image
QEMAL SAKAJEVA
–Tomisllav Nikoliç president, në krye të shtetit serb, ishte ardhje e paralajmëruar. Dy garat e tij të mëparshme të humbura, nuk ia mbyllën dot dyert e presidencës. Gjithë investimi i madh euro-amerikan, përmes lehtësirash e përparësish krijuar Serbisë,
shpërblimit me heqjen e shpejtë të vizave dhe joshjen me dhënien e statusit të vendit kandidat, për të mbajtur Boris Tadiç edhe një mandat – të tretin, ose zgjedhjes së një kandidati tjetër properëndimor, qe një dështim. Lufta politike për pushtet të epërm në Serbi, qe garë mes një kriptonacionalisti -Tadiç dhe një radikali të ashpër – Nikoliç.

Shumica e zgjedhësve që e pati pasuar Tadiç, u rrudh deri në humbje, jo nga zhgënjimi, por, ndërmjet maskës serbe – Tadiç dhe fytyrës serbe – Nikoliç, zgjodhën të vërtetën. Serbia, e sëmura nga nacionalizmi, është ende larg për t’u shëruar. Radikalët kanë qenë e mbeten shumicë, dhe kjo është arsyeja pse fitoi Nikoliç. Kjo është arsyeja pse shumica e serbëve nuk e mbështesin anëtarësimin në BE. Ndërsa Nikoliç eci përpara dhe arriti në presidencë, politika perëndimore nuk mund të mos vështrojë me mëdyshje mosbesuese: Presidenti serb është nacionalist radikal apo Nikoliç është bërë një ish-radikal? Presidenti serb është antiperëndimor apo Nikoliç është bërë një ish-antiperëndimor? Presidenti serb mbetet i deklaratës, më mirë hipotekim i Serbisë në krahinë të Rusisë se sa anëtare e BE-së, apo

Nikoliç mendon se është më mirë anëtar i Brukselit se sa obllast i Moskës? Presidenti serb qorton veten si ish-zëvendëskryeministër i Sllobodan Millosheviç dhe ish-nënkryetar i Lëvizjes Çetnike Serbe, kryetar i së cilës qe Vojisllav Sheshel që gjykohet në Hagë, apo pikërisht ajo e kaluar radikale e uli Nikoliç në po atë kolltuk që e mbajti udhëheqësin e tij dikur – Sllobon? Por Tadiç, në ballafaqimin televiziv me Nikoliç, e shpejgoi veten edhe më radikal se ai, kur e sulmoi atë duke thënë se, “ai, së bashku me Sllobodan Millosheviç dhe Sheshel, e kanë humbur Kosovën në vitit 1999”, domethënë se, po të kishte qenë Tadiç në vend të tyre, do të ishte më patriot serb se ata, sepse do ta kishte mbajtur Kosovën brenda Serbisë.

Perëndimi si kapur në befasi nga rezultati i balotazhit më 20 maj – por që e dinte se nuk ishte rrufe në qiell të kthjellët – lëshoi dy kumte. Brukseli ishte më i sofistikuar diplomatikisht, tek deklaroi se votuesit serbë dhanë një “sinjal shumë të qartë”, se me zgjedhjen e Nikoliç president është fituar “një mandat i fuqishëm për vazhdimin e politkave të integrimit europian”. Ndërsa e vërteta e fundit e Serbisë qe një provë domethënëse në përqindje, e kundërshtimit të udhëtimit drejt BE-së dhe proceseve integruese që kërkojnë frymë perëndimore për të shkuar përpara. Tadiç pati ardhur, kreu dy mandate e mbeti president i pozicionit të spërdredhur “edhe – edhe”, domethënë “Edhe Europa edhe Kosova”, ndërsa Nikoliç ka qenë, është dhe pritet të mbetet president i politikës së drejtpërdrejtë të tij, “Më mirë Kosovën se Bashkimin Europian”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes zëdhënëses së shtypit të departamanetit të Shtetit, Victoria Nuland, bashkë me urimin, i kujtoi Tomisllav Nikoliç katër probleme bazë: “… angazhimin e tij për të ardhmen europiane të Serbisë dhe kemi nxitur që të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me kryeministrin dhe qeverinë e ardhshme e veçmas mbrotjen e stabilitetit rajonal dhe punë konstruktive me Kosovën”. Të nxjerra nga teksti, ato që kërkojnë SHBA ndaj Tomisllav Nikoliç janë: 1.Serbia të mos shmanget nga proceset integruese në BE. 2. Të bashkëpunojë me kryeministrin dhe qeverinë e ardhshme, çka mëtohet që kryeministri të jetë nga forca politike që gjykohen si properëndimore. 3. Serbia të mos sillet trazuese e Ballkanit, siç kur Nikoliç ishte zëvendëskryeministër. 4. Serbia të ndërtojë marrëdhënie me Kosovën.

Tomisllav Nikoliç president është një dhimbje kreje për Perëndimin. Brukseli dhe Uashingtoni do të përpiqen të mbajnë po atë shpejtësi lëvizjeje që kanë nxitur deri më tash. Bashkimi Europian dërgoi menjëherë Mirosllav Lajçak në emër të Catherin Ashton, i cili mund t’i nxjerrë Tomisllav Nikoliç një deklarim që , pas betimit si president më 28 maj, vizita e tij e parë të jetë në Bruksel. Por Nikoliç është president që më 21 maj, me shpalljen e rezultateve dhe urimin e mënjëhershëm të Tadiç, që ia drejtoi atij si fitues, siç e cilësoi vetë, në një garë korrekte, dhe mediat kanë bërë të ditur që, para Brukselit Tomisllav Nikoliç do të udhëtojë në Moskë, më 26 maj, për të marrë pjesë më konferencën e partisë Rusia e Bashkuar, e presidentit Vladimir Putin . Të dy presidentët e sapo zgjedhur, në Rusi dhe në Serbi, asgjë nuk i ndan rreth politikës ndaj Kosovës. Ndërsa, Beogradin me president Tomosllav Nikoliç dhe Brukselin e Bashkimit Europian, asgjë nuk i bashkon ndaj Kosovës së pavarur.

A do të kemi një rokadë politike në Serbi që, siç Tadiç dhe partia e tij i përdori radikalët e Nikoliç për të përfituar Serbia, edhe Nikoliç t’i përdorë properëndimorët e Tadiç për të përfituar Serbia? Kjo mbetet për t’u parë, që me formimin e qeverisë dhe cili do të jetë kryeministër. Por Nikoliç fitoi jo pse pjesëmarrja në votime qe e ulët, jo pse serbët u zhgënjyen nga properëndimorët (ata morën shumë prej Perëndimit), por sepse zgjedhësit, midis dy nacionalistëve, zgjodhën të drejtpërdrejtin, për ta detyruar perëndimin më me forcë, që të bëjë lëshime të tjera ndaj Serbisë, dhe pa u lëkundur nga strategjia kundërthënëse “Edhe Europën edhe Kosovën”, si dhe duke e forcuar valencën me Moskën, në shërbim të “reaksionit kimik serb” me Brukselin