Sokrat-HabilajSokrat Habilaj-Thuajse njëzetë e pesë vite pas rrëzimit të komunizmit, ndërsa shikon se ne ende jemi të pozicionuar në llagëmin kundër komunizmit, duke lëshuar klithma për luftë, ideja e parë që të lind është se jemi një shoqëri e kapur kurth që jetojmë në një realitet absurd. Një realitet që nuk ka lidhje as me botën përreth dhe as me veten tonë. Duket se jetojmë herë në një kohë e herë në një tjetër kohë dhe jo vetëm kaq. Segmente të veçanta të kësaj shoqërie zvarriten në kohëra që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Kjo nuk është e re për ne. Kështu ndodhi gjatë një gjysmë shekulli “kundër imperializmin”, kështu edhe në çerek shekullin e fundit, ku s’ka zot që të na shkulë nga lufta “kundër komunizmit”. Edhe të tjerët u ndeshën me komunizmin, e mundën atë dhe tani janë në beteja të tjera, ndërsa ne askush nuk guxon të na thotë që të largohemi nga ajo luftë. Të largohemi se beteja kundër komunizmit ka mbaruar, përkundrazi urdhri është që të rrimë përjetësisht aty dhe përjetësisht “të luftojmë” me komunizmin. E kjo do të thotë se përjetësisht ne duhet të jemi të përdorur.

Kur tentojmë t’i ikim së kaluarës, një dorë e padukshme na kap fort për fyti si një makth, duke na kujtuar se ne nuk mundet t’i ikim së kaluarës sonë kaq lehtësisht sa mund ta mendojmë. Ndërsa për një çast zgjatim duart dhe gati në mënyrë foshnjarake jemi duke u ngazëllyer se e kapëm Europën, një piskamë që nuk dihet se nga ç’hon shpelle del, dhe një çerek shekulli nga përmbysja e komunizmit, çirret deri në kupë të qiellit:Para për të mposhtur komunizmin! Kështu ndodhë vit pas viti, në Janar, në Shkurt, në Mars, në…Dhjetor, ku një shoqëri thuajse e çoroditur ftohet “në betejën finale” të luftës kundër komunizmit. Pas kësaj, turma pa fund me ish komunistë të kthyer në antikomunistë të thekur, të persekutuar që ende kanë makth se komunistët janë pas derës së tyre, idealistë që besojnë se ndoshta ende janë duke jetuar në komunizëm, hileqarë pa skrupull që thjesht duan një alibi për sherre e të rinj shpresë humbur që dergjen lokaleve, tërheqin këmbët zvarrë atje ku i fton piskama. Ky pozicion yni për të qëndruar me dhunë kundër komunizmit edhe pas shembjes së tij, mund të ketë shumë arsye, por nuk mund të mos theksojmë se një kokëfortësi e tillë është tipike për një shoqëri të pa zhvilluar dhe të pa orientuar si duhet. Edhe në raste të tjera, kemi treguar se ndryshe nga shoqëritë rreth, apo tej nesh, në vend që të bëjmë gjënë më të lehtë, pra ecjen pas atyre shoqërive, zvarritemi në ca shtigje që nuk të çojnë askund. Edhe shoqëritë e tjera, në momente të caktuar gabojnë, por ndryshe nga ne, ato ngrihen kundër së keqes, kundër gabimit të tyre, e mposhtin atë dhe hedhin sytë më tej. Ne edhe kundër së keqes ngrihemi thuajse në fund, por më e keqja është se kur ngrihemi humbasim në një betejë të marrë me gërmadhën e shembur nga të tjerët, duke e kthyer betejën tonë nga një betejë në emër të së ardhmes, në një betejë si qëllim në vetvete. Kur ngremë sytë e shohim se sa para kanë ecur të tjerët, tundimi për të ecur pas tyre thuajse na mërzit dhe vazhdojmë të bëjmë atë që dimë të bëjmë vetëm ne, betejën ndaj asaj që të tjerët e kanë përmbysur me kohë. Ky gaforrizim i ecjes sonë, (natyrisht jo para, sepse gaforrja nuk ecën para), tregon se shoqëria jonë e ka shumë të vështirë t’i shpëtojë kurthit të së kaluarës ës saj. Veç kësaj, pamundësia për të dalë nga beteja e vjetër, është dhe pasojë e një të djathte tërësisht konfuze, për të mos thënë qëllim keqe. Ndërsa e djathta duhet të ishte e para që të “lante duart” me komunizmin dhe të ecte më tej për të fituar kohën e humbur nën komunizëm, duket se ajo ka një fiksim për të ngecur tek “lufta” kundër tij edhe kur kjo luftë ka mbaruar. Kjo dëshirë perverse për të ndenjur bashkë me komunizmin edhe kur ai nuk është më, në fund të fund të fundit do të thotë të vazhdosh bashkëjetesën me një kufomë. Nostalgjia për ta vazhduar këtë si biçim lufte me komunizmin edhe pas njëzetë e pesë viteve nga shembja e tij, ndoshta vjen edhe nga fakti se në krye të klasës politike të djathtë, ka një konglomerat forcash. Si në asnjë grupacion tjetër politik, tek e djathta mund të gjesh të persekutuar, persekutorë, ballistë, komunistë, zogistë, idealistë, nostalgjikë, hileqarë, grykës, a njerëz pa asnjë ideal. Si rrjedhojë e një realiteti të tillë kaq të trazuar, gjëja më e vështirë që mund t’u kërkohet këtyre “çetave” është që t’u thuash të ecin në një drejtim të caktuar. Në pamundësi të kësaj, ata bëjnë atë që nuk duhet ta bëjnë më, vazhdojnë “të luftojnë komunizmin”. Kjo ndodh edhe sepse më shumë se ata që duan ta luftojnë seriozisht atë regjim, aty ka ca të tjerë që duan të duken sikur e luftojnë. Në fakt ata nuk e fshehin dot, në rastin më të keq mallin për komunizmin dhe në rastin më të mirë, një dëshirë të vazhdueshme për të mos u ndarë prej tij, qoftë edhe “duke e luftuar” pa fund. Kjo është një e keqe që ata i bëjnë jo vetëm së djathtës, por krejt shoqërisë sonë. Një arsye tjetër që e djathta ka ngecur në kurthin e “luftës kundër komunizmit” është edhe fakti se për të keqen e saj, kjo e djathtë vazhdon të udhëhiqet nga një ekstremist i majtë. Sa do që ai të përpiqet të tregohet kokulur, herë para një mbreti të vetëshpallur si i tillë, herë para pinjollëve të të pasurve të dikurshëm, herë para ish të arratisurve në kohën e regjimit komunist, ai nuk mundet të fsheh atë që është në fakt. E vetmja alibi që e mban gjallë në krye të së djathtës me sa duket është “lufta” kundër komunizmit që në fakt tingëllon si dashuri e përjetshme me atë regjim.

Janë këto arsyet që ne, ndryshe nga bota, rrimë të gozhduar tek llagëmi “i luftës kundër komunizmit”. Të rrish me armë në dorë në një luftë që ka përfunduar, gjëja më e natyrshme që ndodhë në mungesë të luftës me të tjerët, është të ndezësh sherrin mes vetes. Ata që e mbajnë këtë klimë e dinë këtë gjë, prandaj me ligësi nuk heqin dorë nga “lufta kundër komunizmit”. Është koha që ju që mbani të gozhduar në këtë “luftë”, të na lejoni të kuptojmë se lufta kundër komunizmit ka mbaruar dhe ne duhet ta harxhojmë kohën në beteja të tjera. Na lejoni ta braktisim të kaluarën tonë!Lufta kundër komunizmit nuk është më beteja jonë!