FULLANI-MBULIM_3Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të thirrur nga zv/guvernatorja Elisabeta Gjoni në orët e darkës të së shtunës, Këshilli Mbikëqyres ka vendosur të largojë nga posti Guvernatorin e arrestuar.
Shkarkimi u bë i ditur për Top Channel nga burime brenda Këshillit, përpara përfundimit të mbledhjes.

Ende nuk bëhet e ditur se cili ka qënë rezultati i saktë i votimit dhe se si ka votuar çdo anëtar, gjë që pritet te mësohet gjatë në vijim.

Ligji parashikon që vendimi i Këshillit për shkarkimjn e Guvernatorit, i propozohet parlamentit. Është ky i fundit, ai që do të japë vendimin final që tashmë duket i vendosur, ku pas dhjetë vitesh nën qeverisjen e Fullanit, Banka e Shqipërise do të ketë një tjetër Guvernator në krye te saj.

Këshilli ka miratuar emërimin e zv/guvernatores Gjoni në krye të Bankes së Shqipërisë, e cila sipas ligjit, drejton institucionin në pritje të emërimit të Guvernatorit të ri.


NJOFTIMI PËR SHTYP I KËSHILLIT MBIKËQYRËS

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me ndalimin nga Policia e Shtetit të Guvernatorit, z. Ardian Fullani dhe të Inspektores së Përgjithshme të institucionit zj.Elivar Golemi. Deklarata e Prokurorisë që pasoi, bëri të njohur edhe akuzat që motivuan ndalimin e tyre.

Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh dhe mori një informacion të detajuar rreth situatës. Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës:

a) vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”;

b) konstatoi se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek Zëvendësguvernatori i Parë;

c) shprehu mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit;

Këshilli Mbikëqyrës, siguron publikun dhe autoritetet e vendit që po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmërinë më të lartë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin  e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të  marrë nën hetim. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare.