Deputetët e LDK-së treguan fytyrën e vet
Faik Fazliu, udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, ka reaguar ndaj veprimit të deputetëve, të cilët nuk kanë votuar sot që Projektligji për Veteranët e UÇK-së të hyjë në rend dite të seancës së Kuvendit.Fazliu ka thënë për “Epokën e re” se ata deputetë që votuan kundër, që Projektligji për Veteranët e UÇK-së të miratohet sot në leximin e dytë, treguan fytyrën e tyre të vërtetë ndaj vlerave të luftës së UÇK-së. “Të gjithë ata që nuk lejuan që Projektligji për Veteranët e UÇK-së të hyjë sot në Kuvend, për mendimin tim, vetëm treguan qëndrimin dhe fytyrën e tyre të vërtetë karshi luftës dhe kategorive të saj. Pra, treguan se po të varej prej tyre nuk do të kishim tani as pensione për kategoritë e tjera siç janë dëshmorët dhe invalidët e luftës. Por, mirë që treguan fytyrën e tyre të vërtetë dhe s’do të mund ta ndalin miratimin e projektligjit në procedurë të rregullt. Me një fjalë, treguan se po ta kenë forcën e votës këta nuk do të kishin këtë kategori parasysh, përveç llafeve”, ka thënë Fazliu.