cadra-grevisteNga Bedri Islami

Më në fund, si e kishte thënë që në ditën e parë të shkuarjes në opozitë, Partia Demokratike thirri edhe një protestë, në formë demonstrate, e cila më pas, nuk ishte as njëra e as tjetra. E garnituar me një fillesë greve urie, si dekor i asaj që pritej të ndodhte, ku çadrat e ngritura të dukeshin si shatorre lufte, klani i Berishës dha njërën nga shenjat e mëdha të shkapërderdhjes së mendimit politik dhe të përndjekjes së saj nga njerëzit e zakonshëm. Një masë amorfe, e mbledhur pas hijes së një burri që pritej të ishte lider, por që në fakt u bë beterri i politikës dhe i jetës së njerëzve, dha kumtin e saj të dëshpërimit dhe të humbjes. Ajo që kishte ardhur nga e shkuara e dikurshme, ishte veçse hija, mitingjet e mëdha të shesheve tani kishin para vetes miniaturën e tyre dhe e vetmja gjë që kishte ngelur ishte njeriu i së keqes. Rreth tij ishte mbledhur një pjesë e gardës së re pretoriane, të cilët, si duket e dinë mirë, se në rast së tentojnë të lëvizin diçka nga rendi i gjërave, shumë lehtë mund të kenë një fat të trishtë si i Trebickës, apo duke ardhur më afër në kohë, si i Olldashit. Askush më mirë se ata nuk e di mërinë e kësaj hije të keqe, që duke u ulur nga shpellat e një barbarie politike, solli ndërkohë edhe shpellëzimin e politikës, taborizimin e saj.

Përse u bë demonstrata e së premtes në Tiranë? Duhet të jesh naiv të mos e dish se ajo nuk kishte asnjë lidhje me drogën. As me mbjelljen, rritjen, korrjen, tharjen, shitjen e transportimin e saj. As me Lazaratin si nocion i marijuanës, as me lazaratasit si koncept i bordit drejtues të drogës. Kushdo nga ata që ishin në qeveri e di fare mirë se fijet e kësaj tregtie nuk kanë lidhjen e tyre thjeshtë në një fshat, në një pjesë të vendit, por në vetë kupolën e tyre drejtuese, e cila, ashtu si kaloi përmes “lazaratasve” drejt strukturave policore, ashtu kaloi nga këto të fundit drejt njerëzve të qeverisë. Kushdo e di se e gjithë ajo që ishte ngritur deri tani kishte të bënte me qeverisjen, me njerëzit e saj, me bijtë biologjikë dhe politikë të Berishës dhe nuk do të mund të jetë e largët dita kur një e vërtetë e fshehur deri tani të bëhet publike. Atëherë pas saj do të bien edhe shumë ngrehina të mashtrimit të këtyre ditëve, të cilat në fakt kanë filluar të bien njëra pas tjetrës.

Trafikantët e drogës, të cilët nuk janë vetëm lazaratas, sepse as një plantacion dhjetëra herë më i madh se ky fshat jugor nuk do të mund të prodhonte aq drogë sa është prodhuar në këto vite, janë njerëzit që e kanë ditur para të gjithëve se një tregtar fillikat, qoftë edhe në formën e një fshati, e ka të pamundur të lëvizë në tregun e brendshëm dhe jashtë tij, të bëhet një treg i njohur ndërkombëtar, nëse nuk ka një mbështetje të organizuar shtetërore. Dhe kjo strukturë nuk mund të ngrihet për një ditë a dy, për disa muaj qeverisje, por kërkon kohën e saj, njerëzit e saj të kriminalizuar, të mbështetur nga politika dhe pjesë e saj, të cilët, duke pasur të hedhur mbi vete mantelin e shtetit, ishin të lirë të bëjnë edhe skemën e shpërndarjes, të lëvizjes dhe përqindjet e fitimit.

Nëse në tregun e Hollandës marijuana e Lazaratit, për nga cilësia dhe çmimi i saj, vjen menjëherë pas asaj të Afganistanit dhe kjo është ngulitur në treg prej viteve, kjo ka kërkuar kohën e saj, dhe këtë kohë e kanë pasur me bollëk ish-qeveritarët që lëviznin ditën e premte drejt njerëzve të frustruar, të cilët, duke e parë se e gjitha ajo protestë e pretenduar po kthehej në një farsë, e shndërruan atë në një ditë pikniku drejt Tiranës. Mjafton të shikosh fotot që kanë vendosur në rrjetet online “protestuesit” nga rrethet dhe do të ndjesh se e gjitha që po ndodhte ishte e keqja e një politike pa cak, pa ide dhe pa fryt.

Protesta e së premtes dhe njerëzit e ngujuar në një grevë urie, për të cilët ndjej keqardhje në përdorimin e tyre, nuk kishte asnjë lidhje me drogën, pasi gjysma e atyre që e kishin thirrur këtë protestë, deri pak muaj më parë, kishin qenë pjesë e rëndësishme e strukturave mafioze të përfitimit nga droga. Raporte të rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare, dhe të mediave serioze të huaja, kanë vënë gishtin mbi këtë plagë shumë kohë më parë, duke cilësuar mes tyre shumë figura të rëndësishme të politikës së djeshme në Shqipëri dhe drejtues të policisë së shtetit. Në raportet e dërguara drejt kancelarive të vendeve të tyre, shumica e misioneve diplomatike në Shqipëri, mes së cilave edhe ajo e Shteteve të Bashkuara, kanë cilësuar me saktësi njerëzit që orkestronin këtë rrjet mafioz, fajin e së cilës e hidhnin vetëm mbi një fshat, Lazaratin, duke fshehur plantacionet e krijuara në ato zona që i quanin si bastione të tyre të politikës dhe të votave. Le të sjellim vetëm një shembull: në Lazarat prodhohen zakonisht prej viteve rreth 900 ton kanabis, por në një vit policia e Berishës ka arritur të zërë vetëm 10 ton. Ku vajtën 890 ton të tjera? Dhe kjo vetëm në një vit. Po në tetë vitet e qeverisjes së Berishës? Po në zonat e tjera të kanabisit?

Zullumi i tetë viteve të rikthimit fatkob të Berishës ishin vitet e arta të ringritjes së perandorisë së hashashit në Shqipëri. Këtë e dinte krejt mirë Berisha, njeriu që di “gjithçka”, jo vetëm për atë që ndodh në jetën publike, por edhe në shtëpitë dhe në jetën private të kundërshtarëve politikë. Asnjë nga njerëzit e politikës nuk i ka shpëtuar halucinacioneve të tij, por thënë të vërtetën, sistemin e shërbimit informativ, sidomos gjysmë privat, ai e kishte dhe e ka ende, në shkallën më të lartë të mundshme, si një kopje e sigurimit të dikurshëm të shtetit. Pra, ai e dinte se Lazarati ishte “Kolumbia shqiptare e drogës”, si citonte Deutsche Welle më 1 shtator 2010 dhe si e tillë edhe ajo kishte Eskobarin e saj, por kësaj here tropojan. Ai e dinte se në Portalin e njohur në SHBA, GolbalPost, lajmi për Lazaratin ishte ndër dhjetë lajmet më të lexuara, e dinte po ashtu edhe cilësimin se “Kryeqyteti i hashashit në Europë nuk është Amsterdami”, apo cilësimet e tjera po kaq denoncuese të Frankfurter Allgemeiner Zeitung. E gjithë harta e kanabisit ishte në tryezën e punës së Berishës dhe të pasuesve të tij të besuar, ai e dinte mirëfilli lëvizjen e saj, kishte njerëzit e tij të komanduar, gjithçka ishte në vëmendjen e njeriut të fortë dhe kjo nuk është gjë e re dhe e panjohur. Në tetë vitet e qeverisjes fatkobe të tij, vendi u bë pasqyrë e atij që e drejtonte me dorë të hekurt, që hidhte në erë fabrikat e vdekjes dhe vriste gjakftohtësisht në mesin e bulevardit.

Tani, mizorisht, ky njeri bën thirrje për protesta kundër drogës. Ky është njëri ndër mjerimet e politikës në vendin tonë. Një njeri i çartur, mjeshtërisht i çartur dhe jo rastësisht i çartur, kërkon përmes trazirave të ndezë tritolin e tri gjërave të rëndësishme.

Të krijojë me aq sa mundet një situatë të egër në Shqipëri, situatë të përplasjeve të mundshme, duke synuar edhe më tej se kaq, përgjakjen. Këtë nuk e bën për herë të parë. Disa herë e ka provuar me sukses dhe ia ka arritur që pas tyre, të ngrejë urat e mërisë dhe njëkohësisht të pushtetit të tij. Dy prilli është njëri nga shembujt e paharruar, por jo i vetmi. Ajo është një ditë fillesë për ngjarjet e vitit 1997, kur në mënyrë makabre ngriti një pjesë të popullsisë kundër një pjese tjetër, duke ëndërruar fillesën e një lufte civile. Nëse nuk ia arriti, kjo nuk është meritë e tij, por humbja e tij e madhe.

Të largojë nga vetja dhe nga njerëzit e tij akuzat e mundshme të së ardhmes, të cilave, thënë të vërtetën, po u kalon koha me shpejtësi. Njëra ndër vonesat e mëdha të Partisë Socialiste është pikërisht kjo: mosndëshkueshmëria e krimit që ka ardhur nga ky njeri dhe nga njerëzit e tij. Në të vërtetë ky është edhe ankthi i përditshëm i tij. Ai nuk lë pas vetes asgjë tjetër që mund të mbahet mend. Ashtu si shumë paraardhës të tij, për të cilët njerëzit fillimisht kanë besuar se janë Mesia dhe pastaj janë bërë të qartë si Kaini, ky ka shkuar edhe më tej se kaq, pasi qeverisja e tij e tetë viteve të fundit hodhi poshtë çdo lloj miti që mund të kishte krijuar si figurë e pastër. Më në fund ai u shndërrua në një kanibalizëm të politikës. Ndjenja e dënimit të tij, e për më tepër të pinjollëve të tij, e ka egërsuar, por ky nuk është një egërsim jetëshkurtër, ai do të vazhdojë gjatë gjithë jetës së tij biologjike dhe do të uroja ta ketë të gjatë, që të ketë kohën e duhur për të marrë ndëshkimin e merituar.

Së fundi, ai është njëri ndër ata njerëz të politikës që nuk e do vendin e tij. Si duket, nuk e ka dashur kurrë. Lidhjet e tij të krushqisë mund të kenë ndikuar për këtë, por nganjëherë mëria ndaj vendlindjes është e brumosur kur ajo nuk të ka joshur në fillimet e jetës dhe nuk ta ka varur. I epshuar në synimet e tij, ai nuk i ka gjetur ato në rininë e parë, ndaj është kapërdisur më pas si një komunist besnik, më pas si një njeri i dyzuar, deri sa një natë mori rrugën për të qenë pjesë e historisë pluraliste, pas një urdhri të dhënë natën vonë në shtëpinë e Alisë. Duke mos e dashur Shqipërinë, ai nuk i do as ngulmimet e saj për të qenë ndryshe. Dy herë rradhazi në pushtet, sidomos herën e parë, ai i kishte mundësitë e një fillimi të ri, por u bë fillimi i një humbje të re tragjike.

Droga nuk ka të bëjë asnjë moment me protestën e ditës së premte dhe nuk ka të bëjë as me protestat e ardhshme. Dy mijë vetë në shesh mund t’i mbledhë kushdo, aq më tepër kur je drejtuesi i një bashkie të madhe. E pashë me vëmendje foton e një autobusi me protestues të ardhur nga qyteti i Shkodrës. Ishte gjysmë bosh, por në të ishin figura të mirënjohura përgjithësisht, disa nga të cilët do i bënin nder të gjithëve nëse do i kishin në mesin e tyre, por në fakt ata asgjë nuk i lidhte me një protestë droge. Ata janë në të drejtën e tyre të protestojnë kundër qeverisë, kjo është një e drejtë e pamohueshme, por nuk jam i bindur nëse staturat e tyre mund të lidhen me një njeri i cili kurrë nuk ka besuar tek njerëzit.

Historia e avionit të Divjakës i ngjan historisë së fundit të Berishës. I ngulur diku, me kokë në rërë, duke e ditur se gjithçka e bëri vetë, ashtu si këtë avion të vockël për një çështje të madhe.