kanabis_lazaratNë ditën e gjashtë të aksionit në Lazarat, pas vendosjes së kontrollit në të gjithë territorin, policia ka vijuar me kontrollin e banesave. 
Kontrolle të rrepta po zhvillohen veçanërisht në ato objekte që janë identifikuar prej forcave të rendit se është qëlluar me armë zjarri ndaj policisë në ditët e kaluara.

Kështu, uniformat blu kanë hyrë në një bazë prej nga është qëlluar me armë tip snajper.

Policia ka gjetur në këtë magazinë dhe në çdo banesë tjetër të kontrolluar armë të rënda si granatahedhëse, tetë mbushëse granata-hedhëse, plumba për pushkë të tipit snajper dhe dylbi me të cilat banditët kontrollonin nga lartë operacionin e policisë.

Ndërkohë, paralelisht me kontrollet në banesa, policia ka vijuar asgjesimin e drogës. Në disa prej tyre janë gjetur tonelata drogë, disa të presuara e të paketuara, gati për t’u trafikuar.

Sipas një raportimi të Policisë së Shtetit, gjatë ditës së sotme janë kontrolluar 32 banesa; janë asgjesuar 9.385 bimë narkotike dhe 2 tonë hashah; janë sekuestruar 11 automatikë, 1 mitraloz, 1 anti-tank dhe 4 pistoleta; janë bllokuar 5 automjete me armatim që përmbanin 4 kuti me predha dhe granatahedhës.

Policia: Nuk ka prokurorë në Lazarat
“Vetëm një prokuror në terren nuk i përgjigjet dot ritmit të operacionit”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga ajo e Krimeve të Rënda që të jenë prezente në mbështetjen e operacionit kundër lëndëve narkotike në Lazarat që ka nisur që prej së hënës. 

Në një deklaratë për mediat mesditën e së premtes, kreu i Policisë, Artan Didi tha se është është e pamundur që të mbulohen veprimet proceduriale nga një prokuror dhe një prokuror i Krimeve të Rënda. 

“Jemi në një moment kritik që lidhet me mbështetjen e policisë nga institucionet e tjera të drejtësisë sic është Prokuroria e cila vazhdon me të njëjtin ritëm pune, me prokurorë të gatshëm dhe një prokuror që na ka ardhur para dy ditësh dhe tani nuk e dijmë ku është, nga Krimet e Rënda. Kur gjithë policia është në këmbë, imagjinoni në këtë zonë të mbushur me aktivitet kriminal, me prova materiale që lidhen me krimin, me armë, granatahedhësa, mortaja, predha, mitrolozë, bimë narkotike, bimë narkotike që janë aty me kohë të paketuara, me bimë nëpër bahçe dhe kur vjen puna policia ka mbetur vetëm. Ecuria e operacionit lidhet shumë me veprimet proceduriale që i mbulon Prokuroria. Bëj thirrje që institucionet e drejtësissë duhet të jenë këtu për të provuar dhe vërtetuar se cfarë ka ndodhur në Lazarat, se cfarë vlerash monetare janë prodhuar në këtë vend. Se ku kanë shkuar ato, më pas duhet ta hetojë Prokuroria. Për Lazaratin ka patur procedime që kanë nisur disa muaj më parë, por në rastet në fjalë nuk ka nevojë për të patur një rakordim, nuk kam komunikuar me Prokurorin e Përgjithshëm, kemi tentuar të bëjmë një koordinim, por me një prokuror nuk kemi cfarë të koordinojmë kur ne kemi 35 grupe hetimore në terren”, tha Didi. 

Në fund Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se duhen veprimet e të gjitha institucioneve të tjera të drejtësisë që operacioni të cilësohet si i suksesshmë. Ai mohoi akuzat për “plaçkitje” nga ana e policisë dhe u bëri thirrje banorëve të Lazaratit që të qendrojnë në banesat e tyre në kohën që kontrollohen nga policia. 

Edhe nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, në një prononcim për Top Channel, theksoi se në “operacion janë shumë ekspertë të angazhuar, por duhen edhe më shumë në mënyrë që operacioni të ecë me ritme më të shpejta”.

“Banorët e mirëpresin praninë e policisë, por duhet të jenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Prokurorisë”, theksoi zoti Qato.

“Jemi në fazën e kontrollit të ambienteve dhe banesave pasi dyshojmë që provat materiale lidhen me veprimtari kriminale. Do vazhdojmë derisa të pastrojmë të gjithë zonën. Janë kontrolluar 150 banesa dhe operacioni është në zhvillim e sipër. Në kërkim janë rreth 30 persona, por mund të jenë edhe më shumë me kalimin e orëve”, shtoi nëndrejtori i Policisë së Shtetit. 

Prokuroria: Jemi pjesë e hetimit
“Kemi kryer të gjitha veprimet, siç i parashikon ligji” 

Por Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, i kontaktuar nga Top Channel  u shpreh se ka kryer të gjitha veprimet proçeduriale të kërkuara nga policia. 

Çdo ditë, sipas Becit, kanë qenë të pranishëm në Drejtorinë e policisë së qarkut Gjirokastër dy prej prokurorëve të Krimeve të Rënda. Ai tha se kishte kontaktuar me zotin Didi disa herë në ditë gjatë aksionit policor. 

Sipas Becit, Prokruroia e Krimeve të Rënda i ka kryer të gjitha detyrat konform ligjit. Mendohet që kjo prokurori gjatë aksionit vuri më tepër se 150 persona në përgjim gjatë këtij aksioni, për të ndihmuar Policinë e Shtetit në aksionin për marrjen e Lazaratit.