Kukuvajkat mallkuese
Bedri Islami-Pak më shumë se dy javë e ndajnë ditën kur mund të merret ose jo vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Është pak të thuash se është një ëndërr e kahershme, ashtu si është lehtë të mendosh se mund të jetë një ditë fillese krejt tjetërsoj.
Askush nuk di mirëfilli se si mund të jetë vendimi i kësaj dite. Në media është folur shpesh herë për shtete anëtare të BE që e mbështetin Shqipërinë, ashtu si janë përmendur edhe të tjera që nuk duan që tani për tani të ketë hapje të negociatave. Disa, nga këto shtete, kanë problemet e tyre të brendshme, thuhet e shkruhet; disa të tjera, po nga këto shtete, nuk kanë besim tek qeveria e drogës, krimit, trafikut, korrupsionit – thuhet e shkruhet.
Si gjithnjë, në politikën shqiptare, disa, megjithëse flitet për tre shtete dyshues, e shohin gotën bosh, të tjerë, meqenëse tre shtete nuk janë as një e nënta e BE, e shohin gotën plot. Është një histori e vjetër që përsëritet nga e majta në të djathtë, në cikël periodik, zakonisht 8 vjeçar, por që mund të thuhet në vitin 2021. Politika është gjithnjë befasia e ndryshimeve.
Në përllogaritjet pro apo kundër fillimit të pranimit në BE parashihen të gjithë faktorët, pro e kundërshtues; problemet e brendshme të shteteve anëtare, përplasjet që mund të ketë pasur Shqipëria me to; çështjet e hapura e të pambyllura, lëvizjet kundër zgjerimit të BE dhe forcat radikale që po ngrenë kokë jo pa ndikim në kontinentin e vjetër; detyrat e shtëpisë që herë i ka bërë mirë dhe herë nuk i ka bërë hiç shteti shqiptar, përplasjet, zgjedhjet etj. Të gjitha hidhen në kandarin e vlerës dhe të antivlerës; dyshohen e miratohen, çirren dhe grimcohen. Herë – herë flitet për afërsinë e mendimit të njëjtë politik për europianizimin e Ballkanit në mes zonjës Merkel dhe Edi Ramës, herë të tjera për një lob të fuqishëm kundër Shqipërisë në partinë e po zonjës Merkel, që janë të afërt me “skifterë” pëdëistë, hidhen në treg të gjitha çfarë janë bërë e nuk janë bërë… të mirat e të këqijat dhe, në mes gjithë kësaj vorbulle, harrohen kukuvajkat shqiptare, thellësisht mallkuese të linjës europiane të shtetit shqiptar, të cilat, edhe pse kukojnë gjithë ditën e gjithë natën, shpesh herë kanë ndikimin e tyre tek figura politike që në jo pak raste as që ia kanë haberin se çfarë ndodh këtu, aq më tepër , kur kanë lexuar vetëm raportet ogurzeza dhe mallkuese që dërgon opozita shqiptare kundër vendit të vet.
Krijimi në pak muaj politikë, kur them muaj politikë kam mendimin se ato janë ndryshe nga muajt kalendarikë, më të avashtë, të një vorbulle verbuese anti ka qenë e pamasë, e padëgjuar, e pashoqe dhe e pa ndodhur tjetërkund.
Nëse gjithë këtë lëvizje kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE do e kishte bërë një shtet tjetër, historikisht antishqiptar, me interesa gjeostrategjike apo humbje të vetëdijes kombëtare prej mllefit a urrejtjes, që do të kishte dashur të vinte këtë vend në mengenenë e tkurrjes apo detyrimit për të lëshuar në parime të mëdha, do të kishte qenë e mundur të durohej, por edhe në këtë rast, sado ekstrem, do të vinte momenti kur do thuhej: “Mjaft, se e tepruat”!
Nëse, si mund të ishte menduar, i gjithë ky shtrëngim, do të kishte ardhur nga një shtet përherë gjithë mllef, inat dhe verbëri ndaj vendit tonë, si të themi, shteti serb dhe politika e tij historikisht antishqiptare, edhe asaj here do të kishte ardhur një ditë, ndoshta do të kishte ardhur edhe më shpejt se sa mund të ishte pritur, kur vetë ata do e kishin ndjerë se e kishin kaluar kufirin e arsyes së kundërshtimit, se tani gjërave po u dilte boja dhe se, duke e tepruar me zemërimin e tyre, e gjithë kjo valë mllefi do të mund të kthehej kundër tyre.
Me PD-në, shqiptare a jo, nuk ndodh kështu. Ndodh e kundërta. Në vend që të ndalen, mendojnë se si do e hedhin këtë karrocë edhe më tej drejt humnerës. Në vend të gëzimit normal, për një forcë politike që shumë kush e mendoi se mund të ishte europianiste, vazhdohet me një mllef verbërisht të pajustifikuar. Normaliteti i ka lënë vendin syve të çakërdisur; arsyeja është spostuar për të sjellë verbërinë; mllefi kundër pushtetit ka zënë rrugën që duhej hapur bashkërisht.
Ndërsa gjithë ditën na gajas se po lobon për Shqipërinë, shefi i opozitës, Basha, gjithë pjesën reale të ditës dhe gjithë kohën e plotë të natës, bën të kundërtën. Nuk është menduar dhe as nuk është parë që shefi i opozitës, nga inati i “të hedhurit” që i bëri Rama një vit më parë, edhe kur mund të aktrojë paksa, si bën plot raste të tjera, në parlamentin shqiptar, çjerrazi, si të ishte zëdhënësi i Bundestagut gjerman, deklaron se ky institucion, kurrën e kurrës, nuk do e pranojë Shqipërinë në fillimin e BE.
Si të mendonte se ka të bëjë me një popull të hipnotizuar nga “mrekullia” e fjalës dhe e veprimit të tij, pasi pohon se po lobon drejt shtetit austriak, sjell në Tiranë tre figura politike për të na thënë të kundërtën.
Ditën që “lobon”, po atë ditë u dërgon gjithë vendeve anëtare një memo , përmes së cilës deklaron se shefi i opozitës, pra ai vetë, po ndiqet nga Policia, sëbashku me familjen dhe se ai nuk është i sigurt në këtë vend. Si për ta bërë sa më prekëse këtë dëshmi, që e di fare mirë se nuk është asgjë tjetër veçse vazhda e prapshtë e kukuvajkimit politik, pasi bën deklaratën e tij, në darkë ia mbath drejt Holandës, ku ende ka miq, të tij dhe të bashkëshortes, në të cilët mund të ndikojë që negociatat të mos hapen.
Është një histori e prapshtë më shumë se 1 vjeçare e mallkimit të vendit të tyre, e gëzimit ogurzi të humnerizimit të tij, e braktisjes dhe e lënies pezull të çfarë perspektive që mund të ketë.
Bota flet me shembuj. Një bote që i afrohet një parlament i bllokuar, me siguri që do të hezitojë. Një bote që i afrohet një video, krejtësisht e sajuar nga arti regjisorial salianj, ende e papaguar bile, si një dëshmi e përfshirjes së familjes së ministrit të brendshëm, Xhafa në trafikun e drogës, jo si një trafikant i zakonshëm, por si koka e trafikut, me siguri që do e ngurrojë secilin njeri me mend për një BE të pastër nga skandalet dhe të cilës i dalin mjaft dhe i teprojnë skandalet e saj.
Fotografia e një gazetari të plagosur, i cili, sipas urdhrit politik ishte bërë si ata deshërit që sulmonin muret e kështjellave, është e dhimbshme për këdo njeri të politikës, i cili, aq sa e do median, aq edhe ka drojë nga ajo. Pamja e gjakosur, e nisur ende pa vajtur ai vetë në spital, në të gjitha kancelaritë europiane, bën të ngurtin edhe politikanin më optimist.
Babale, në të vërtetë fizionomia politike e një partie, mund të jetë i kuptueshëm këtu, ndër ne, që tashmë jemi mësuar me “opozitën” që nuk bën hajr, por, tek të tjerët, që ende nuk e dinë se jemi para një loje të pështirë politike, krijon ndalesë të mendimit pozitiv.
Në fakt, jo nga dita e sodit, por që prej 5 viteve, kjo hingëllimë kukuvajkash, është e vazhdueshme në politikën shqiptare. Që nga paralajmërimi i zi i Berishës, të nesërmen e zgjedhjeve të qershorit 2013, se, ky vend, shumë shpejt, do të bjerë në humnerë, sipas projektit grek të zezimit të ekonomisë, gropën që e kishin krijuar qëllimisht dhe që askush nga socialistët nuk kishte këllqe ta hetojë dhe ta dërgojë për gjykim… e deri tek thirrjet e një farë Paloke, në emër të PD-së, (sa poshtë ka rënë katundi?) se Shqipëria po shitet nga Edi Rama tek rusët, kur ndjenja e drojës së ekspansionit rus është tepër e ndjeshme në BE, është e njëjta linjë, linja e mohimit, e shpërndarjes së vëmendjes tek e keqja, megjithëse e ngritur nga hiçi.
Në 5 vite opozitë, në të gjithë muajt e jetës politike të kësaj opozite, asnjëherë, në asnjë ditë dhe në asnjë vend, nuk mund të gjesh një detaj politik, sado të vogël, që e mbështet këtë vend, që dëshmon se shumicë e pakicë janë të përbashkëta, të paktën për një gjë madhore.
Atë që bëjnë në parlament një grusht burrash, shumica të pamend dhe të pa qenë si shembull virtyti politik apo njerëzor, jashtë sallës e bëjnë një grusht medialësh, shumica ish miq të afërt të Ramës, të cilët hallin e tyre mendojnë se e kanë të gjithë shqiptarët.
Janë të gatshëm, të dyja palët, të mallkojnë këdo që thotë një fjalë mirëdashje për këtë vend, që mbështet një ecuri politike, një ndryshim nga e mbara.
Të gatshëm për të nxjerrë sytë e kujtdo që u duket se është afër qeverisë, qoftë ambasador a përfaqësuese e lartë, e dërguar këtu apo që monitoron këtë vend, ata kanë si flamur dy figura; njëra totalisht e degraduar që edhe atyre u bën dëm, por nuk e kuptojnë dot, një grua ish politikane, Doris Pack, dhe, një politikan të ri, varianti mashkull i Pack-ut, Krishbaum.
Më këto dy flamurë janë gati të nxijnë gjithçka, duke menduar se pas kësaj populli do i marrë për dore, do i vendosë në kolltukët qeveritarë dhe do ua harrojë se kur ishte koha e duhur ata u bënë kukuvajkat e mallkimit të këtij vendi.