“Trafik droge nga Gjadri në 2012-2013”
Dëshmia e një ushtaraku që ka shërbyer nga viti 2011 deri në vitin 2013 në pistën ushtarake të Gjadrit dhe ajo e banorëve të zonës janë provat e bëra publike paraditen e së shtunës në Komisionin Hetimor Parlamentar për përfshirjen e Forcave të Armatosura në trafik të lëndëve narkotike.
“Me shkresën e datës 16 maj 2014 Komisioni u ka kërkuar informacion Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë strukturave në varësi të saj, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Autoritetit të Aviacionit Civil, AlbControl-it, Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mbi pretendimet se më datën 19 mars 2014, rreth orës 7 në pistën e Gjadrit është ulur një avion sportiv dhe pranë tij i ndaluar një furgon tip Iveco ngjyrë e bardhë me targa të Vlorës”, deklaroi kryetarja e Komisionit, Ermonale Felaj.
Informacioni i marrë nga të gjitha strukturat shtetërore e mësipërme ka rrëzuar këto pretendime. Sipas këtyre institucioneve nga hetimet, dëshmitë dhe verifikimet e hyrje-daljeve të avionëve në Shqipëri, nuk ka asnjë provë që vërteton se në këtë datë është ulur një avion në pistën e Gjadrit.
Por nëse për 19 marsin nuk ka prova për përfshirje të ushtrisë në trafik të lëndëve narkotike, Komisioni ka mundur të sigurojë një dëshmi të rëndësishme për kryerjen e këtij aktiviteti me dijeni dhe përfshirje të FA në të shkuarën.
“Dua të tërheq vëmendjen mbi faktin më të rëndësishëm që ky Komision Hetimor ka arritur të administrojë. Bëhet fjalë për një dëshmi të plotë të marrë në formën e kërkuar nga ligji, atë me dokument, si dhe të shoqëruar me prova të tjera që provojnë katërcipërisht që nëpërmjet aeroportin të Gjadrit, në periudhën 2012, fillimi i vitit 2013 të jetë kryer transport në rrugë ajrore të lëndëve narkotike”, deklaroi kryetarja e Komisionit, Ermonela Felaj.
Bëhet fjalë për dëshminë e shtetasit me inicialet S.Gj, ushtarak që ka shërbyer nga viti 2011 deri në vitin 2013 si roje në pistën e Gjadrit. Deklarata e tij është bërë më datë 07.10.2013 në Policinë Ushtarake.
Sipas dëshmisë në fjalë, në periudhën 2012-2013 është kryer transport i lëndëve narkotike nëpërmjet avionëve të vegjël që uleshin herë pas herë në Gjadër.
“Dëshmitari ka punuar në aeroportin e Gjadrit në Lezhë nga 2011 deri në 2013 si ushtarak, nënoficer. Në periudhën për të cilën ai ka dëshmuar ka qenë në detyrë të shërbimit ushtarak të ruajtjes së pistës së avionëve në bazën ajrore rezervë Gjadër”, deklaroi Felaj.
“Kam qenë në sherbim në aeroportin Gjadër, Lezhë, nga 2011 deri në 2013. Gjatë kohës që kam qenë në shërbim, në muajin tetor 2012, kam patur informim nga personat që kanë bagëti se këtu ulet një avion, në fund të aerodromit, që ngarkonte disa arka të dyshimta. Në një prej ditëve që unë isha në shërbim, ulet avioni rreth orës 07:30, për të cilin kam komunikuar në telefon me komandantin e truprojës së bazës së Gjadrit dhe i kam thënë se vjen një avion. Komandanti i truprojes me inicialet E.M së bashku me një roje me inicialet S.Gj, kanë shkuar në aerodrom me motocikletë, kanë gjetur avionin me pesë persona të tjerë dhe kanë konstatuar furnizimin me karburant dhe pako të mbështjella me natriban të avionit. Janë pyetur persona në fjalë se cfarë po bënin në një bazë ushtarake dhe përgjigjja ka qenë se po bënin stërvitje në luftën kundër narko-trafikut dhe se ishin të SHIK-ut. Kur komandanti i truprojës u ka thënë se po vjen përgjegjësi, njëri prej tyre u ka thënë se ne jemi të SHIK-ut dhe kanë ikur. Dëshmitari S.Gj pohon se ka komunikuar me kapitenin me inicialet A.SH duke i thënë se ishte ulur një avion që ka dicka të dyshimtë. Ky i fundit ka komunikuar me oficerin e drejtimit me inicialet B.D i cili ka tentuar ta mbulojë këtë fakt duke e urdhëruar që të mos raportojë që është ulur avioni, por vetëm që ka fluturuar dhe se s’ka se cfarë ju duhet me këtë punë. I njëjti avion ka fluturuar pas dy ditësh, por nuk është ulur në Gjadër. I njëjti avion ka ardhur edhe pas dy javësh. Dëshmitari ka parë në këtë peridudhë tetor 2012 katër persona që ngarkonin me karburant dhe pako të mbështjella me natriban avionin. I ka pyetur nëse kishin autorizim dhe ata i kanë dhënë të njëjtën përgjigjje: ne jemi të SHISH-ut. Personat në fjalë ishin të armatosur sipas dëshmitarit. Dëshmitari S.Gj ka komunikuar sërish me kapitenin A.SH i cili i ka thënë të mos u hapte telashe. Pas këtij momenti avioni ka shkuar në Gjadër edhe dy herë të tjera por dëshmitari nuk është afruar pasi disa persona nga Shkodra i kanë thënë se për të punuar në aerodrom kishin marrë leje nga Ministria e Mbrojtjes. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, dëshmitari S.Gj është lëvizur nga shërbimi në një vend tjetër pune”, thuhet në dëshminë e zotëruar nga Komisioni e të lexuar nga deputetja socialiste, Ermonela Felaj.
Hetimi i drogës, reagon PD
“Hetimi i Felajt, dëshmi e rënies së kryeministrit Rama”
Partia Demokratike ka reaguar ndaj rezultateve të hetimit parlamentar mbi trafikun e drogës, të publikuara paraditen e së shtunës nga deputetja Ermonela Felaj.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi ironizoi rezultatet dhe i cilësoi ato një rënie të qeverisë Rama.
“Kryeministri Rama ia doli me sukses të bëhej qesharak në sytë e opinionit publik, duke e shndërruar komisionin hetimor parlamentar në një barcaletë për shtyp.
Ku i keni mushkonjat zoti Rama, që Felaj zbuloi se ishin avionë? Ku janë guralecët që nuk lejonin mushkonjat të uleshin në Gjadër? Kush ra më parë, piloti, avioni, rrota apo fraksioni?
Në të vërtetë është rrëzuar kryeministri. PD përsërit kërkesën se vetëm një hetim serioz do të nxjerrë para përgjegjësit dhe do të evitojë këtë dramë për vendin tonë”, deklaroi Vorpsi.