqiptarë, në të vërtetë kundër pushtimit të Serbisë, e rehabilituan Isa Mustafën-të përzgjedhurin e Rrahman Morinës e të Sllobodan Millosheviqit për kryetar të Këshillit  Ekzekutiv të Prishtinës dhe mandej për ministër në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës! O tempora, o mores! Ata, prej çastit kur e filluan puçin e tyre politik njëzëri e propozuan këtë Isa Mustafën kryetar të Kuvendit të Kosovës, duke shpresuar të bëhen Ramush Haradinaj kryeministër, ndërsa Fatmir Limaj nënkryeministër i qeverisë që do të formonte Kuvendi i kryetaruar prej këtij Isa Mustafe! Heronjtë e luftës çlirimtare pranojnë të ecin pas rrogëtarit të dikurshëm të kasapit të Ballkanit dhe pastruesit etnik të shqiptarëve-të ecin, të rreshtohen pas tij e të bëjnë politikën e tij! Përmbysje tepër dëshpëruese! Në këtë moçal politik, në të cilin luftëtarët Ramush Haradinaj,  Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi e lanë dhe e shpërlanë Isa Mustafën, pas tre muajsh u zhyt edhe Albin Kurti! Ky djalosh i zgjuar, që lexon, që mendon drejt për shumë çështje, hoqi dorë prej të gjitha atyre fjalëve që kishte shqiptuar për të kaluarën antikombëtare politike rrahmanmoriniane dhe millosheviqiane të Isa Mustafës dhe për, si thoshte, përfitimet e llojllojshme materiale të Ramush Haradinajt, të Fatmir Limajt e të partizanëve të tyre në Kosovën e privatizuar dhe me sapun venus filloi t’i lajë e t’i shpërlajë të përzgjedhurit e tij, në të vërtetë përdoruesit e tij të udhëhequr prej Isa Mustafës! Për disa poste administrative të vetes e të bashkëpunëtorëve të vet Albin Kurti i ktheu në hiçgjë politikën dhe etikën me të cilat Vetëvendosja ishte bërë zë i ri dhe shpresëdhënës në Kosovë. Konvertimi i Vetëvendosjes u bë më tepër se vetëfyerje! Por, në këtë moçal politik, në të cilin Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe Albin Kurti po e lanin dhe shpërlanin me sapun venus Isa Mustafën pas tre muajsh e tri javësh u zhyt edhe Hashim Thaçi: pavarësisht nga piruetat foljore që bën, ai në të vërtetë u pajtua që Isa Mustafa të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës, kurse atij, Hashim Thaçit, t’i sigurohet posti i kryeministrit të Kosovës. Një ministër i tij, i dëshmuar për poltronizëm më në fund si shumica e ministrave dhe këshilltarëve të Hashim Thaçit, që as dreqi dhe as i biri nuk kanë pritur se ai do të mund të bëhet ministër i qeverisë së Hashim Thaçit, në një paraqitje publike la të kuptohet se: Partia Demokratike pajtohet që Isa Mustafa të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës, por Hashim Thaçi të jetë kandidat i vetëm sot dhe gjithmonë për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës! Dhe, kështu demokracisë së ëndërruar të Kosovës iu vu edhe një vulë kundërdemokratike! Pas gjithë kësaj tollovie politike, pa urtësi politike, Hashim Thaçit i mbetet të mendojë e të nxjerrë konkluzionet: nga e gjithë kjo revoltë ndaj tij, revoltë e partive politike, revoltë e intelektualëve dhe çerekintelektualëve,  e organizatave joqeveritare, e disa medieve, e një numri të dukshëm të ish-luftëtarëve! Mos pse i shpërfilli shumë nga ata që me pushkë, me penë, me pasuri, me burgje bënë sakrifica për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës? Mos pse u rrethua me ministra e këshilltarë servilë, disa nga të cilët nuk bënë gjë për Kosovën apo e bënë të kundërtën e asaj që bënë të sipërpërmendurit? Mos pse shpërfilli tejskajshëm atë që mbetet e vetmja vlerë e dëshmi e kohës-kulturën me vlerat e saj? Mos pse me pajtimet e tij, në pozita të larta kudo u ngritën mediokritete, shpesh, të pamerita e të paskrupuj? Mos pse në gjithë sjelljet e tij tregoi një, si thonë disa, arrogancë të papërputhshme me standardet elementare demokratike? Mos pse…pse…pse? E them: revolta e disave  Hashim Thaçin duhet ta gëzojë, por revolta e disa të tjerëve duhet ta brengosë shumë. Jo vetëm sjelljet e muajve të fundit të këtyre kuadrove tona politike, por edhe shumë veprime e sjellje të tyre pushtetore pas luftës janë arsyeja fatkeqe pse shqiptarët aq lehtë e shpejt e humbën cilësorin e popullit të viktimizuar në sytë e ndërkombëtarëve!
Me shkuarjen në luftën e ISIS-it u bëhet dëm i madh Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi
Si i interpretoni arrestimet e imamëve në Kosovë?
Qosja: Jam me mendje e me zemër kundër shkuarjes së shqiptarëve në luftërat e të ashtuquajturit ISIS në Irak e në Siri apo kudo qoftë tjetër në Lindje të Mesme. Dhe jam, me mendje e me zemër për marrjen e masave ligjore kundër atyre që shkojnë dhe të atyre që marrin pjesë në financimin e dërgimit të tillë të shqiptarëve në atë luftë. Por, sa e si e përse mund të jenë të fajshëm imamët e burgosur apo ata 42 shqiptarët e tjerë kosovarë për të ashtuquajturin radikalizëm fetar, si po e quajnë vetëdijen e tejshquar fetare njerëz të politikës dhe analistë dhe për shkuarjen e një numri të rinjsh shqiptarë në luftën e ISIS-it në Siri e në Irak e ku tjetër në Lindje të Mesme, unë nuk mund ta di: këtë do ta thonë prokurorët dhe gjykatat. Para katër-pesë ditësh dy imamë prej Mitrovicës prokuroi përkatës i liroi për t’u mbrojtur në liri, sipas të gjitha gjasave i liroi të pafajshëm. Para dy ditësh, edhe njëzet të tjerë nga ata 42 të arrestuarit, po ashtu, u liruan për t’u mbrojtur në liri, d.m.th. u liruan të pafajshëm. Çka do të thonë këto burgosje dhe këto lirime? Ndoshta e gjithë kjo domethënë se në këto burgosje pothuaj të menjëhershme, në të vërtetë të dyhershme ka ligj, ka shtet – çka është e arsyeshme, por ka edhe politikë, politikë staliniste arrivistësh poltronë – çka është e paarsyeshme. Unë, si intelektual me bindje demokratike, që mbroj me shkrim prej shumë kohësh, i arsyetoj burgosjet e gjithë atyre që në çfarëdo mënyre financojnë dërgimin e shqiptarëve në luftën e ISIS-it në Siri e në Irak apo kudo tjetër, por nuk i arsyetoj burgosjet për shkak të të ashtuquajturit indoktrinim fetar. Shpjegimet e para me të cilat u arsyetua burgosja e imamëve  dhe e një numri nga ata 42 shqiptarët e burgosur para tyre bazoheshin në indoktrinimin: kanë nxitur, u tha, mosdurimin fetar e kombëtar; janë marrë me ekstremizëm fetar; disa janë marrë edhe me terrorizëm. Jemi mësuar të na burgosin Rankoviqi dhe Millosheviqi, me Ali Shukrinë, Kolë Shirokën dhe Sinan Hasanin për indoktrinim nacionalist dhe irredentist, por nuk kam pritur se shqiptarët edhe në demokraci do të burgosen për indoktrinim: tani për indoktrinim fetar! E dëgjova akuzën për burgosjen e kryetarit të LISBA-s, Fuad Ramiqit, të cilin nuk e njoh sepse nuk e kam takuar kurrë, me ç’rast u tha se ai po burgosej për shkak se po ftonte për rezistencë! Kaq. Nuk u tha për çfarë rezistence dhe kundër kujt rezistencë. Jemi mësuar që në Jugosllavinë komuniste të na burgosin Rankoviqi, Millosheviqi, Ali Shukria, Kolë Shiroka dhe Sinan Hasani për protesta, demonstrata, greva, që i quanin rezistencë kundër Jugosllavisë. Adem Demaçi, unë e disa veprimtarë të tjerë politikë, pas rënies së komunizmit kemi kërkuar rezistencë aktive, madje luftë kundër pushtimit serb, po Millosheviqi nuk na ka burgosur. Thirrjet tona për rezistencë, luftë  quheshin delikt verbal, që s’trajtohej vepër penale pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Por nuk kam  pritur që në Kosovën e quajtur demokratike do të burgoset ndonjë shqiptar a qytetar tjetër për thirrje gojore për rezistencë. Ku jetojmë ne? Në Kosovën demokratike, qoftë edhe rurale demokratike, apo në Kosovën komuniste? Arkitekti a piktori a  skulptori, Maks Velo, më shumë herë deri tani, ka shprehur mosdurimine tij, në të vërtetë urrejtjen e tij të tejskajshme ndaj shqiptarëve të besimit mysliman dhe shqiptarëve të Veriut! Por, asnjë zyrtari, në Shqipëri, nuk i ka shkruar dhe nuk i shkon mendja të kërkojë burgosjen e tij për atë delikt foljor. Natyrisht, mos e thëntë Zoti, të më shkojë as mua mendja për burgosjen e tij. Në Kosovë e në Maqedoni por, sipas bindjes sime, edhe në Shqipëri ka radikalizëm fetar të trajtave e të shprehjeve të ndryshme. Para disa vjetësh kam shkruar një libërth me titullin Ideologjia e shpërbërjes, në të cilin radikalizmin fetar e kam quajtur vetëdije e tejshquar fetare. Dhe, këtë vetëdije të tejshquar fetare, me propagandën kundër gjuhës standarde dhe me përpjekjet për krijimin e kombit kosovar, i kam quajtur faktorë shpërbërës të identitetit, të vetëdijes dhe të njësisë kombëtare shqiptare. Brenga e ime e atëhershme si, po shihet, nuk ishte e kotë. Jo vetëm si jobesimtar, si jofetar që jam, por, në radhë të parë si qytetar shqiptar, nuk mund të pajtohem me asnjë trajtë a shprehje të vetëdijes së tejshquar fetare, domethënë të radikalizmit fetar, qoftë ai më i vrazhdë – siç po tregohet vetëdija e tejshquar fetare, domethënë radikalizmi fetar mysliman, qoftë ai më i sofistikuar, më i rafinuar – siç po tregohet ai i krishterë, në mënyrë të veçantë ai katolik. E dënoj shkuarjen dhe përkrahjen në çfarëdo mënyre të pjesëmarrjes së shqiptarëve në terrorizmin e ISIS-it, por nuk e pranoj as Zyrën, në të vërtetë Qendrën që ka hapur Dom Lush Gjergji për konvertimin e shqiptarëve të besimit mysliman në Kosovë. Me shkuarjen në luftën e ISIS-it u bëhet dëm i madh Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, por dëm u bëhet edhe me Zyrën në të vërtetë me Qendrën e Dom Lush Gjergjit për konvertim apo të çfarëdo e të kujtdo zyre, në të vërtetë qendre tjetër fetare për konvertim fetar, me të cilat shkelet Kushtetuta e Kosovës për barazinë e dinjiteteve të feve dhe nxitet mosdurim fetar midis shqiptarëve. Sidoqoftë, çështja për të cilën më pyetët ju, është çështje e madhe në jetën kombëtare shqiptare, për të cilën nuk duhet të flitet vetëm me gjuhën e burgjeve e të njerëzve të politikës, sidomos të disa njerëzve të politikës të cilët me favorizimin e një feje, natyrisht, për nevojat e tyre karrieriste para luftës dhe pas luftës, kanë nxitur pakënaqësi te pjesëtarët e fesë tjetër. E çfarë përmbajtjesh ka pasur ai favorizim në thelbin e vetë kombëtarisht i dëmshëm, e dimë fare mirë dhe nuk e quaj të nevojshme me këtë rast të flas për të. Çështja fetare është çështje për të cilën duhet të flasin, sidomos, sociologët, politikologët, psikologët, antropologët dhe studiues të disa fushave të tjera shkencore. Vetëm kështu do t’i kuptojmë më saktë, më drejt, më gjithanshëm shkaqet dhe pasojat e vetëdijes së tejshquar fetare, domethënë të radikalizmit fetar dhe vetëm kështu mund të bëhet, më mirë e më sigurt ç’duhet të bëhet për të parandaluar të këqijat që mund të na lindin prej vetëdijes së tejshquar fetare, domethënë prej radikalizmit fetar, qoftë ai më i vrazhdë, qoftë ai më i sofistikuar, më i rafinuar! Vetëm po vepruam kështu, po e angazhuam edhe dijen në punë të fesë, nuk do të vijmë në situata ta plotësojmë dëshirën e Vasa Çubrilloviçit: të burgosim edhe krerët fetarë. (Titulli dhe mestitujt janë të redaksisë së gazetës “Epoka e re”)
Qosja flet edhe për mospraninë e Thaçit në pritjen e Papës në Tiranë
Si e komentoni faktin se ai, Papa Françesku, nuk ka pranuar të jetë në pritje edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi?
Qosja: Supozoj se ky nuk ishte vendim i vetë Papa Françeskut: nuk duket se shenjtëria e tij do të përjashtonte këdo qoftë prej pritjes që i bëhet atij kudo qoftë e kurdo qoftë. Dhe supozoj se vendimi për mospranimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës për të marrë pjesë në pritjen e Papës Françesku do të jetë marrë prej administratës së tij papnore dhe do të jetë marrë jo për shkak të farë vërejtjeje ndaj personalitetit të Hashim Thaçit, por për shkak se Vatikani nuk e njeh Kosovën shtet. Ishte ky një veprim politik, më mirë të them diplomatik, dogmatik.