azem-eminiEmin Azemi-Shoqëria civile që flet shqip në Maqedoni ende nuk e ka frymën, angazhimin, platformën dhe diskursin e saj autetnik dhe origjinal. Gjithmonë ka së paku një arsye për të protestuar dhe njerëzit për nga natyra jo gjithmonë pakënaqësitë e veta mund t’i menaxhojnë sipas një itinerari strikt. Por, gjithkund ku pakënaqësia është ngritur mbi një terren të lëkundshëm, pa disa shtylla mbi të cilat është ndërtuar kauza e përfaqësimit, është destinuar ose të dështojë, ose të keqpërdoret nga interesa e grupacione të caktuara.

Tradita e aktivizmit qytetar në Maqedoni ka qenë ngusht e lidhur me një filozofi urbane, që është munduar të refuzojë recidivat e sistemit monist. Por ky aktivizëm shumë pak ka mbajtur llogari për specifikat dhe diversitetet gjuhësore, kulturore e nacionale dhe për pasojë për shumë vite këtu është kultivuar njëfarë unifomizmi dhe eklektizmi ekstra-civil, duke u dhënë hapësirë të pamerituar badihavxhinjëve shqipfolës me axhendat e tyre private.

Në vitet nëntëdhjetë vepronte një Këshill për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me seli në Gostivar, i cili me gjithë mangësitë dhe hendikepet, megjithatë ishte institucioni i vetëm civil, që sensibilizonte shkeljet e natyrave të ndryshme në radhët e shqiptarëve. Ky këshill ishte aktiv, sidomos gjatë viteve të bërjes së Universitetit të Tetovës dhe falë alarmit që lëshonte ai u formua një mendësi e caktuar publike, madje në rang botëror, për dimensionin dhe rëndësinë e kësaj krijese arsimore e kulturore të shqiptarëve.

Në vend se gjërat të kishin ecur përpara, duke mbindërtuar një shoqëri të organizuar civile, ne tani jemi kthyer shumë prapa, madje para viteve nëntëdhjeta. Pasojat e kaosit që përhapën multikulturalistët shqipfolës, të cilët një kohë bukur të gjatë ndërtonin mirëqenie private në kurriz të pabarazisë shqiptare, sot po shfaqen me koston e pariparueshme të mosorganizimit të mirëfillt. Madje, disa prej tyre kishin dënuar në stilin kooperativist demonstratat studentore të viti ‘81, por pastaj s’iu bëhej vonë të katapultoheshin në aktivistë multikultuor, që e kishin ’për nderë’ të shoqëroheshin me ndonjë eksponent të regjimit të atëhershëm maqedonas.

Aty ku mungojnë platforma dhe lideri i protestës, ka rrezik që në ballë të del anarkia e turmës. Ky është momenti më kritik i instrumentalizimit të pakënaqësisë nga segmente e grupacione të caktuara. Fatkeqësisht, në Maqedoni shoqëria shqiptare ka indicie që të jetë peng i këtij instrumentalizimi edhe përkundër faktit, se tani më tepër se kurdoherë më parë, ka nevojë për një zë dhe frymë që do të artikulonte pakënaqësinë me kodin e qartësisë publike, e akceptueshme drejt nga bota e civilizuar.

Burgimi i përjetshëm i gjashtë të rinjëve shqiptarë, që ndodhi ditë më parë është motivi i mjaftueshëm për të reflektuar këtë artikulim civil, me mundësinë zero të infiltrimit të rrymave e ideologjive, që asgjë s’kanë të përbashkët me hallin e atyre, të cilët aktualisht po e vuajnë dënimin. Mediat, analistët e politikanët e caktuar shqiptarë ka kohë që po mundohen të bindin botën, se në rastin ‘Monstra’ gjyqësia e instrumentalizuar është kujdesur të inkorporojë një prirje joautentike religjioze të shqiptarëve në aktakuzën e mbushur me shpifje, insinuata e inskenime amatore.

Protestat gjithkund në botë vinë pas një anarkie që shkaktojnë levat e caktuar të shtetit. Do të ishte fatale, sikur protestat e shqiptarëve në Maqedoni ta bëjnë të kundërtën: me veprimet e tyre të nxisin një anarki tjetër, e cila do të menaxhohej pastaj me mjete e metoda aspak demokratike. Do të ishte e pafalshme që këtë frymë pakënaqësie ta lëmë të rrjedhë nëpër kanalet e stihisë, për arsye se ka rrezik që në mungesë të organizimit të mirëfillt në skenë të dalin menaxhues perfid të situatave konfliktuoze, që më së paku shkojnë në favor të vetë shqiptarëve.