rexhep_qosjaMe rastin e 78-vjetorit të ditëlindjes së Akademikut Rexhep Qosja, nesër në sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë do të organizohet shfaqja e filmit dokumentar të titulluar “Rexhep Qosja – Rilindësi i kohës sonë”. Ky film është realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga. I pranishëm do të jetë edhe akademiku Rexhep Qosja. Organizatorët e kësaj veprimtarie, Instituti i Librit dhe Promocionit, Shtëpia Botuese ‘Toena’, bëjnë me dije se Prof. Qosja e ka mirëpritur organizimin në këtë mënyrë të ditëlindjes nga miqtë e tij të shumtë në Tiranë.

Ai do të mbërrijë nesër paradite në Tiranë ndërsa në orën 19 do të marrë pjesë në prezantimin e filmit kushtuar atij. Të njëjtat burime thanë se me këtë rast është ftuar të marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, ndërsa kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe shumë ministra, deputetë, politikanë, intelektualë dhe personalitete të shquara të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Nisur dhe nga titulli i filmit, mësohet se dokumentari përshkruan jetën dinamike dhe me mjaft vepra të akademikut të shquar, sidomos në ndriçimin dhe mbrojtjen e kauzës së çështjes kombëtare shqiptare. Kësaj çështjeje, Prof. Qosja i ka kushtuar pjesën më të madhe të veprës së tij e cila deri më tani përmbledh një kolanë me më shumë se 29 vëllime.

Profesor Qosja në mënyrë të veçantë gjatë më shumë se dy dekadave të fundit ka qenë mjaft i pranishëm edhe në jetën politike të Shqipërisë dhe Kosovës, me intervistat dhe polemikat e tij, të cilat vazhdimisht kanë patur një jehonë të gjerë në opinionin shqiptar. Në Shqipëri Prof. Qosja vlerësohet edhe për faktin se ka qenë vazhdimisht konsekuent me zhvillimet politike të Tiranës. Një vit më parë, ai ishte ndër të parët që përshëndeti fitoren e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa më 25 qershor, me rastin e 77-vjetorit të ditëlindjes së tij, Profesor Qosja deklaroi nga Prishtina për gazetën “DITA”:

“Është një ditë e shënuar e jetës sime, dita që kam ardhur në jetë. Si për cilindo në këtë ditë, ndjehesh i rrethuar nga miq e dashamirës, mbushesh me emocione kur nuk reshtin urimet me telefona, me e-mail. Tani që flasim bashkë shtëpia është e mbushur plot me mysafirë që kanë ardhur për të më uruar. Të gjitha këto bëjnë që 25 qershori të jetë një ditë e veçantë për mua, të afërmit, miqtë dhe dashamirësit e shumtë në Kosovë, Shqipëri e kudo. Më kanë prekur shumë urimet që kanë ardhur nga Vlora, Labëria, që e kam të pranishme gjithë kohën në zemrën time. Unë ndjehem mirë, ndjehem i lumtur, pasi ditëlindja ime u tregua e fatshme, shumë e fatshme për Shqipërinë. Me këtë datëlindje, më 25 qershor, Shqipëria mund të quhet e çliruar, e çliruar prej njeriut rëndues, shkatërrues, ofendues me shumë çka për shumë e shumë shqiptarë. Këtë e kam thënë dhe jam i bindur për këtë që them”.

Për jetën dhe veprimtarinë e gjithanshme të Akademikut Rexhep Qosja në film flasin personalitete të shquara të politikës, shkencës dhe kulturës shqiptare. Një vlerësim të veçantë ka bërë edhe Kryeministri Edi Rama.

Si ju ben te ndiheni ky lajm?