rexhep_qosjaGazeta 55 më 22 mars e botoi, me mbi 50 për qind të falsifikuar artikullin polemik të Fehmi Aganit për veprën time Morfologjia e një fushate. Në artikullin në fjalë të botuar në këtë gazetë janë ndryshuar, falsifikuar, shtuar a hequr fjalë, fjali, fragmente a pjesë më të gjata të shkrimit të Fehmi Aganit me titullin Testimonium paupertatis i R. Qosjes, i botuar më 24 maj dhe me 7 qershor 1980 në gazetën Rilindja. Në ditarin tim i jepet përgjigje artikullit polemik të Fehmi Aganit e jo falsifikimit kriminal të Gazetës 55 përplot gënjeshtra, shpifje dhe urrejtje me të cilat pronari i kësaj gazete qe shumë vjet e helmon opinionin shqiptar!
1.
Mos qofsha në lëkurën e atij, i cili nuk mund të pajtohet me jetën e këtillë çfarë është, me politikën e këtillë çfarë është. Sipas të gjitha gjasave, unë edhe jam në lëkurën e atij që nuk mund të pajtohet me jetën e këtillë çfarë është, me politikën e këtillë çfarë është. Prej fatit të Sokratit, po shihet, nuk kam mësuar asgjë! As prej fatit të Ovidit! As prej fatit të Volterit! As prej fatit të Bajronit!
2.
Më në fund gazeta Rilindja solli reagimin e parë ndaj librit tim, me të cilin pandërprerë vazhdon të merret çarshia, Morfologjia e një fushate. Nuk e prisja, në asnjë mënyrë nuk e prisja, se i pari me reagim do të paraqitej sociologu dhe politikologu, Fehmi Agani. Nuk është përmbajtur edhe pse ai nuk ishte protagonist, madje as personazh me rëndësi si më të dukshme në këtë libër. Pjesa e parë e artikullit të tij reagues, që kap tri faqe dhe dy shtylla të faqes së katërt, është botuar sot në Rilindjen e 24 majit, kurse pjesa e dytë, siç paralajmërohet, do të botohet më 7 qershor. Reagim pazakonshëm i gjatë, që dëshmon se edhe ndjenjat e reaguesit janë tepër të përflakura. Reagimi ka titullin Testimonium pauperitatis i R.Qosjes dhe është i botuar me shkronja posaçërisht të mëdha. Në përkthimin shqip titulli do të thotë Dëshmi e varfër e Rexhep Qosjes. Autori nuk e ka shkruar titullin shqip sigurisht për arsye se ka dëshiruar të paraqitet sociologjikisht dhe politikologjikisht, ndoshta edhe filozofikisht, më i dinjitetshëm para lexuesve të tij, gjithsesi në numër të paktë. Po ta kishte shikuar ndonjërin nga fjalorët e fjalëve të huaja do të kishte parë se fjala latine pauperitatis sikur nuk i rri mirë, në mënyrë përkatëse, titullit të reagimit të tij. Fjala latine pauper do të thotë i varfër, i pa mjete për jetë, lypës. Po t’i kishte lexuar thëniet latine pauperibus date, që do të thotë jepini të varfërve dhe pauper ubique iacet, që do të thotë i varfri gjithmonë e pëson, ndoshta do të kishte hequr dorë prej titullit latin.
Që në fillim të reagimit të tij, autori ynë, i njohur si trajtues dhe vlerësues dhe himnizues i rendit politiko-shoqëror dhe kushtetutar juridik jugosllav në të cilin jetojmë, librin tim e quan pamflet dhe e quan pamflet i bindur se me atë fjalë, emër, kuptim e nënçmon dhe e zhvlerëson. Pamfleti për të është tip, lloj, shkrimi i pa kurrfarë vlere! Ka harruar, në qoftë se do t’i ndodhej afër, të shikojë Fjalorin e shqipes së sotme, në të cilin shkruan se pamfleti është “shkrim i shkurtër satirik, me temë aktuale, që godet ashpër një njeri a një shfaqje të jetës shoqërore e politike”. Libri im, ndërkaq, nuk është shkrim i shkurtër satirik, po shkrim i gjatë, shumë i gjatë, prej 370 faqesh, që godet, vërtet, ngjarje të jetës shoqërore, politike e kulturore dhe njerëz që i prodhojnë ato ngjarje, të bëra e veprime politike. Domethënë: politikologu dhe sociologu ynë e përdor fjalën pamflet pa e ditur kuptimin e saj të vërtetë.
Ka harruar, në qoftë se do t’i ndodhej afër, të shikojë ndonjërin nga fjalorët jo të paktë të fjalëve të huaja të botuar në gjuhën serbokroate, në të cilët shkruan se pamflet quhet vepra e shkruar (artikull, broshurë a afishe) me temë aktuale që në trajtë të ashpër, akuzuese përqesh ndonjë vetje a dukuri në jetën shoqërore dhe politike.
Ja si e fillon reagimin e tij autori Fehmi Agani ndaj “pamfletit” tim, në të vërtetë, ndaj librit tim:
“Pamfleti u botua dhe u shit shpejt dhe u lexua ”me ëndje”si e parashihte autori. As që mund të ishte ndryshe veçanërisht kur dihet se që në parathënie paralajmërohet përshkrimi i një meçi a ndeshjeje shumëvjeçare, madje i një proporcioni të paparë: një me pesë! Paralajmërimi tjetër, që në parathënie, se autori e kishte shkruar librin zgërdhishëm, do të thotë “me buzë në gaz, shtonte doemos kureshtjen dhe interesimin”.
Sikur t’i përgjigjesha këtij shkrimi të Fehmi Aganit pashmangshëm do të shtrëngohesha të merresha me kulturën e tij të shkrimit shqip; por nuk duhet t’i përgjigjem: vetë libri Morfologjia e një fushate është përgjigje e mjaftueshme ndaj atyre artikujve që janë shkruar dhe do të shkruhen kundër meje dhe kundër ideologjisë simë gjithëkombëtare, që zhvlerëson politikën e tyre guberniste, prej pjesëtarëve të klanit, ideolog i të cilit është sociologu dhe politikologu ynë Fehmi Agani
Në këtë ditar duhet të shënoj bindjen se pikënisja reaguese e Fehmi Aganit është intelektualisht dhe moralisht e palejueshme. Ai nuk bën reagim të intelektualit; ai nuk bën polemikë të krijuesit: ai bën reagim të politikanit stalinist që me çdo mjet do të donte të nxiste pushtetarët për dënimin e kundërshtarit politik. Pikënisja e tij, prandaj, mund të quhet plotësisht e gabuar, e palejueshme moralisht: ai merret me unin tim gati më shumë se me idetë dhe pikëpamjet e mia. Dështimi i tij moral është aq më i madh sepse ai merret me “projeksionet patologjike”, me “imagjinatën e sëmurë” dhe me “pasionin psikopatik”, si e thotë, të unit tim! Dështimi i tij moral është edhe më i rëndë, sepse ai, mbas “degradimit” psikanalitik të unit tim – thuajse ka studiuar teorinë psikanalitike të Frojdit në Shkollën e Lartë Partiake të Stalinit, kërkon shkoqur likuidimin tim politik dhe shoqëror dhe e kërkon këtë likuidim duke vënë në dukje, me theks alarmues, domethënë me theks kushtrimi, fajin tim ‘të “rëndë moral, politik, antishtetëror, dhe penal” me rastin e botimit të Morfologjisë së një fushate! Nocionet psikanalitike me të cilat Fehmi Agani më shpall “delikuent” politik, nocionet politiko morale me të cilat e shpall të ndaluar veprën time Morfologjia e një fushate, nocionet sociologjike dhe politikologjke me të cilat bën vlerësime e zhvlerësime të ideve e qëndrimeve të mia – të gjitha këto dëshmojnë se reagimi i tij ndaj meje, në të vërtetë ndaj librit tim, është një nga ato llojet e reagimeve që mësoheshin dikur, në Mesjetën e vonë, në shkollën e Inkuizicionit, apo një nga ato llojet e reagimeve që mësoheshin në shkollën e Stalinit. Siç dihet tashmë edhe prej lexuesve tanë që kanë kryer fakultet, në kohën e Stalinit intelektualët që e merrnin guximin të thoshin ndonjë fjalë kritike për regjimin e Stalinit, si unë tani për regjimin e pasardhësve të Rankoviqit, që merrnin guximin të thoshin ndonjë fjalë kritike për ndonjërin nga propagandistët e atij regjimi, më së shpeshti u nënshtroheshin analizave të ashtuquajtura patologjike, në të cilat flitej, siç flet shoku Fehmi Agani, për mua: për “projeksionet patologjike”, për “imagjinatën e sëmurë”, për “pasionin psikopatik”, të tyre e, pastaj, mbasi shpalleshin kështu të rrezikshëm në pikëpamje politike dhe shoqërore, çoheshin në të ashtuquajturat psihushka, domethënë në të ashtuquajturat spitale, në të cilat do të duhej të bëhej riedukimi i tyre politik, natyrisht me dajak! Nuk ka dyshim se me mjetet që përdor në reagimin e tij, me nocionet në të cilat e mbështet këtë reagim, sociologu dhe politikologu ynë, shoku Fehmi Agani, më së pari ka folur për vetveten – kush është e, pastaj, për mua kush jam. Në të vërtetë ai edhe nuk ka mundur të tregohet ndryshe, të reagojë ndryshe: ai me nocione psikanalitike, domethënë mesjetare dhe me nocione ideologjike e politike staliniste vazhdimisht i lufton kundërshtarët e tij prej se e njoh unë dhe prej se e njohin të tjerët. Meqenëse opinioni ynë, me të drejtë, nuk i pranon lehtë mjetet dhe nocionet e tilla, në njërën anë, mesjetare, e, në anën tjetër, staliniste, është e kuptueshme pse edhe një numër i tyre që nuk pajtohen me “sharjet” në librin tim, Morfologjia e një fushate, tani janë kthyer në anën time. Përgjigjja e Fehmi Aganit pa dashjen e tij bëhet kështu vlerësimi më i mirë i librit tim: po unë me të kam dashur, në radhë të parë, të luftoj censurat politike, përndjekjet politike, jugosllaviste, që prej organeve pushtetore dhe prej klaneve të lidhura me ato organe cenojnë rëndë lirinë e mendimit dhe të shprehjes në jetën tonë krijuese. Ka harruar sociologu dhe politikologu ynë se goditjet që intelektuali i jep vetes janë shumë më të rënda se goditjet që mund të t’i japin të tjerët!
Duke folur për mua autori ynë Fehmi Agani shumë më tepër dhe shumë më qartë foli për veten e tij. E falënderoj.
3.
-Kundërshtarët janë atribut i domosdoshëm dhe, madje, përforcues i çdo personaliteti, thotë Tomas Mani.
Sa domethënëse është kjo fjali për një autor si unë që gjendet i detyruar të shkruajë një libër siç është Morfologjia e një fushate, dhe sa domethënëse është kjo fjali për një autor si unë ndaj librit të të cilit bëhet fushatë politike siç po bëhet këto ditë ndaj librit tim Morfologjia e një fushate!
4.
Në numrin e 1 qershorit të gazetës së përdyjavshme Fjala u botua reagimi i dytë ndaj librit tim Morfologjia e një fushate. Kësaj radhe e quan të nevojshme, dhe të arsyeshme, dhe, sigurisht, të obligueshme ndaj atyre që e kanë obliguar, që për mua, për librin tim të reagojë kryeredaktori i Rilindjes, Fadil Bujari. Meqenëse në gazetën që e kryeredaktoron ai, në Rilindje, ka reaguar me shkrimin e gjatë Testimonium pauperitatis i R.Qosjes, miku i tij, Fehmi Agani, ky kryeredaktor, Fadil Bujari, do të reagojë në të përdyjavshmen Fjala. Këmbim interesant me domethënie politike dhe kulturore: sociologu dhe politikologu, Fehmi Agani, më sulmon në gazetën politike, Rilindja – organ i Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës, ndërsa kryeredaktori i kësaj gazete, i Rilindjes, Fadil Bujari, më sulmon në gazetën për çështje shoqërore, kulturore, letrare e të tjera, Fjala. Është kjo një taktikë përndjekësish politikë jo pa domethënie.
Artikulli i këtij farë Fadil Bujari prej fillimit e deri në fund mbështetet në gënjeshtra, në shpifje dhe në fyerje! Shkrim banal me gjykimin, banal me gjuhën, banal me stilin – shkrim i një analfabeti, i cili as fakultet nuk ka arritur të kryejë, por kryeredaktor i gazetës më të rëndësishme komuniste në Kosovë, i Rilindjes, ka arritur të bëhet! Siç shihet më sulmon më egër se miku i tij, Fehmi Agani, edhe pse në librin tim, Morfologjia e një fushate, nuk përmendet fare!
Ç’t’i bësh! Të gjitha këto sulme, të të gjithë këtij rangu politik e shoqëror dhe të këtij niveli kulturor e gjuhësor, i shikoj si pjesë përbërëse të fatit të shkrimtarit, i cili ka vendosur të bëhet shkrimtar jo për shkak të honorarëve, po me qëllim të zbulimit të të këqijave shoqërore, politike dhe morale.
Ç’t’i bësh! Kur fataliteti bën të mundshme që kryeredaktor i të vetmes gazetë politike e shoqërore të emërohet një njeri siç është ky farë Fadil Bujari, i cili vetë e thotë se, si kryeredaktor më së shumti kujdeset sesi do të paraqiten në gazetë fotografitë e udhëheqësve politikë shqiptarë, serbë e jugosllavë në përgjithësi, atëherë çiftit tim mund t’i ndodhë gjithçka – edhe kjo që po i ndodh sot e që mund t’i ndodhë edhe më zi – nesër!
Artikulli i tij, ç’është e vërteta, i shkruar me qëllim që të më fyejë, vetëm sa më argëtoi! Pse të mos më argëtonte? Si një shqiptari të ardhur prej Malit të Zi, si një ardhacaku si më quan ai mua në shkrimin e tij, më mohohet e drejta të jem qytetar dhe intelektual në Kosovë! Shqiptarë prej të gjitha viseve shqiptare dhe të të tri feve shkojnë në Amerikë dhe bëhen qytetarë amerikanë të barabartë, me të gjitha të drejtat, plotësisht të barabartë me të gjithë amerikanët e tjerë. Mua këtu, ndër shqiptarët e mi, prej kretenëve siç është kryeredaktori i të vetmes gazetë politike në Kosovë dhe siç janë disa nga rrogëtarët e klanit që më përndjekin, këto të drejta më mohohen në thelb! A është e mundshme! Sa shumë do të duhej t’i ndëshkonte ardhmëria jonë mendjet e tilla tribaliste, lokaliste, fisnore, primitive, servile politike, reaksionare! Hajde e mos plas prej gazit e prej marazit!
Do të duhej të isha i shqetësuar e i dëshpëruar po të mos sulmohesha, fyhesha e quhesha ardhacakë prej një kreteni siç është ky farë Fadil Bujari dhe siç janë punëdhënësit e tij të klanit që më përndjek me vite duke vuajtur se kam ardhur në Kosovë!
5.
U botua edhe pjesa e dytë, në të vërtetë vazhdimi i dytë, i shkrimit të politikologut dhe sociologut tonë, Fehmi Agani, kundër meje. Ky vazhdim i artikullit të tij ka një ndryshim të dukshëm në krahasim me pjesën e parë: tani, në këtë pjesë, të dytë, ai ka hequr dorë nga metoda “psikanalitike” dhe është përqendruar kryekëput në metodën politike për likuidimin tim nga jeta jonë kulturore! Sigurisht ia ka mbushur vetes mendjen se me metodën psikanalitike e ka kryer një pjesë të punës për këtë likuidim, prandaj tani, në pjesën e dytë, ka vendosur ta çojë deri në fund qëllimin: të arrijë vdekjen time politike që do të sillte vdekjen time krijuese! Në mjedisin tonë nuk flitet kot për përshtatshmërinë dhe papërshtatshmërinë moralo-politike të njerëzve. Po u shpalle i papërshtatshëm politikisht domethënë se vetvetiu je shpallur i papërshtatshëm edhe moralisht. Metoda “psikanalitike” me të cilën synohet komprometimi psikik i njeriut është metodë e vënë në shërbim të metodës politike. Pikërisht si në kohën e Stalinit në Bashkimin Sovjetik. Nuk besoj se Fehmi Agani kësaj radhe ka pasur sukses. Në qoftë se metoda e diskreditimit psikik është treguar e gabueshme për qëllimin e tij – sepse kriter për vlerësimin e shëndetit psikik, mental të njeriut është vepra e tij, sepse, siç thotë Hegeli, njeriu është seria e veprave të veta, është e kuptueshme pse tani, në vazhdimin e dytë, i është kthyer metodës së likuidimit politik! Summa sumarum, artikulli i këtij politikologu dhe sociologu jugosllavist është dëshmi se sa lehtë dhe se sa shpejt intelektuali ynë përdor të gjitha mjetet e mundshme, madje, edhe mjetet politike, që janë shumë komprometuese për atë që i përdor, për të qëruar hesape me ata që mendojnë ndryshe! Të them sinqerisht, tamam të këtillë nuk e kisha menduar Fehmi Aganin. Kam menduar se sjelljet e tij gjithnjë duarfërkuese e puthadorëse nuk janë të privuara prej ndjenjash demokratike. Por, po shihet, e kam shikuar dhe e kam kuptuar gabimisht. Nuk e kam ngrënë një thes kripë me të, prandaj edhe nuk kam arritur ta njoh. Nuk thuhet kot se kush është kush më së miri kuptohet kur është i hidhëruar dhe kur është i dehur! Fehmi Agani e ka shkruar i hidhëruar apo edhe i dehur shkrimin Testimonium pauperitatis i R.Qosjes, e ka shkruar në të vërtetë i dehur prej hidhërimit. Nuk jam i lumtur pse Fehmi Agani është hidhëruar aq shumë në mua për shkak se e kam përmendur dy-tri herë jo aq kritikueshëm në Morfologjinë e një fushate.
6.
Artikulli i botuar në të përdyjavshmen Fjala, që e ka shkruar kundër meje ai farë kryeredaktori i gazetës Rilindja, Fadil Bujari, e ka treguar qartë, shumë qartë, tragjikisht qartë, njërin prej motiveve të forta të fushatës kundër meje: lokalizmin! Çarshia po flet shumë për shprehjen më emocionuese të artikullit të tij: “i importuar”, domethënë po flitet shumë për Rexhep Qosjen e importuar prej Malit të Zi në Kosovë! Thuhet se në titullin e dorëshkrimit ishte përdorur togfjalëshi “shqiptar i importuar”, por redaktori i Fjalës kishte kërkuar prej tij që ta hiqte këtë togfjalësh nga titulli. Pavarësisht prej shprehjes së cituar “i importuar” dhe prej togfjalëshit të munguar “shqiptar i importuar”, në artikullin e kryeredaktorit të Rilindjes, Fadil Bujari, shquan fort trashtina lokaliste, fisnore, sociologët evropianë do të thoshin, injoranca tribaliste. Në të vërtetë parulla të tipit “shqiptar i importuar” për shqiptarët e ardhur në Kosovë nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia qarkullojnë tani e sa vjet në kulturën tonë dhe ato janë fryt i zi i atyre që nuk lënë mjet pa përdorur për pushtimin e hapësirave të interesit në këtë kulturë. Dhe, në mjetet e informimit. Nuk ka dyshim se këto nuk janë parulla të popullit, parulla që përdor populli, që përdorin shqiptarët e zakonshëm në Kosovë. Jo. Këto janë parulla që përdorin vetëm disa nga intelektualët, në të vërtetë nga gjysmë apo nga çerekintelektualët, me përkushtim jugosllavist, të cilët, për shkak se nuk janë të suksesshëm në krijimtarinë shpirtërore, bëjnë çmos që të jenë të suksesshëm në pushtetin që do të sundojë krijimtarinë shpirtërore!
Ndasitë, sado të mbuluara, shpesh jo plotësisht suksesshëm, fetare; ndasitë krahinore, aspak të mbuluara; ndasitë fshatar – qytetar, shpesh të përsëritura, dhe ndasitë klasore, thuajse të nënkuptuara në sjelljet e gjysmëintelektualëve e çerekintelektualëve – këto janë prodhimet e “kulturës” sonë të politizuar sidomos, prej viteve shtatëdhjetë e këndej! Kur u dobësua sadopak shtypja e Serbisë pas Plenumit të Brioneve të mbajtur në vitin 1966, ja ne ia shtuam shtypjen njëri – tjetrit! Kjo është sjellje kundërhistorike e njerëzve politikisht, moralisht dhe kombëtarisht ende të papjekur sa duhet e si duhet! Shkrimi i kryeredaktorit të Rilindjes, Fadil Bujari, sigurisht i porositur prej pjesëtarëve të klanit, në të vërtetë prej ideologëve të klanit, në radhë të parë prej mikut të tij të ngushtë shumëvjeçar, Fehmi Aganit, ideologji e të cilëve janë jugosllavizmi dhe tani lokalizmi, tregon qartë se lufta e rilindësve tonë të mëdhenj kundër të këqijave të brendshme të kombit shqiptar – kundër ndasive fetare, kundër ndasive krahinore, kundër ndasive dialektore, kundër ndasive klasore ende nuk ka marrë fund. Po shihet se kam pasur iluzione, natyrisht jo vetëm unë: kam pasur iluzione se plagët e mëdha, dhembjesjellëse të së kaluarës, janë shëruar. Jo: nuk janë shëruar, as, si po shihet, nuk do të shërohen lehtë e shpejt.
Iluzionet janë të dëmshme.
Sikur shtypi ynë të ishte vërtet i emancipuar, sikur shtypi ynë të mos ishte në masë të madhe i uzurpuar prej disa lokalistëve të verbër, dhe prej një klani, sikur shtypi ynë të ishte shtyp i drejtuar prej njerëzish me shikime gjithëkombëtare, të liruar prej verbërisë lokaliste, politike dhe ideologjike, atëherë, ky shtyp do të duhej t’u vërsulej pamëshirshëm armiqve të vjetër, tradicionalë të kombit shqiptar: ndasive fetare, ndasive krahinore, ndasive dialektore, ndasive klasore.
Si mund të jetë kryeredaktor i gazetës së vetme politike në gjuhën shqipe në Kosovë një njeri si ky farë Fadil Bujari me kufizim të tillë gubernist, me paragjykim të tillë të marrë lokalist? Si mund të jetë bërë kryeredaktor i gazetës së vetme politike në gjuhën shqipe në Kosovë një njeri i tillë i cili të gjithë shqiptarët e ardhur në Kosovë prej Malit të Zi e prej Maqedonisë nuk ngurron t’i pagëzojë shqiptarë të “importuar” vetëm djalli dhe i biri i tij mund ta dinë! Si mund të jetë pranuar kryeredaktor një njeri i tillë, kush do ta ketë bërë kryeredaktor një krijesë të tillë të lindur e të rritur në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili me aq përkushtim, me aq marrëzi lufton kundër idealeve të asaj Lidhjeje, është e pamundur të merret vesh!
7.
Si cenues të “bashkimit-vëllazërimit” midis intelektualëve të të gjitha profesioneve, prandaj edhe të të gjitha “kombeve e kombësive” ka filluar të më sulmojë edhe njëfarë Kuliqi, serb, mik i njohur i Fehmi Aganit, që është pedagog në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik. Kush ia mbushi mendjen këtij Kuliqi të çohet ashtu kundër meje sado kurrë dy fjalë nuk i kemi bërë njëri me tjetrin – të këqija as të mira?
Kush tjetër pos sociologut dhe politikologut tonë!
8.
E mbarova edhe përgjigjen në artikullin e kryeredaktorit të Rilindjes, Fadil Bujari, kundër meje, të botuar në të përdyjavshmen Fjala. Tani, duke e shkruar këtë përgjigje, e vërejta edhe më qartë, edhe më dëshpërueshëm, edhe më argëtueshëm se sa i rëndë dhe, njëkohësisht, intelektualisht i marrë është ai artikull i botuar në Fjalën kundër meje. Po në këtë artikull janë shprehur ide raciste, ide raciste të një bashkim-vëllazëruesi të lindur e të rritur në Prizren, ku tradicionalisht janë çmuar turqit dhe serbët dhe janë nënçmuar shqiptarët – katundarët! Ky racist nuk ngurron të më quajë njeri të “importuar” nga “shkrepat” e Malit të Zi, që ka ardhur në Kosovë “duke sjellë me vete zbrazëtinë e skamjen shpirtërore – trashëguar nga loja e çuditshme e kromozomeve të gjithëpushtetshme dhe nga koprracia e pa mëshirshme e natyrës”! Si ka lejuar Redaksia e Fjalës, e përbërë prej katër shkrimtarësh dhe një publicisti – hiq kryeredaktorin si injorant i dëshmuar që është – të botohet një marrëzi e këtillë që tingëllon aq raciste? Ja, ka lejuar kjo Redaksi të botohet edhe ky shkrim i turpshëm dhe ka lejuar, sigurisht, për shkak të trysnive të cilave u është nënshtruar prej klanit që më përndjek! Ajme për ne kur në revistat letrare, kulturore, sikundër është Fjala, mund të botohen shkrime në të cilat në mënyrë aq primitive mund të shprehen edhe ide lokaliste, që tingëllojnë si raciste, ide lokaliste aq të dëmshme për njësinë tonë kombëtare sot.
Pikërisht pse shkrimi i kryeredaktorit të Rilindjes kundër meje është i tillë çfarë është – i marrë, unë bëra një përgjigje kryekëput intelektuale, të matur, por që në thelb i komprometon idetë dhe ndjenjat e këtij farë kryeredaktori me sponsoruesin e tij, Fehmi Agani.
Si as përgjigjen ndaj shkrimit të këtij kryeredaktori të Rilindjes ashtu as shkrimin ndaj artikullit të sociologut e politikologut, Fehmi Aganit, nuk do të m’i botojnë. E di. Dhe nuk m’i botuan.
9.
Duke shkuar në punë e blej Borbën e sotme.
Më ngjitet në sy artikulli me titullin Naučno delo ili pamflet, që në përkthimin shqip do të ishte Vepër shkencore apo pamflet. E ka shkruar korrespondenti i kësaj gazete, i gazetës Borba në Prishtinë, i quajtur Murteza Daci. Sa herë kaloj nëpër qendrën e Prishtinës e shoh këtë gazetar; dhe, të shumtën e herëve e shoh në shoqëri me sociologun dhe politikologun, Fehmi Aganin. Qëllimi i artikullshkruesit është, si e thekson edhe vetë, që me këtë shkrim të informojë opinionin e gjuhës serbokroate për diskutimet që ka nxitur në Kosovë vepra e autorit Rexhep Qosja, Morfologjia e një fushate dhe ta informojë siç dëshiron Fehmi Agani!
Artikulli Vepër shkencore apo pamflet është artikull i shkruar mjerueshëm dobët; artikulli Vepër shkencore apo pamflet është, nga pikëpamja intelektuale dhe kulturore i shikuar, artikull naiv; por artikulli Vepër shkencore apo pamflet, i shikuar nga pikëpamja politike dhe morale, është artikulli qëllimzi, me të cilin autori përpiqet të më shpallë delikuent politik. Korrespondenti i Borbës, Murteza Daci, prej fillimit e deri në fund të artikullit të tij, i komenton dy artikujt më të rëndë, më akuzues, më cenues të shkruar kundër meje: artikullin e Fehmi Aganit, Testimonium pauperitatis i R. Qosjes, të botuar në gazetën Rilindja, dhe artikullin e kryeredaktorit të gazetës Rilindja, Fadil Bujari, me titullin Një pamflet plot insinuata ose dërdëllisje maratonike të Rexhep Qosjes në Morfologjinë e një fushate, të botuar në gazetën e përdyjavshme Fjala.
Është e çuditshme, shumë e çuditshme, sesi atakuesve të mi të fundit, Fehmi Aganit dhe Fadil Bujarit, nuk u kanë mjaftuar sulmet që më bëjnë në gjuhën shqipe para opinionit tonë, shqiptar, por kanë dashur të më sulmojnë edhe në gjuhën serbokroate, para opinionit serb dhe kroat dhe për realizimin e këtij qëllimi e kanë gjetur njeriun më të përshtatshëm, më të gatshëm, politikisht, më të mbathur: korrespondentin e gazetës së Beogradit Borba, bashkëpunëtorin e vetëdeklaruar të Sigurimit të Brendshëm Shtetëror (UDB-së) para Plenumit të Brioneve, Murteza Dacin. Ndihmomë, Zot! Ai është mjeti i tyre e ata janë UDB-ja e tij e tanishme!
10.
Më bie në dorë gazeta e Beogradit Književne novine e datës 26.7.1980, në të cilën gazetari i gazetës serbe të Prishtinës, Jedinstvo, Ismet Markoviq, boton artikullin me titullin Mozaiku kosovar, në të cilin shkruan për reagimet e botuara në gazetën Rilindja dhe në të përdyjavshmen Fjala ndaj librit tim Morfologjia e një fushate. Ky artikull është dukshëm më i gjatë sesa artikulli, në të vërtetë informata, që po i njëjti autor kishte botuar në të njëjtën gazetë, në Književne novine, me rastin e botimit të Morfologjisë së një fushate. Në qoftë se herën e parë, në shkrimin e parë, nuk kishte ngurruar të më fyente me sensacionalizmin e shkrimit të tij, duke mos shfaqur aspak interesim për konceptet teorike dhe rëndësinë kulturore të librit, tani më fyen me qëndrimin e tij atakues ndaj meje dhe favorizues ndaj sulmuesve të Morfologjisë së një fushate! Megjithëse ky gazetar i gazetës serbe, Jedinstvo, nuk e di shqipen, në artikullin e tij Mozaiku kosovar jepen të përkthyera prej shqipes në serbokroatishte pikërisht fjalitë më rënduese ndaj meje si nga shkrimi i Fehmi Aganit Testimonium pauperitatis i R.Qosjes, i botuar në gazetën Rilindja dhe nga shkrimi i Fadil Bujarit Një pamflet plot insinuata ose dërdëllisjet maratonike të Rexhep Qosjes në Morfologjinë e një fushate, të botuar në të përdyjavshmen Fjala. Ky farë Markoviqi “përkthen” pasuset në të cilët fyhet rëndë dinjiteti im krijues dhe moral, në të cilët vihet në pikëpyetje përgjegjësia ime profesionale e politike për shkrimin e një libri të tillë, por, çuditërisht, i hesht pasuset në të cilët kërkohet ndëshkimi im politik dhe penal si dhe pasuset në të cilët shprehet lokalizmi i dy artikullshkruesve në fjalë, që bën pjesë në motivet e fushatës kundër meje. Po të ishte ky farë Markoviqi autori i vërtetë apo, të shprehem më qartë, autor i vetëm i artikullit Mozaiku kosovar, po të kishte zgjedhur ai vetë pasuset e cituara, pa dyshim do të shquante pikërisht ato pjesë, në të vërtetë ato pasuse me të cilat cenohet rëndë liria ime e mendimit dhe e shprehjes, sepse në to kërkohet ndëshkimi im politik dhe penal. Sado për mua është më mirë pse nuk e ka theksuar fare atë fjalinë e turpshme në artikullin e kryeredaktorit të Rilindjes, Fadil Bujari, për “importimin” tim prej “shkrepave” të Malit të Zi, sepse ashtu, po ta shfrytëzonte, do të më bënte pretekst të një argumenti politik që nuk u shërben përpjekjeve tona për emancipim sa më të plotë kombëtar dhe kulturor, nuk ka fare dyshim se po të mos ishte i korruptuar prej dikujt nga gazeta Rilindja apo nga Redaksia e Botimeve, ai këtë argument do ta shfrytëzonte me qejf! Dhe, do ta shfrytëzonte qoftë edhe për shkak se ai argument i përdorur prej një taravoli, në të vërtetë të një kreteni lokalist siç është Fadil Bujari flet edhe për statusin e tij si gazetar i importuar! Meqenëse ky farë Markoviqi shkruan vjersha dhe e quan veten poet, jam i sigurt se së shpejti, brenda një apo, shumë shumë, dy vjetësh, ndonjë përmbledhje e tij poetike do të botohet në shqip nga Redaksia e Botimeve e Ndërmarrjes Gazetare, Botuese dhe Grafike Rilindja. Pse jo? Nuk do të jetë hera e parë që në socializmin tonë vetëqeverisës përkushtimet, sidomos, shërbimet e disa njerëzve blihen me para shoqërore! E, siç dihet, për shërbimet e gazetarëve, as totalitarizmi, as demokracia nuk kursejnë kurrfarë parash. Në qoftë se, ndërkaq, hasin në gazetar kokëfortë që nuk blihet me para, atëherë edhe totalitarizmi komunist, edhe demokracia kapitaliste shfrytëzojnë mjete të tjera me të cilat i bëjnë rrogëtarë të vet.
Artikulli i botuar në gazetën e Beogradit, Borba, më 17 korrik, në të cilin theksohet përgjegjësia ime politike si autor i librit Morfologjia e një fushate dhe, tani, artikulli i botuar në gazetën tjetër të Beogradit, Književne novine, më 26 korrik, në të cilin hapur mbrohen qëndrimet e atyre që më sulmojnë mua dhe librin tim, dëshmojnë qartë se klani, tani, i ka zgjeruar dhe i ka thelluar përpjekjet për likuidimin tim profesional, moral dhe politik jo vetëm para opinionit kosovar, por edhe para opinionit jugosllav.
Me angazhimin e këtij Fadil Bujari, të këtij Daci, të këtij Kuliqi dhe të këtij Markoviqi, sociologpolitikologu Fehmi Agani, i cili gjithë jetën e lapsit të tij deri sot ia ka kushtuar shkrimeve për Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, vetëqeverisjen jugosllave, bashkim-vëllazërimin, barazinë e kombeve e kombësive dhe shkrimeve kundër Shqipërisë, e kompletoi ekipin e kombeve e kombësive “të barabarta” për përndjekjen time politike!
Përpara neostalinista!
Përpara gubernista!
Përpara jugosllavista!
Do të korrni sukses të përkohshëm.
(Fragmente nga vëllimi i tretë i Ditarit të Rexhep Qosjes që do të botohet këtë pranverë)
Ditari i Qosjes: DËSHMITAR NË KOHË HISTORIKE
Rexhep Qosja qe një kohë është duke e bërë gati për botim Ditarin e tij, që e mbante prej vitit 1966 e deri sot. Në dorë tani e ka vëllimin e pestë të këtij Ditari. Duke pasur parasysh gjithë fletoret me shënime, Ditari i tij do të ketë më shumë se pesë vëllime.
Në Ditarin e Rexhep Qosjes trajtohen ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike, kulturore para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në ish-Jugosllavi e në botë.
Ngjarjet që kanë sjellë viti 1966, vitet historike 1968 e 1981, formimi i partive të reja politike pas rënies së komunizmit, politika e tyre, formimi i UÇK-së, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe qëndrimet e figurave të ndryshme politike e intelektuale ndaj Shqipërisë janë ngjarje me përkushtim të posaçëm në këtë ditar.
Në Ditarin e tij Rexhep Qosja tregon se si krijonte, çka krijonte, çka lexonte, cilët krijues kombëtarë dhe botërorë i çmonte dhe i donte më shumë.
Në Ditarin e tij kujdes i madh i është kushtuar vetë procesit krijues qoftë letrar, qoftë shkencor. Në të paraqiten motivet shpirtërore, shoqërore dhe historike, që e nxisin të shkruajë këtë a atë roman, këtë a atë dramë, këtë a atë vepër historike-letrare, këtë a atë vepër publicistike. Aty gjejmë idetë, skicat, fragmentet që më vonë do të bëhen vepra letrare, shkencore a publicistike. Aty gjejmë edhe interpretime dhe deshifrime për përmbajtje e për personazhe të veprave të tij që kritika letrare nuk i ka thënë deri më tash. Nga Ditari i tij mësojmë për shqetësimet krijuese të autorit: ky apo ai personazh meriton përfundim komik apo tragjik, kjo, temë, kjo ngjarje, ky personazh realizohet më mirë në dramë, në monodramë apo në roman etj.
Le të thuhet se Ditari i Rexhep Qosjes është njëkohësisht një antologji personale e shumë fjalëve të urta dhe e shumë aforizmave të frymëzuara prej situatash të përtashme a historike kulturore, shoqërore e politike.
Në Ditarin e tij ai flet, duke i përshkruar e duke i vlerësuar, për ngjarje për të cilat është shkruar e folur nga autorë a medie tona dhe për ngjarje për të cilat deri tani nuk është shkruar.
Në Ditarin e tij ai flet për personalitete të ndryshme: për krijues letrarë e artistikë, për studiues të fushave të ndryshme shkencore, për kuadro të universitetit, për politikanë e shtetarë me të cilët ishte takuar gjatë jetës së tij. Galeria e personaliteteve për të cilat flet duke u bërë portrete treguese është jashtëzakonisht e pasur. Personazhe të shpeshta në Ditarin e tij janë edhe disa gazetarë e publicistë.
Ditari i Rexhep Qosjes, me një pjesë të madhe të tij, është historia e ngjarjeve, veprimeve, politikave, sjelljeve të personaliteteve të ndryshme me më shumë a më pak ndikim në jetën politike e shoqërore të shqiptarëve, në veçanti të shqiptarëve në ish-Jugosllavin, për të cilat deri sot e vërteta nuk është ditur apo është ditur e shtrembëruar: është historia e vërtetë e përpjekjeve shumëvjeçare për ndryshimin e fatit të përparshëm historik të popullit shqiptar – për krijimin e shtetit të Kosovës, në të vërtetë për bashkimin kombëtar.
Ditari i Rexhep Qosjes është një histori e brendshme e Kosovës në radhë të parë, por edhe e Shqipërisë, në të vërtetë një histori e brendshme e jetës kombëtare, kulturore e politike, të popullit shqiptar në përgjithësi në kohën që e jetojmë ne brezat e sotëm dhe në kohën që e kanë jetuar paraardhësit tanë.
Për nga shumësia e përmbajtjeve, çështjeve, ideve, politikave dhe personazheve të trajtuara Ditari i Rexhep Qosjes ka karakter enciklopedik. Do të jetë vepër monumentale për nga vëllimi dhe për nga cilësia dhe rëndësia e të vërtetave dhe e të drejtave të trajtuara në të.
Shumë lexuesve do t’u sjellë gëzim, por disave edhe dëshpërim. Si për gëzimin ashtu edhe për dëshpërimin vendosin bëmat e personazheve e jo autori.
Mes dy titujve Unë, Ju dhe Ata apo Dëshmitar në kohë historike autori më në fund ka zgjedhur titullin e dytë.(FADIL GRAJÇEVCI)