venizelosShefi i diplomacisë greke Evengeliz Venizelos ishte i prerë, çështja e emrit nuk është pengesa kryesore që mban peng integrimet evropiane të vendit. Venizelos tha se pret nga Shkupi zyrtar që të përmbush kriterin kryesor, kultivimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore jo vetëm në raport me Athinën por edhe Sofjen zyrtare. Ai hodhi poshtë akuzat për qëndrim jo korrekt të Athinës ndaj Shkupit, duke theksuar se nëse Greqia nuk kishte qasja fleksibile, vendi nuk do të kishte as statusin e vendit kandidat dhe as Marrëveshjen për Stabilizm dhe Asociim.

“Pengesa kryesore për perspektivën e IRJM-së nuk është çështja e hapur dhe e famshme e emrit, por obligimi për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, veçanërisht kriterit më të madh që ka të bëjë me parimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore…..  pranimi i rezolutave të Këshillit të Sigurisë, pranimi i të drejtës ndërkombëtare është absolutisht vitale dhe e rëndësishëm për të gjitha shtetet kandidate dhe jo vetëm për IRJM-në”, tha Evangeliz Venizelos, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Nga biseda me kryeministrin Gruevski, Venizelos tha se ka fituar përshtypjen se në Shkup ka gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve rreth çështjes së emrin nën patronazhin e OKB-së dhe me ndërmjetësin të Nimicit.

“Përshtypja ime personale pas takimeve është se edhe Qeveria, partitë politike por edhe shoqëria civile janë të gatshme të marrin pjesë në dialogun jo vetëm rreth çështjes së emrit, por edhe për të përmirësuar bashkëpunimin bilatareal, pasi të gjithë e kanë të qartë se përmes Greqisë kalon rruga e integrimeve të vendit në BE”, u shpreh Evangeliz Venizelos, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Megjithatë homologu i tij maqedonas, Nikolla Poposki ishte më pak optimist, takimin e cilësoi si të pa frytshëm. Ai madje ironizoi faktin që kolegu i tij iu shmang konferencës së përbashkët me të, duke u shprehur se me siguri nuk i pëlqen pano-ja ku gjendet mbishkrimi i ‘Republikës së Maqedonisë’. ‘Është çështje shijesh’, komentoi Poposki.

“Nuk besoj se për momentin ekziston klimë politike për përkushtimin e palës tjetër rreth kësaj çështjeje në drejtim të nxitjes së gjërave përpara.. Ne në çdo rast do të mbetemi të përkushtuar në atë pjesë që ne e kemi nën kontroll, ato janë të gjithë reformat që i bëjmë për një Maqedoni më të mirë. Do të mbetemi të hapur për dialog në çdo moment, në çdo vend dhe në çdo format”, deklaroi Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Tone më pozitive për vizitën e Venizelosit shprehu zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, i cili këtë vizitë e cilësoi si mundësi të përkryer për të biseduar për euro-integrimet e vendit dhe përforcimin e bashkëpunimit mes Shkupit dhe Athinës. Nga ana tjetër Presidenti Ivanov, këtë vizitë e ka shfrytëzuar për të ftuar në vizitë presidentin grek. “Nuk i ka hije dy shteteve fqinje evropiane në shek e 21 të mos komunikojnë në nivel më të lartë”, i ka thënë Ivanov, Venizelosit. Kryeministri Gruevski në takim ka shprehur interesin për vazhdimin e bisedimeve nën patronazhin e OKB-së. Ministri i Jashtëm grek Venizelos gjithashtu ftoi homologun e tij Poposkin, në takimin e prillit të Ministrave të jashtëm të vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së, në prill në Selanik. Ndërkaq nuk përjashtoi mundësinë edhe për një takim të ri të nivelist të lartë, në Shkup apo Athinë. Semra Jakupi