fule-twittZyrtarisht Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. 28 vendet anëtare të BE-së kanë votuar pro gjatë mbledhjes së Këshillit Europian për kandidaturën e Shqipërisë.
Vendimi i marrë nga Ministrat e Jashtëm është zyrtarizuar formalisht. Menjëherë pas kësaj vendimi është përshëndetur nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, përmes një postimi në faqen e tij në Twitter. 

“Urime Shqipërisë për statusin! Njohje e përpjekjeve për reforma; nxitje për më shumë”, shkruan Fyle.

Vendet kryesore të BE-së, Gjermania, Anglia, Franca, Holanda,  ndryshe nga qëndrimi i dhjetorit këtë herë treguan qasje pozitive për kandidaturën e Shqipërisë dhe rekomandimit të Komisionit Europian.


Së bashku me miratimin e statusit, Këshilli Europian do të miratojë edhe konkluzionet për Shqipërinë, ku përfshihen edhe kriteret për hapin tjetër drejt BE-së, hapjen e negociatave.

Kjo është hera e tretë që Këshilli Europian shqyrton kandidaturën e Shqipërisë. Pas refuzimit dy vjet më parë, shtyrjes së tij në dhjetor, në këtë përpjekje të tretë Shqipëria arriti të marrë statusin e vendit kandidat.

Vendimi pritet të ratifikohet edhe nga kreret e qeverive të 28 vendeve anëtare.