“Civil”: Zgjedhjet 2014, demokracia e diskualifikuar
Në raportin “Zgjedhjet 2014, demokracia e diskualifikuar”, të publikuar nga “Civil”, organizata vë në pah se nga fillimi i mbulimit mediatik të fushatës parazgjedhore vërehej qartë se VMRO-DPMNE ishte më e fuqishme sesa të gjitha partitë e tjera bashkë.
“Fushata e VMRO-DPMNE-së, u shoqërua me një fjalor shumë të ashpër politik në llogari të partisë opozitare LSDM dhe retorikë agresive nacionaliste të drejtuar kundër partnerit në koalicion, BDI-së. Theksi në shfaqjet publike të drejtuesve të VMRO-së ishte në thirrjen për të fituar 62 deputetë, në mënyrë që t’i iknin ‘shantazhit’ nga pala shqiptare”, theksohet në raport.
Sipas raportit shumë media pro qeveritare kanë publikuar raporte paragjykuese dhe jo të balancuara.
“Në këtë aspekt theksohet fuqia financiare e VMRO-së, e cila ka ndikuar që të përfitojë bosët e mediave për ta mbështetur partinë në pushtet. Kjo vërehet qartë nëse bëhet analiza e reklamave të vendosura nga partia në pushtet, për shembull në mediat e shkruara në Maqedoni”, thuhet në raport.
“Civil” thekson në raport edhe presionet e vërejtura ndaj votuesve, sidomos nga ana e partive të koalicionit qeverisës. “Për shembull, gjatë fushatës zgjedhore në Veles ka pasur një seri të rasteve të presionit mbi votuesit. Ka pasur raste të heqjes së pagës mujore të anëtarëve të kategorive sociale në pretekstin se dokumentet nuk janë paraqitur në kohë. Dhe sipas dëshmisë së punës në terren është bërë kryesisht për njerëzit që janë miqësorë me opozitën ose i përkisnin kategorisë së votuesve të pavendosur. Në Veles janë vërejtur dhe praktikat korruptive lidhur me dhënien e një kompensim në para për punëtorët të tepërt në Komunë, si dhe subvencioneve për kultivuesit”, theksohet në raport.