Përfundoi pa incidente protesta masive në Shkup
(E plotësuar)- Organizatori i protestës ka thirrur protestuesit që të tërhiqen, një pjesë e madhe e protestuesve janë tërhequr por vërehet ende një pjesë me një numër të vogël që gjenden përballë kordonit policor në Bit Pazar.
Pas pak minutash protestuesit shqiptar duke protestuar në mënyrë dinjitoze dhe të qetë ata e kanë përfunduar protestën e cila u ndalua nga kordoni policor në Bit Pazar.
Organizatori ftoi turmën që të vijnë të premten e ardhshme dhe të shprehin zemërimin e tyre në mënyrë paqësore
Protestës i prijnë Zijadin Sela e bokseri Nuri Seferi
Para pak çastesh protestuesve shqiptarë u bashkëngjitet boksieri Nuri Seferi i cili bashkë me deputetin e luftës Hysni Shaqiri dhe me kryetarin e Komunës së Strugës Zijadin Sela, po i prinë protestës e cila po lëviz në drejtim të gjykatës.
Turma prej mijëra protestuesve kundër rastit “Monstra” arrin në “Bit Pazar” ku presin t’i bashkëngjiten edhe 1000 qytetarë tjerë. Turma ka vazhduar me brohoritjet tanimë të njohura “Ali Tradhëtari”, “Kush nuk del është tradhtar”, “Shtet mafioz” etj. Tani për tani turma nuk ka pasur përplasje me policinë.
Kërkesat e protestuesve: Lirimi i të dënuarve, shkarkimi i Jankullovskës e Geshovskës
Në deklaratën e lexuar nga njëri prej familjarëve të të dënuarve kërkohet t’u jepet fund proceseve të montuara politike.
Kërkohet të shpallet pafajësia për të dënuarit në rastin “Monstra”, lirimi i tyre dhe dëmshpërblimi.
Gjithashtu, kërkohet shkarkimi i gjykatëses Geshovska, dorëheqja e ministres Gordana Jankullovska dhe lirimi i të gjithë të ndaluarave gjatë protestave të mëparshme në Shkup dhe në Tetovë.
Është njoftuar se protestat do të vazhdojnë deri sa të përmbushen këto kërkesa.
Filloi protesta, mijëra qytetarë grumbullohen në Çairçankë të Shkupit
Filloi protesta në lagjen Çairçankë të Shkupit ka nisur grumbullimi i protestuesve, nga çasti në çast rritet numri i shqiptarëve që do të protestojnë në Shkup. Deri më tani mijëra qytetar bëhen gati t’i bashkëngjiten protestës.
Mijëra protestues shqiptarë kanë marrë pjesë të premten në protestën e organizuar në Shkup. Me flamuj kuq e zi dhe parulla për drejtësi ata kanë kundërshtuar dënimin e 6 shqiptarëve me burgim të përjetshëm në të ashtuquajturin “Procesi Monstra”.
Marshi i protestuesve nuk është lejuar t’i afrohen godinës së Gjykatës Themelore nga forcat e shumta policore që kishin bllokuar rrugën drejt saj. Protestuesit bashkë me familjarët e personave të dënuar, për herë të parë kanë shpalosur katër kërkesat e tyre para mediave.
“Kërkojmë të shpallen si të pafajshëm të dënuarit, lirimin e menjëhershëm dhe dëmshpërblimin e tyre. Shkarkimin e menjëhershëm të prokurores dhe gjykatësit të rastit dhe ndjekjen e tyre penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dorëheqjen e Ministres së Brendshme për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare duke shpallur gjykimin qysh gjatë arrestimit të tyre dhe lirimin e menjëhershëm të protestuesve në Shkup dhe Tetovë”, tha Daim Luçi, protestues.
“Po protestojmë bashkë me bashkëqytetarët dhe jemi mirënjohës që po na japin përkahje. Ne do të vazhdojmë të protestojmë për të drejtat tona sepse nuk na ngel gjë pos rrugës”, deklaroi Bedri Ajdari, familjar i njërit prej shqiptarëve të dënuar .
Protestave të së premtes, që ka përfunduar e qetë, i janë bashkangjitur edhe personalitete ndryshme, si politikani Hysni Shaqiri, kryetari i Komunës së Strugës, Zijadin Sela, publicisti Kim Mehmeti, kampioni europian i boksit Nuri Seferi dhe disa intelektualë të tjerë të njohur.
Ndërkohë, për sot ka qenë e paralajmëruar një protestë edhe nga maqedonasit, të cilët kundërshtojnë protestat e shqiptarëve. Por tubimi i tyre është anuluar.
