azem-eminiPërzierja e gjeografisë me historinë, herët a vonë shkakton konflikt dhe dualizëm brenda kuptimit shkencor për etninë, e cila duhet ta ketë kontinuitetin e gjallimit në kuadër të hapësirës gjeografike, kodit etno-psikologjik e gjuhësor dhe burimësisë historike. Politikisht, kontinuiteti i Maqedonisë lidhet me një ish- shtet federativ, shpërbërja e të cilit ka prodhuar një entitet të ri, i cili me automatizëm dëshiron t’i përvetësojë atributet gjeografike të një regjioni më të gjerë, po me të njejtin emër.

Miti për “mosndryshimin emrit” të Maqedonisë rrënjët i ka tek leximi politik i shkencës së historisë. Insistimi për ta mbajtur emrin e shtetit që është identik me emrin e një rajoni tejkufitar në Greqi, me qendër Selanikun, nuk e ka bindur deri më tani botën e dijës për legjitimitetin shkencor të tij. Zëvendësimi i legjitimitetit shkencor me manipulimin politik ditor, ka prodhuar lajthitjen më të madhe kolektive të shekujve XX dhe XXI, duke injektuar në disponimin publik “truptha” të huaj që i transmetojnë gabimisht informatat historike.

Konotacioni i emrit “Maqedoni” semantikisht mbulon një rrafsh më të gjerë gjeografik, historik, etno-gjuhësor dhe do të konsiderohej shkarje e rëndë pretendimi për ta mbyllur këtë konotacion brenda kuptimësisë politike të një ish-Republike Jugosllave, e cila lidhet gjeografikisht me një pjesë të popullit sllav që veten e quan maqedonas. Prandaj, përzierja e gjeografisë me historinë, herët a vonë shkakton konflikt dhe dualizëm brenda kuptimit shkencor për etninë, e cila duhet ta ketë kontinuitetin e gjallimit në kuadër të hapësirës gjeografike, kodit etno-psikologjik e gjuhësor dhe burimësisë historike.

Politikisht, kontinuiteti i Maqedonisë lidhet me një ish- shtet federativ, shpërbërja e të cilit ka prodhuar një entitet të ri, i cili me automatizëm dëshiron t’i përvetësojë atributet gjeografike të një regjioni më të gjerë, po me të njejtin emër.

Gjuhësisht, kontinuiteti i Maqedonisë lidhet me një grup të vogël sllavofolësish dhe me asnjë çerek dëshmie shkencore nuk është arritur të argumentohet kontinuiteti gjuhësor në mes të maqedonasve antik dhe maqedonasve të sotëm që flasin gjuhë sllave.

Për të mbajtur gjallë nacionalizmin maqedonas nuk ka nevojë të bëhen udhë të largëta e të lodhshme në kërkim të figurave mitike nga zonat e errëta të historisë. Mjafton të përkujtohen ata emra të shquar, nga shekulli i kaluar, që këtij populli ia ruajtën gjuhën e shkruar dhe e ngritën në piedestalin e vlerave konkurruese me popujt tjerë. Duke mos u mjaftuar sllavizmi, këta që po ngrejnë shtatore mitike, kanë rrezik të shkaktojnë konfliktin më të madh brenda popullit të tyre.

Sa i përket historisë, maqedonasit po i nënshtrohen një rreshtimi të ri, që para se të jetë vullnetar dhe i arsyeshëm, po bëhet gjithnjë e më i dhunshëm dhe bizar. Të gjithë ata që nuk e pranojnë identitetin antik dhe figurat që i përkasin kësaj periudhe, përfshi edhe Aleksandrin e Madh, shpallen hiq më pak se tradhëtar. Sipas kësaj, i bie, që maqedonasit duhet patjetër dhe me zor të përqafojnë një identitet, i cili historikisht ka qenë shumë larg perceptimeve dhe përjetimeve të tyre. Kësaj ndryshe i thonë edhe histori me komandë. Urdhëri (i politikës) për të komanduar memorjen kolektive të një populli është inxhinjeringu më bizar që mund t’i bëhet krenarisë dhe formimit shpirtëror të atij populli. Historia pamësrishmëm po futet në tunelin e errët të mitomanisë.

Zona gri e legjendave që ka kaplu këtë histori të shkruar, për autorësi ka një politikë amatore, e cila  në fund ska si të interpretohet ndryshe pos si rrëfim fantastik me fabulë të huazuar nga diznillendi i gjysheve që mundohen të shtrembërojnë gojën për të folur si vocrrakët e tyre.

Disponimi publik i shqiptarëve ‘pro’ ndryshimit të emrit të Maqedonisë, nuk buron tek ndonjë prirje ksenofobike e tyre kundrejt fqinjëve të tyre maqedonas dhe më së paku duhet interpretuar këtë si armiqësi të shqiptarëve me historinë e fqinjëve të tyre.

Nëse në ndonjë anketë do të formulohej një pyetje ku do të kërkohej nga qytetarët e Maqedonisë të deklarojnë senzbilitetet e tyre historike kundrejt kuptimit të emrit “Maqedoni”, shqiptarët, këtu, me siguri do të mund të prijnë, sepse ata kanë shumë arsye dhe motive, të argumentuara edhe shkencërisht, për një interkasion historik në mes të Maqedonisë antike dhe kontinuitetit të formimit etno-kulturor e psikologjik të tyre.