agim-vincaNë Maqedoni tashmë tregohen anekdota për turbodoktorët dhe masteromaninë! Dihet se individë të caktuar, kryesisht nga ata që janë të kamur ose të veshur me pushtet, por edhe të tjerë, e kryejnë fakultetin pa shkuar në fakultet; bëhen magjistra e doktorë shkencash me tema të punuara nga njerëz të tjerë ose duke mitosur në forma të ndryshme udhëheqësit shkencorë (mentorët) dhe anëtarët e komisionit. Këto janë disa nga shqetësimet e shprehura nga profesori i mirënjohur universitar dhe studiuesi i dalluar i letërsisë shqipe, Dr.Agim Vinca, në intervistën për agjencinë e lajmeve INA.

Sipas tij, kjo që ndodhë është marrëzi, fatkeqësi, është mani që e rrezikon të ardhmen e një kombi, sepse asnjë popull dhe asnjë shoqëri në botë nuk mund të prosperojë dhe ta ndërtojë të ardhmen e vet pa pasur një arsim të shëndoshë e me nivel të kënaqshëm.

“Në universitetet tona, sidomos edhe në Maqedoni, ka ndërhyrje direkte të partive politike dhe të institucioneve shtetërore në politikën e kuadrove, në punësimin e njerëzve nëpër katedra e fakultete, ashtu siç ka edhe një nepotizëm të paparë”, thotë profesor Vinca, profesor i rregullt në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Intervistoi: Naser Pajaziti

INA: Profesor, pas rrëmujës dhe ndryshimeve në UP, që çuan në dorëheqjen e rektorit dhe organeve të tjera drejtuese brenda këtij institucioni, në Maqedoni po mbretëron një heshtje dhe nuk ka debat rreth çështjes së titujve problematikë apo kontestues shkencorë, por edhe për punimet shkencore. Si e vlerësoni ju situatën në Maqedoni, sidomos në arsimin e lartë shqiptar, ku ka dyshime për dukuri të tilla?

Vinca: Nuk mund të them se e njoh mirë, se e njoh plotësisht, gjendjen e arsimit të lartë në Maqedoni, sepse jetoj e punoj në Prishtinë, por me sa kam njohuri mund të them se kjo gjendje në Maqedoni, veçanërisht në mjedisin shqiptar, është më e keqe se në Kosovë.
Është një spektër i gjerë problemesh të ndërlidhura, që përbëjnë atë që quhet jetë akademike. Kurse kjo e fundit do të duhej të ishte, eo ipso, e pashkëputur nga puna shkencore, pra pjesë e saj. Kjo do të ishte ideale. Por, hëpërhë, jemi shumë larg këtij standardi.
Liberalizimi i arsimit të lartë në këto dy dekadat e fundit: zgjerimi i rrjetit të universiteteve publike dhe hapja pothuajse e pakontrolluar e universiteteve private, solli shumë parregullsi e keqpërdorime në marrjen e gradave shkencore, për të mos thënë edhe një katrahurë të vërtetë. Procedura dhe kriteret e fitimit të këtyre gradave, thënë më së buti, lënë shumë për të dëshiruar. Në Maqedoni tashmë tregohen anekdota për turbodoktorët dhe masteromaninë! Dihet se individë të caktuar, kryesisht nga ata që janë të kamur ose të veshur me pushtet, por edhe të tjerë, e kryejnë fakultetin pa shkuar në fakultet; bëhen magjistra e doktorë shkencash me tema të punuara nga njerëz të tjerë ose duke mitosur në forma të ndryshme udhëheqësit shkencorë (mentorët) dhe anëtarët e komisionit.
Është sekret publik fakti që edhe persona me përgjegjësi të lartë në jetën publike, kanë magjistruar e, madje, edhe doktoruar me mënyra të tilla në Tiranë, në Sofje, në Shkup, në Tetovë e gjetkë. Dhe jo vetëm në këto vitet e fundit, por duke filluar nga fillimi i viteve ’90 e këndej. (Atëbotë sidomos në Tiranë).

INA: Cila është gjendja në universitetet shqiptare, e kam fjalën në Maqedoni ?

Vinca: Gjendja në universitetet tona është alarmante. Marrja e gradave shkencore në mënyrë të parregullt e abuzive është një aspekt i çështjes në fjalë. Ndër më të dukshmit. Marrja e thirrjeve akademike, si dhe avancimet nga një thirrje në tjetrën, pa vepra e punime shkencore ose me punime krejt të pavlerë a të kopjuara, është aspekti tjetër. Thirrjen “Profesor”, që dikur merrej me shumë mund dhe pas shumë vitesh pune në universitet e kontributesh shkencore, tani e marrin edhe njerëz formimi kulturor i të cilëve është skandaloz. Në Prishtinë ka edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave, që mund të quhen analfabetë, sepse nuk janë në gjendje të shkruajnë qoftë edhe një gjysmë faqe tekst pa gabime gjuhësore, në mos edhe logjike. Demonstratat e studentëve dhe të shoqërisë civile në Kosovë, më parë se para dyerve të Rektoratit të UP-së, është dashur të fillonin para godinës së të ashtuquajturës Akademi e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), ku ka uzurpim brutal të institucionit në fjalë nga një parti politike dhe nga një grup individësh, kryesisht ish-funksionarë të saj, që i lidhin interesat materiale e të tjera. Kjo përzierje e “prioriteteve” ka ndodhur mbase për shkak se universitetet janë institucione ku ka interferime shumë më të gjera sesa akademitë e shkencave.
Në universitetet tona, sidomos në Kosovë dhe në Maqedoni, ka ndërhyrje direkte të partive politike dhe të institucioneve shtetërore në politikën e kuadrove, në punësimin e njerëzve nëpër katedra e fakultete, ashtu siç ka edhe një nepotizëm të paparë, i cili nga disa në ditë po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.

INA: Çfare duhet të bëhet për të ndryshuar këtë situate, për shkak se kemi një situatë të mjerueshme në arsimin e lartë shqip?

Vinca: Pikësëpari duhet të hapet debat për këto çështje. Të flitet hapur për dukuritë negative në arsim. Herët a vonë kjo do të ndodhë, por sa më parë, aq më mirë. E keqja ka metastazuar shumë, plaga është mahisur dhe ka nisur të bëhet gangrenë. Duhet folur haptas, por edhe me argumente e në mënyrë konkrete për të gjitha problemet e jo të kamuflohen ato. Mbulimi i problemeve dhe zvarritja e tyre nuk shpie askund dhe u konvenon vetëm matrapazëve e profiterëve. Duhet të bëhet një lloj auditimi në të gjitha institucionet e arsimit të lartë: në fakultete, rektorate, dekanate, departamente, administratë etj. Të konstatohen problemet dhe të evidencohen lëshimet e keqpërdorimet në studimet e të gjitha niveleve (Bachelor, Master, Doktoratë) dhe në të gjitha instancat.
Duhen angazhuar njerëz kompetentë e me kredibilitet moral për ta diagnostifikuar gjendjen dhe duhen marrë masa urgjente, fillimisht për të penguar shkallëzimin e trendeve negative, pastaj për t’i ndërprerë ato dhe, së fundi, për shërimin e gjendjes në arsimin e lartë, gjë që nuk është punë aspak e lehtë.

INA: Si e vlerësoni shtimin e vazhdueshëm të personave që për çdo ditë pajisen me tituj shkencorë, pa pasur kurrfarë bagazhi shkencor apo intelektual?

Vinca: Si ta vlerësoj? Kjo është marrëzi. Është fatkeqësi; është mani që e rrezikon të ardhmen e një kombi, sepse asnjë popull dhe asnjë shoqëri në botë nuk mund të prosperojë dhe ta ndërtojë të ardhmen e vet pa pasur një arsim të shëndoshë e me nivel të kënaqshëm.
Kriza morale në shoqëri, në këtë kohë tranzicioni të egër ekonomik dhe politik, është reflektuar në mënyrë të theksuar në fushën e arsimit. Jemi katandisur si mos më keq. Kemi inflacion titujsh e diplomash, por deficit dijesh e njohurish. Dhe mungesë kriteresh në vlerësimin e dijes si asnjëherë më parë. (INA)