Mogherini kërkon hapje të negociatave për Shqipërinë
28 ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian janë mbledhur në Luksemburg për të rishikuar qëndrimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Teksa Maqedonisë pritet t’i jepet drita jeshile, por me disa kushtëzime, për Shqipërinë situata paraqitet më e komplikuar.
Qëndrimi i parlamentit të Holandës ka detyruar shtetet anëtare dhe Presidencën bullgare të angazhohen në negociata, për të evituar një skenar negativ për Shqipërinë.
Ambasadori francez ka treguar se Franca mbetet kundër, ndërsa ambasadori holandez nuk e ka marrë fjalën, duke lënë të kuptohet se pozicioni i vendit të tij është i qartë dhe nuk mund të neglizhohet.
Nga ana tjetër përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini ka dhënë sërish një sinjal inkurajimi për dy vendet para takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.
“Rekomandimi i Komisionit Europian është hapje e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe me Tiranën. Ky proces është i bazuar në meritë, që do të thotë që kur ka progres, ky progres duhet të njihet dhe të inkurajohet. Shpresoj që shtetet anëtare të marrin vendimin e duhur. Ne shohim progres impresionues në Ballkan. U njoftuam me nënshkrimin e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë 10 ditë më parë. Është një moment historik që duhet mbështetur. Tani Bashkimi Europian duhet të jetë konsistente me qëndrimin e tij.”
28 ambasadorët e përhershëm do të mblidhen sërish në mbrëmje për të diskutuar mbi versionet e fundit të formulimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Nëse nuk arrihen konkluzione të martën 26 Qershor, vendimet për zgjerimin i kalojnë 28 liderëve të Bashkimit Europian në 28 dhe 29 Qershor.