Ylli i futbollit kosovar Fadil Vokrri ka vdekur pas një sulmi në zemër.

Lajm tronditës për futbollin kosovar. Ka ndërruar jetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në moshën 57-vjeçare. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express person i afërt me Vokrrin.

“Besohet të ketë qenë sulm në zemër, por jemi duke pritur raportin mjekësor…”.

 

Fadil Vokrri konsiderohet njeriu me meritën më të madhe për hapjen e dyerve drejt anëtarësimit të Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, atij europian dhe botëror – UEFA dhe FIFA.

I lindur në Podujevë, Fadil Vokrri njihej edhe si Diego Maradona shqiptar, për shkak të mënyrës si lëvizte dhe forcës me të cilën gjuante. Idhulli i të gjithë shqiptarëve të Kosovës, Vokrri shkëlqeu me FC Prishtina, duke regjistruar madje disa paraqitje për përfaqësuesen e Jugosllavisë.

Pikën kulmore në fanellën kaltërebardh Vokrri dhe yjet tjerë shqiptarë e arritën kur e mposhtën Yllin e Kuq të Beogradit në shtëpinë e vet, në Marakana. Karrierën Vokrri e pati nisur tek KF Llapi, për të kaluar në Prishtinë në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar – për të cilën skuadër në 172 paraqitje shënoi 55 gola.

Pastaj ai u transferua tek Partizani i Beogradit ku në 55 paraqitje arriti ta tundë plot 15 herë rrjetën kundërshtare. Fadil Vokrri ishte ndër të parët shqiptarë që arriti ta çelte derën për të luajtur në skuadrat e huaja, duke luajtur për Nimes dhe Fenerbahçe.

Ai ishte i preferuari i tifozëve të skuadrës turke, por shkëlqimin që e pati arritur tek Prishtina dhe Partizani nuk mund ta shfaqë asnjëherë në tokën turke. Në shkurt të vitit 2008 ai u zgjodh president i Federatës të Futbollit të Kosovës, me mandat katërvjeçar. Fadil Vokrri konsiderohet njeriu më meritor për hapjen e dyerve drejt anëtarësimit të Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, atij europian dhe botëror – UEFA dhe FIFA.

 

Shpërndaje artikullin në: