Turçinov, thirrje Rusisë të ndalë provokimet
Presidenti i përkohshëm i Ukrainës Oleksander Turçinov po i bën thirrje Presidentit rus Vladimir Putin të ndalë ato që i ka cilësuar si akte provokuese në Krime. Turçinov tha se veprimet ruse ishin një agresion i pamaskuar. Ai i krahasoi këto akte me ngjarjet që çuan në vitin 2008 në ndërhyrjen ruse në Abkazi, një rajon pro-rus në Gjeorgji.Ministri i brendshëm i Ukrainës tha dje se forca ruse kanë marrë nën kontroll dy aeroportet kryesore në rajonin ukrainas të Krimesë. Ai i cilësoi këto veprime si “inkursion ushtarak”.
Individë të armatosur dhe me uniforma pa simbole u panë dje të patrullonin në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit të Krimesë, Simferopol. Ka pasur njoftime se trupat ruse kanë rrethuar stacionin shtetëror televiziv në Simferopol.
Një zyrtar i lartë amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e BE-së mund të mos marrin pjesë në takimin ekonomik të G-8 në Soçi të Rusisë nëse ushtria ruse ndërhyn në Ukrainë.