Veriu si “mollë e ndaluar” dhe fushata shterpë e partive politike
Nga Astrit Gashi -Selfie, selfie, selfie!
Kjo është fushata e partive tona politike. Kanë menduar se syri i njeriut ndoshta ngopet me fotografi, por barku kërkon bukë. E buka e Kosovës ende prodhohet në masë të madhe me grurin e Serbisë e me kripën e zoti di kujt…!
Por, spo ndalem më shumë tek ushqimi dhe produktet tjera…! Dua të flas për të ashtuquajturit ‘liderucët’ tonë partiakë, për pafuqinë, servilitetin dhe fallcitetin e tyre! Ndonëse detyrat e tyre të kaluara ende si kanë përmbushur, ata janë hidhur në aksion për të na ofruar rrena nga më të ndryshmet, që janë gjithëçka përpos alternativë e mirë qeverisëse.
Na flasin për shtetin e kombin, për nevojën e bashkimit e integrimit me BE, e ende nuk kanë mundur të shkelin veriun, ku edhe aty jetojnë njerëz që kinse i përfaqësojnë. Ata, nuk dinë si duken sheshet e Mitrovicës! Ata nuk kanë ide se këto rrugë janë të emërtuara me emrat e atyre që na vranë e masakruan! Ndoshta edhe e dinë, por mbyllin sytë e gojën kur duhet folur! Si në rastin e sotëm me komandantët e UCK-së. Sikur kanë harruar se mu këta djem, dje dolën dhe luftuan për të na mbrojtur. Ndoshta, pas luftës mund të kenë devijuar nga rruga e drejtë, por sot ata po gjykohen për luftën e djeshme!
Dhe askush nuk u del në mbrojtje! Të gjithë hedhin vrer e helm! Sa të padenjë e të pacipë bëhen, kur nuk thonë asnjë fjalë se është e padrejtë të dërgohen në veri, aty ku ende është çerdhja e kriminelëve! I janë dorëzuar tërësisht EULEX-it. Mision i cili qe sa kohë në emër të drejtësisë po bën padrejtësi!
Sikur askush nuk pyet veten se sa procese gjyqësore i përfundoj me sukses ky mision?
Asnjë.. !!
Kënd e dënoi për vrasjen e 20 mijë civilëve në Kosovë!!?
Asnjë..!
A e mbrojti sovranitetin kur serbët i dogjën pikat 1 dhe 31…
Sigurisht se JO!!
A duhet ti besojmë ne këtyre që posa të përfundojnë mandatin punësohen në Beograd! A e qan kokën dikush, se kinse në emër të drejtësisë bartësit kryesorë të luftës sonë, po i dërgojmë në Veri, në duart e pushtetit të Beogradit.
A do të thotë kjo se ne nuk kemi as idenë më të vogël se çfarë ndodhë në Veri, kush e kontrollon atje Kosovën?
Ju, të vet-quajtur liderë partiakë pse nuk shkoni të mbani një tubim elektoral në sheshet e veriut?! Ju, të vet-quajturit liderë partiakë pse nuk shkoni të flisni atje, se këndej Ibrit jeni bërë si ‘Laruka e Asllanit’ që e lëshon m… ku e kur ti vie! Sa të mjerë dukeni! Për edhe një votë të vetëm ju jeni në gjendje të përuleni deri në çmenduri! Sa turp më vije për juve! Turpërohem edhe me juve votues që ende mendoni tu dhuroni ‘votën’ dhe ta leni jetën tua në duart e këtyre dështakëve.
Hapini sytë, sidomos ju drenicasit e anës sime, dhe mendoni mirë se kënd po e shpërbleni me votën tuaj! Mos lejoni që dëshmorët, bijtë tuaj ti dërgojnë në Veri, para se këta lideruc partiak të shkojnë vetë atje dhe të qirren si të marrë! Nëse nuk kanë guximin për të shkuar atje, bojkotoni ata të gjithë pa dallim partie! Bojkotoji të gjithë ata që për vota janë në gjendje të shkelin edhe mbi gjakun e dëshmorëve! Vetëm kështu të dashurit drenicasit e mi do të respektoni ata që na sollën lirinë! Dhe dijeni se kjo është zgjedhja më e mirë tani për tani, sepse veriu për këta liderucë ende mbetet ‘mollë e ndaluar’.