besnik_tahiriBesnik Tahiri-Demonstratat dhe protestat e fundit në Maqedoni janë tregues i qartë se marrëveshjet politike që synojnë zgjidhjen e konflikti ndër-etnik duhet të krijojnë efekte shumë të prekshme integruese në praktikë në mënyrë që të arrihet stabiliteti i qëndrueshëm.

Edhe pse po bëhen 13 vite që nga marrëveshja e Ohrit, që për synim kishte integrimin e plotë të shqiptarëve në shtetin maqedon, shihet qartë se diskriminimi dhe mungesa e vullnetit politik të shumicës maqedone për të ndërtuar një shtet funksional ku respektohen obligimet e marra ndërkombëtare ka munguar. Në fakt, marrëveshja e Ohrit ishte shumë e mirë në letër mirëpo siç po shihet është pothuajse e pa realizueshme në praktikë. Ky dokument i cili parasheh politika të mira integruese nuk ka arritur të krijojë efekte në mirëqenien dhe integrimin e plotë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Decentralizimi i shumë përfolur dhe krijimi i shumë komunave me shumicë shqiptare përveç që arriti të krijoj komunën dhe vetë-administrimin nga qytetarët rezident, shqiptarë, këto komuna nuk u kthyen në institucion që për synim do të kishin integrim substancial të tyre në vendimmarrje dhe jetën politike. Në këtë rast, niveli qendror, nuk i transferoi resurset e nevojshme për zhvillim tek këto komuna, ai zbriti disa përgjegjësi por jo edhe resurset në veçanti financat për investime kapitale. Si pasojë e kësaj, u arrit një diskriminim i qartë ndaj komunave shqiptare.
Një çështje që është parashikuar në marrëveshjen e Ohrit është vendimmarrja, që sanksionon parimin e Badenterit, e që po shihet se edhe pas 13 viteve se nuk plotëson nevojat e kësaj popullate për pengimin e majorizimit. Përkundrazi, ky parim përdoret në mënyrë që të pamundësojë komunat në realizimin e objektivave, që edhe në rastet kur kanë shumicë shqiptare nëpërmjet këtij parimi bllokohen. Pra evidencat nga Kosova, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina tregojnë qartë se nuk ka qeverisje lokale efektive dhe zhvillimore pa përkrahje nga niveli qendror, pra nuk ka decentralizim të suksesshëm pa mbështetje nga qendra, që nënkupton se nuk ka decentralizim pa qeverisje të mirë në qendër.
Në qoftë se bëjmë një vlerësim objektiv, shohim qartë se 13 vjet pas marrëveshjes se Ohrit disbalanci në investime të projekteve kapitale, në veçanti tek ato infrastrukturore është shumë i madh. Vlen të shikohen vetëm investimet e fundit në Shkup për tu parë qartë ky diskriminim. Pra nuk mund të themi se ka decentralizimin e as barazi, përderisa komunat shqiptare në Maqedoni nuk kanë mjete për ushtrimin e funksioneve, kjo e bënë të vështirë punën në ofrimin e shërbimeve bazike tek qytetarët e lëre më të flasim për integrim dhe zhvillim.
Duke e parë këtë situatë, të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm në kualifikimet dhe vlerësimet e këtyre protestave, përkundër pakënaqësisë për rastin “Monstra” dhe mënyrën jo të duhur të trajtimit të tij, problematika duhet të shihet në rrafsh më të gjerë pra duhet të fokusohemi më shumë në adresimin e asaj që mund ta quajmë politikë diskriminuese që po ndodh tash e 13 vjet. Pra tani është emergjente që bashkësia ndërkombëtare të reagoj ndaj situatës së krijuar dhe ti ftojë palët për dialog duke siguruar barazi si mjeti më i mirë për stabilitet, integrim dhe zhvillim në këtë rajon.