protesta-pdSuela Topi/ Dorjana Bezat

“Rama ik” apo “Basha ik”, kjo ishte pikëpyetja që ngritën shumë qytetarë në fund të protestës së paralajmëruar të demokratëve. E gjitha kjo mori shkas nga numri krejt larg shifrave të paralajmëruar nga demokratët. Dje në protestën e demokratëve kishte me qindra protestues, por larg shifrës 150 mijë të deklaruar nga ish-kryeministri Sali Berisha apo dhe paralajmërimi për ‘organizimin e një prej protestave më madhështore që ka njohur Shqipëria’ të bërë nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Edhe pse shkoi vetë qytet më qytet dhe ngarkoi me këtë detyrë çdo strukturë të PD-së në rrethe, deputetët apo dhe koordinatorët, kryedemokrati mblodhi në shesh shumë më pak njerëz nga sa kishte premtuar dhe mes tyre pjesa më e madhe ishin punonjës të detyruar nga shefat e tyre për t’u bërë pjesë e protestës. Ndërkohë që këtë herë mungonin dhe lazaratasit që ishin të pranishëm në protesën e javës së kaluar.

Por për ish-kreun e selisë blu, Sali Berisha, kryeministri Rama zgjodhi të largohej i frikësuar nga protesta e 150 mijë qytetarëve të mbledhur në shesh. “150 mijë në shesh, Rama ja mbath nga zyra! Lum protestuesish, qindra, mijëra qytetarë të revoltuar firmosën në sheshin para kryeministrisë nekrologjinë politike të Ediskobarit në protestën e tyre madhështore “Rama ik”. Edvini i tmerruar nga protesta ia mbathi si frikacak nga zyra dhe la aty një badiguard të tij. Nderimin më të madh të të rejave, të rinjve, burrave, grave që me protestën e tyre lemeritën Ramën dhe klikën e tij të narkotrafikut. Beteja vazhdon! Lëvizja “Rama ik” vazhdon misionin e saj historik deri në përmbysjen e Ramës dhe aleancës së tij të qelbësirave të kombit”, – shkruan Berisha në rrjetin social facebook ndërsa e mbyll komentin me sloganin “Rama ik”.

Prapaskenat e protestës 

Shumë prej protestuesve që morën pjesë dje në protestën e organizuar nga Partia Demokratike duket se kishin një interes minimal për të qenë pjesë e saj. Të organizuar në grupe ata rrinin nën hijen e pemëve ose nëpër parmakët e trotuareve duke e lënë mesin e bulevardit të zbrazur. Pas përfundimit të fjalës së Lulzim Bashës protestuesit u larguan me shpejtësi nga bulevardi. Në këtë moment ranë në sy personat, të cilët kishin ardhur pa dëshirën e tyre në këtë protestë të shtyrë nga drejtorët e institucioneve ku punojnë. Drejtorët me lista në duar bënin apelin e punonjësve për të zbuluar kush nuk ishte në protestë. Thuheshin kritika për ata që nuk u treguan aktiv dhe qëndruan të fshehur.

Punonjëset e ujësjellësit Tiranë ishin gjatë gjithë kohës të shoqëruar nga një administrator, i cili i pajisi me tabela dhe u caktonte vendin se ku duhet të qëndronin. Ndërsa punonjëset e gjelbërimin u detyruan të qëndrojnë në bulevard derisa të bëhej apeli. Me bllok në dorë, drejtori, që punonjëset e gjelbërimit thërrisnin Beni, i kërcënonte këto të fundit se kush kishte munguar do të ndëshkohej. Të shqetësuar ishin edhe sekserët që kishin sjellë njerëz në protestë se kur do të shpërbleheshin. Po të njëjtin shqetësim kishin edhe drejtuesit e mjeteve që sollën protestuesit e rretheve, të cilëve u ishin premtuar 3.000 lekë si dhe një sasi nafte e cila do të merrej te Zogu i Zi.

Basha nuk shoqëron protestuesit

 Ndryshe nga protestat e tjera, Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk i shoqëruan protestuesit demokratë të mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku ishin thirrur të kërkonin dorëheqjen e Edi Ramës. Kryetari dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike pasi u takuan së bashku pas podiumit të ngritur në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dolën para tyre duke i përshëndetur me dorë. Në radhët e para ishin dhe disa deputetët demokratë si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Mesila Doda etj apo dhe aleatët e PD-së si Fatmir Mediu e Nard Ndoka. Pas fjalës së disa të rijve, Basha u ngjit në podium për të mbajtur një fjalim të gjatë para qindra protestuesve të mbledhur nën moton e protestës “Një popull në këmbë kundër drogës, Rama në shtëpi”. Kreu i demokratëve theksoi se shqiptarët janë bërë bashkë kundër drogës, për të treguar se kjo është Shqipëria e nderit, virtyteve dhe ligjit. Sipas tij mesazhi i protestës opozitare përcjellë dhe për ndërkombëtarët është që Shqipëria nuk është vendi i drogës. “Jemi këtu për këtë mesazh të madh që po u japim të gjithë bashkë Evropës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është narkotrafiku, por është populli i saj i lirë, nuk është as grushti i një oligarku droge por demokracia e saj. Edi Rama është kryeministri ende në detyrë që ka rënë moralisht ditën e rënies së avionit në Divjakë”, – tha ai duke e mbyllur fjalën me kërkëesën për dorëheqjen e kreut të qeverisë.

Bashkëshortët Lika: “Berisha” na shkarkoi dhe dhunoi në 2007-ën 

Dhunën fizike dhe psikologjike të përjetuar në ato vite, kërcënimet e eprorëve dhe propozimet e sekserëve për të blerë vendin e punës

Ish- kryeministri Sali Berisha gjatë daljes në media dje në çadrat e grevistëve pohoi se gjatë qeverisjes së djathtë ka pasur largime nga puna të punonjësve të administratës civile, por ato kanë ndodhur nën moton “qeveri e vogël”. Sipas tij këto pushime nuk kanë qenë politike dhe të pushuarve u janë bërë dy ose tre vërejtje. Mirëpo rasti që do të sjellim tregon se kjo nuk është aspak e vërtetë. Bashkëshortët Liman dhe Luljeta Lika jo vetëm që janë pushuar nga puna pa asnjë motivacion dhe vetëm se nuk kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike, por edhe janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht. 57-vjeçari Liman Lika ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit ku ka mbajtur disa poste. Megjithëse kishte 28 vite eksperiencë pune dhe asnjë shkelje ai përsëri u pushua nga puna në 30 qershor të vitit 2007 pa asnjë motivacion. Në librezën e punës i ishte shënuar “Shkurtim i pozicionit organik”.

Mirëpo pasi u largua ai nga puna vendin e tij e zuri një militant i Partisë Demokratike, i cili nuk kishte përgatitjen e duhur për këtë post. Pas largimit nga puna ai drejtoi disa kërkesa Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë mirëpo nuk u morën aspak parasysh. Sekserët që rrinin para Drejtorisë së Policisë Tiranë kërkonin 5000 euro për një vend pune në polici. Me ndihmën e shoqatës së Ushtarakëve ai hapi një proces gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese nga ku doli fitues, mirëpo ky vendim gjykate për t’u rikthyer në punë nuk u zbatua. Historia e zonjës Luljeta Lika është edhe më shqetësuese. Asaj i janë bërë presione të vazhdueshme për t’u bërë pjesë e Partisë Demokratike dhe për të angazhuar pranë kësaj partie edhe fëmijët e saj. Pasi ajo ka refuzuar ta bëjë këtë është pushuar nga puna.

Zonja Lika punonte pranë Parkut të Rendit Publik në një bar-bufe. Megjithëse kishte 24 vite punë ajo u shkarkua pa asnjë motivacion. Zonja pohon se shefi i personelit Syrja Hoxha dhe drejtori Ram Ruçi kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike kundër saj. Drejtori Ram Ruçi, i dërgonte me mesazh në celular zonjës: “Largohu. Tani do të hamë ne, ka ardhur dita jonë”. Luljeta Lika ka refuzuar të largohet nga vendi i punës dhe është ngujuar brenda bar-bufesë për rreth dy muaj. Drejtuesit e këtij institucioni ndërprenë energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm që Liljeta Lika të dilte nga ngujimi. Gjatë kësaj kohe ajo nëpërmjet mesazheve ka kërkuar ndihmën e kryeministrit Sali Berisha, e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli, ministrit të brendshëm, por asnjë përgjigje nuk iu kthye prej tyre. Në përpjekje për ta nxjerrë jashtë ambientit eprorët e zonjës Luljeta e dhunuan atë fizikisht. Këtë dhunë bashkëshorti i saj e denoncoi pranë komisariatit nr. 2, por asnjë efektiv policie nuk erdhi në vendngjarje. Shkarkimi i dy bashkëshortëve u krijoi atyre një situatë të keqe ekonomike dhe emocionale në familje. Në përpjekje për të rigjetur një vend të ri pune ata u përballën me një realitet të vështirë ku askush nuk i priste nëpër zyra dhe çdo punë ofrohej nëpërmjet një shume parash. Që prej vitit 2007 të dy bashkëshortët janë të pa punë dhe jetojnë vetëm me një pension prej 13600 lekësh. Duke ndjekur grevën e të larguarve nga administrata bashkëshortët Lika e ndjejnë të nevojshme t’i bashkëngjiten kësaj greve për aq kohë sa kauza është e njëjtë: Largimi për arsye politike nga puna.

Amulli në çadrat e grevës së urisë 

 Dje ishte dita e tretë e grevës së urisë për të larguarit nga administrata. Situata në çadra vijon të jetë jo e qartë pasi pati largime nga greva dhe futje të personave të tjerë në grevë. Në përfundim të ditës së dytë, gjatë orëve të mbrëmjes grevistja Mimoza Boçari e ndërpreu grevën dhe doli nga çadra. Po në orët e mbrëmjes ishte futur në çadër grevisti Mahir Reçi. Për këtë hyrje administratorët e grevës nuk dhanë asnjë informacion dhe deri në mesditë mediat raportuan 13 grevistë kur në çadra ishin 14 të tillë. Në nisje të ditës së tretë të grevës në çadra u futën edhe dy grevistë të tjerë, Leonard Strazimiri, i cili ka punuar pranë Shërbimit Social Shtetëror dhe Tonin Gjergj Kolthi, i cili ka punuar kryeinspektor pranë komisariatit në Kurbin. Grevistët janë vizituar shpesh nga mjekët e urgjencës së Tiranës të cilët kanë shmangur prononcimet për mediat. Situata shëndetësore e grevistëve ka qenë përgjithësisht e mirë. Problem ka shfaqur Gladiola Bardhoshi, e cila është transportuar në spital ku ka marrë asistencën e nevojshme mjekësore dhe është rikthyer përsëri në çadër. Sipas mjekëve gjendjen shëndetësore të grevistëve e përkeqëson qëndrimi i izoluar brenda çadrave.

Grevistët e shoqatës së të larguarve i mbajnë perdet e çadrës gjithmonë të mbyllura dhe ajri nuk qarkullon lirshëm. Situata brenda çadrës së tyre nuk është e kapshme nga syri i mediave. Perdet e kësaj çadre u hapën vetëm kur u zhvillua protesta në bulevard. Çadra e grevistëve që nuk janë pjesë e shoqatës është më transparente për syrin e publikut. Nisur nga aspirimi i keq i ambientit ku janë grevistët kanë dashur të lëvizin te çadrat ngjitur, të cilat vijojnë të jenë bosh, mirëpo pozicioni i vendosjes së tyre është i papërshtatshëm prandaj pritet që këto çadra të lëvizin në një pozicion më të favorshëm brenda rrethimit me shirit ku zhvillohet greva. Ashtu si dhe më parë grevistët janë vizituar nga shumë deputetë të Partisë Demokratike. Ish- kryeministri Berisha qëndroi pranë tyre rreth 30 minuta dhe pas daljes nga çadra u shpreh se kjo grevë është e vërtetë dhe shumë humane.

Ish-kryeministri i PD-së indiferent ndaj protestës antidrogë 

Kalon mes pak njerëzve të grumbulluar në krah të kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, i pashqetësuar aspak prej tyre, thjesht kujdeset që mos ketë makina ndërsa kalon kryqëzimin që ndan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me e rrugën në krah të Kryeministrisë. Madje duket se nuk i tërheq aspak vëmendjen as podiumi i ngritur në mes të bulevardit, muzika e lartë në sfond apo dhe reshti i policëve të vendosur para godinës kryeministrore.

 Ish-kryeministri demokrat, Aleksandër Meksi nuk merr mundimin as të kthejë sytë në atë pjesë të bulevardit ku po përgatitej nisja e “protestës së madhe” të partisë që e zgjodhi atë në krye të qeverisë nga viti 1992 deri në vitin 1997. Me një qese në dorë, si për rastësi e kuqe në ngjyrë, kalon qetësisht rrugën “Ismail Qemali” për të dalë në rrugën “Papa Gjon Pali II”.