Edhe turqit alarmojnë për diskriminim në Maqedoni
Maksud Ali, një qytetar i komunitetit turk në Ohër akuzon qeverisjen komunale për diskriminim në punësim.Ai në rrëfimin e tij për INA thekson se nuk merret parasysh punësimi i turqve në këtë komunë dhe nuk respektohet Marrëveshja e Ohrit. “Ne konsiderojmë se nuk po plotësohet kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me përfaqësimin edhe të komuniteteve të tjera që nuk janë maqedonas dhe shqiptarë. Padrejtësitë më janë bërë gjatë procedurës së punësimit dhe testimeve në komunën e Ohrit”, thotë Ali.
Ai ka thënë se testimi profesional për nëpunës shtetëror i realizuar në administratën komunale ka qenë i manipuluar dhe antiligjor. Por nga ky testim ka pësuar Ali, pasi që nga komuna është konstatuar se ai nuk ka plotësuar testin dhe ka treguar njohuri të pamjaftueshme.
Por, Maksud Ali thotë se ai e njeh shumë mirë punën e institucioneve dhe është person kompetent për të udhëhequr me detyra në administratë, pasi që ka pasur përvojë pune në bankë private, përvojën në kompani private, detyrën si ish-zv.ministër i financave dhe detyra tjera. “Unë jam i vetëdijshëm me pasojat dhe përgjegjësinë, dhe andaj dua të informoj opinionin për këtë dështim”, theksoi qytetari turk.
Sipas tij, në hyrje të provimit të gjithë kandidatëve i janë marrë stilolapsat dhe i janë dhënë stilolapsa të tjerë dhe kjo siç thotë ai asocon me kurdisjen e rezultateve. Ali thotë se qëllimi është që të përjashtohen të punësuarit në komunë që kanë statusin e kandidatit për nëpunës shtetëror. Sipas tij, të gjithë kandidatët që nuk kanë dhënë provimin profesional do të përballen me ndërprerjen e vendimit të punës,por ai paralajmëroi se do të përdor të gjitha procedurat juridike për të nxjerrë në sipërfaqe drejtësinë.
Ndaj prononcimit të Maksud Ali, ka reaguar edhe komuna e Ohrit.
“ Në pajtim me Ligjin për nëpunës shtetëror të RM-së, personat që vitin e kaluar janë pranuar në administratën e vetëqeverisjes lokale, pas një viti janë të obliguar që ti nënshtrohen provimit përfundimtar për tu pajisur me statusin e nëpunësit shtetëror. Testimi është realizuar në pajtim me ligjet, ndërsa z. Maksud Ali, ka treguar njohuri të pamjaftuar në provim. Akuzat për nepotizëm dhe joetik, vetëm e konfirmojnë mosnjohjen e Ligjit për nëpunës shtetëror dhe mobilitetit të shërbimeve, por edhe karakterin e personit”, thuhet në reagimin e komunës së Ohrit.
(M.Latifi/INA)