MPJ maqedonase: Deklaratat nga Shqipëria, ndërhyrje në punët e brendshme
Pas takimeve disa orëshe, Ministria maqedonase e punëve të jashtme u ka dorëzuar notë proteste ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup, ku gjykon deklaratat e zyrtarëve shqiptarë lidhur me zhvillimet në Maqedoni, si dhe ndezjen e flamurit maqedonas në Kosovë. Në komunikatën zyrtare të ministrisë s jashtme Maqedonase, deklaratat e dhëna nga zyrtarët shqiptarë janë vlerësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.
“Ambasadorëve të këtyre dy vendeve u tërhoq vërejtja se qëndrime dhe interpretime me të cilat vendoset në pikëpyetje funksionimi i shtetit juridik dhe veprimi i gjyqësorit si pushtet i pavarur në Republikën e Maqedonisë– si dhe vlerësime politike nga ana e përfaqësuesve të lartë politikë – nuk kontribuojnë në kultivimin e marrëdhënieve konstruktive, pozitive, miqësore dhe ndërfqinjësore. Deklaratat e tilla mund të interpretohen si përzierje në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë dhe nuk janë në drejtim forcimit të besimit të ndërsjellë dhe fqinjësisë së mirë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së jashtme maqedonase e cila vjen një ditë pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili tha se faji për protestat e shqiptarëve në Shkup qëndron te mosimplemenetimi i Marrëveshjes së Ohrit, me çka faktikisht akuzoi BDI-në, si subjekt që 10 vite udhëhe Sektorin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në të njëjtën komunikatë thuhet se ambasadorit të Republikës së Kosovës i është dorëzuar notë proteste me të cilën ashpër dënohet siç thuhet, akti vandal, ndezja e flamurit maqedonas para Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, me të cilin akt ofendohet thellë dinjiteti i Republikës së Maqedonisë. “Poashtu është shprehur edhe pritje se organet kompetente të Republikës së Kosovës do të ndërmarrin urgjentisht do të ndërmarrin masa adekuate për gjetjen dhe dënimin e autorëve”, thuhet në fund të komunikatës. .