azem-eminiEmin Azemi-Në njërën anë shajnë e përgojojnë politikën për kufizim lirish dhe për mungesë mediash të pavarura, kurse në anën tjetër s’lënë gurë e dru pa rrotulluar për të vënë nën kontroll media, portale e shoqata të caktuara, tek të cilat ushtrojnë maniret e njëjta, të huazuara nga politika e keqe, e selektimit të mendimit publik dhe mbylljen e dyerve për ata që konsiderohen si jobashkëmendimtarë (!)

Të deklarohesh publikisht se e mbështet një opsion politik dhe të mos turpërohesh pse e bën këtë, është argumenti më i fuqishëm që i jep demokracisë sharmin e diversitetit ideor e botëkuptimor. E kundërta e kësaj, është tirania e mendimit gjoja të balancuar, e cila përpos që prodhon eklektizëm mendimesh publike, krijon edhe një dihotomi të presionit publik, pa substancë dhe pa qëndrueshmëri në kohë e hapësirë. Kjo kategori e mendimtarëve, gjoja të pavarur, publikisht shesin mjegull për të verbuar “sorrat” e injorancës pseudointelektuale, kurse tinëz gëzojnë benefite natyrash të ndryshme, në një shoqëri civile – mediatike rreptësisht të kontrolluar nga ata. Në njërën anë shajnë e përgojojnë politikën për kufizim lirish dhe për mungesë mediash të pavarura, kurse në anën tjetër s’lënë gurë e dru pa rrotulluar për të vënë nën kontroll gazeta, televizione, portale e shoqata të caktuara, tek të cilat ushtrojnë maniret e njejta, të huazuara nga politika e keqe, e selektimit të mendimit publik dhe mbylljen e dyerve për ata që konsiderohen si jobashkëmendimtarë (!).

Kjo shoqëri paralele që po ngjizet e që po formohet gjoja si kundërvënie ndaj njëmendësisë aktuale politike, është nusprodukti i një mentaliteti të çoroditur i cili me çdo kusht do që të gëzojë privilegjet e monopolit shoqëror-civil në ato segmente ku politika zyrtare nuk ka ndikim dhe qasje. Korruptimi moral e financiar që vjen nga benefitet  e këtij monopoli asnjëherë deri më tani nuk është hulumtuar nga ndonjë gazetari e paanshme dhe sikur të ndodhte kjo do të dilnin në sipërfaqe plot fëlliqësira që në shoqëri e shtete normale që moti do të ishin shndërruar në plehra. Fundja edhe nga plehu ka dobi, por me kusht që ai të mos shijohet si fryt, por vetëm si katalizator që nxit rritjen dhe pjekjen e tij. Te ne ndodh e kundërta: plehu quhet vlerë, kurse frytet bëhen pleh.

Në anën tjetër, angazhimi publik i intelektualëve, artistëve, afaristëve, sportistëve në fushatat zgjedhore të njërës, apo partisë tjetër është një akt legjitim dhe aspak i panjohur për praktikat demokratike të përbotshme. Njeriu është edhe “qenie politike”, prandaj ai nuk mund të shikohet si një ishull i izoluar në shoqëri. Së këndejmi çdokush ka të drejtë t’i ketë bindjet e veta ideologjike, a partiake.

E keqja e krejt kësaj historie është se te ne njerëzit nuk mund të bëjnë shumë dallime mes ideologjisë dhe partisë, por ka edhe shumë të tjerë që bëjnë çmos ta fshehin simpatinë për ndonjë forcë politike. Përgjigjet më të bezdisshme që mund t’i dëgjoni nga disa “analistë të pavarur” kanë të bëjnë me argumentimin, se ata fenomenet shoqërore i shohin nga një distancë dhe për ta të gjitha partitë qenkan njësoj, por asnjëherë nuk arritën ta shpjegojnë faktin, se pse ata asnjëherë nuk dolën publikisht ta mbështesin një kauzë politike dhe t’i qëndrojnë besnik asaj deri në fund. Sipas tyre, partitë gabojnë, kurse ata janë të pagabueshëm.

Dihet tashmë botërisht se edhe në mesin e gazetarëve e publicistëve ka pasur anime e tifozëri partiake, mirëpo të paktë ishin ata që e pranuan publikisht se e mbështesin njërën, apo partinë tjetër politike. Çka duam të themi me këtë? Nëse ndonjëri prej kolegëve tanë është akuzuar (pa të drejtë) se ka mbështetur dhe ka artikuluar publikisht idetë politike të një partie, kjo aspak nuk e ka prishur “shëndetin publik” të mediatizimit të asaj që shpesh i themi “anim politik”. Shtrohet pyetja: a thua vallë,  kritikuesit e këtij lloj angazhimi publik, cilës parti politike po i duartrokitkan? Qenkan krejtësisht imun ata nga ethet e tifozllëkut? Apo janë aq të pavarur sa të kritikojnë të tjerët që kanë mbështetur ndonjë opsion politik?

Në tipologjinë e kritikës publike bën pjesë edhe një kategori njerëzish, të cilët politikën zyrtare e kritikojnë jo nga bindjet, por nga shprehja e pakënaqësive për humbjen e ndonjë pozicioni a privilegji të deridjeshëm. Të tillët, deri dje shfrytëzonin makinat zyrtare për ahengjet familjare, bënin xhiro marramendëse në shpenzimin e parave publike për dreka e darka dhe, për një moment, kur në mes të mandatit u hiqet torta nga goja, përnjëherë bëhen “analistë të pavarur” dhe akuzojnë të tjerët pse po e mbështetkan partinë në pushtet.

Mendimet nuk mund të jenë të krejtësisht pavarura dhe nuk është kurrfarë herezie të mbështetësh ndonjë opsion të caktuar politik. Kujdesi i tepruar, nga ana e disave, për të dalë gjoja të pavarur, i bënë ata autorë shumë të varur në qëndrimet e tyre dhe kjo shkakton hutinë më të madhe në sytë e publikut. Kredibiliteti i atij që kritikon nuk matet gjithmonë me atë se me cilin partner politik maqedonas ndodhet një parti e caktuar shqiptare dhe opinionin publik nuk mundesh aq lehtë ta mashtrosh kur të njëjtit kritikues heshtin dhe bëhen shumë tolerant kur e njëjta parti politike shqiptare bën koalicion me një partner tjetër politik maqedonas.

Në skemat e  politikanëve tanë të papërgjegjshëm, të cilët ende mendojnë se faktorizimi i tyre ndodh duke qenë partner me një forcë politike maqedonase, ka të ngjarë të bien edhe disa opinionistë, duke e orientuar vëmendjen e publikut nga prirjet e tyre individuale dhe nga preferencat që nuk shkojnë përtej tifozerive të kamufluara për ndonjë opsion të caktuar politik maqedonas. Kështu është kur dhe ‘të pavarurit’ tanë, i kanë ‘partitë e tyre’.

Do të ishte shumë legjitime dhe e moralshme që edhe në raste të tilla të manifestohet një guxim qytetar për të demonstruar një strategji të kulturuar të animit politik, me argumente e analiza që edhe mund të kenë një rreze më të gjerë të ndikimit publik.

Në të kundërtën, ndikimi publik mund të marrë trajtat e fuqisë së bishtit të prerë të hardhucës. (KOHA. Shkup)