Amaneti – Valon Bela
Vullneti për dominim në vetvete është mediokër. Thonë që politikani, i cili është besnik i ëndrrës së tij, lufton në shërbim të një çështjeje që i jep qëllim jetës. Falja e vetme e dëshirës së tij për pushtet, e imoralitetit të mjeteve që beson se është i detyruar
të përdorë, është përkushtimi dhe madhështia e misionit që i ka vënë vetes. Nëse nuk i ka, për të është më mirë të rrijë si gjithë të tjerët dhe të mos pretendojë të luaj një rol që do të ishte sajim.
Projekti mono-etnik dhe tejet problematik i Kryeministrit Gruevski, SHKUPI 2014, ishte mashtrimi epokal dhe një ndër ‘arritjet’ më të mëdha. Aty do të gërshetohen konspiracioni, maskimi dhe qëllimi autentik. Ky projekt i Kryeministrit, jo vetëm që arriti të involvojë mendimet, kritikat, përplasjet madje edhe protestat mbarëpopullore por ai arriti të tërheqë vëmendjen e qendrave të vendimmarrjes si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel botëror. Por, ky nuk ishte qëllimi i vërtetë i tij!
Klasa politike në vend, e fokusuar në proceset integruese, e vlerësonte si provokim ndaj Greqisë dhe i njëjti paraqitej (në sytë e tyre) si obstruksion kryesor. Opozita maqedonase reagonte sa për sy e faqe. Me reagimet sipërfaqësore ajo kishte për qëllim kthimin e elektoratit të humbur të saj dhe jo të ndryshimit apo riorientimit të politikës qeverisëse. Ajo, në esencë, do ta përkrahte këtë projekt mu ashtu siç përkrahu politikën e saj nga Ligji për mësim të integruar (gjuhën maqedonase nga klasa e parë) e deri tek përkrahja që ia dha Ministres Jankullovska për bastisjen e shtëpive të shqiptarëve për vrasjet në Smillkovcë. Kështu që reagimet e saj kundër këtij projekti ishte hedhje hi syve të qytetarëve. Roli i saj si opozitë shumë e dobët dhe jo aktive kundrejt një ashpërsie qeverisëse Gruevskiane tregon qartazi se ajo pajtohet me këtë lloj politikë-bërje edhe pse nuk korrespondon me natyrën e të bërit politikë nga ana e LSDM-së, e cila (gjatë kohës së saj në qeveri) kishte fjalorin e butë gjatë fjalimeve por veprime antinjerëzore në praktikë. Deklarimet e Kryeministrit të atëhershëm, Kostov (në parlament): “Mos mendoni se është lehtë të qeverisni me ministrat e BDI-së ngaqë ata nuk më japin mua llogari por ata i japin llogari vetëm Ali Ahmetit”, impononin bindje tek qytetarët maqedonas se shteti, pas Marrëveshjes së Ohrit, po kalon në duart e shqiptarëve. Andaj Gruevski, i cili bënte opozitë të ashpër, shihej si shpëtimtari i radhës. Por, ky shpëtimtar, edhe nëse fitonte, nuk kishte se si t’ua ‘rrëmbente’ shqiptarëve shtetin përveç nëse ua sfidonte atë që ua kishte dhënë paraprakisht, pra Marrëveshjen e Ohrit. Ai, nga opozita, kërcënonte se do ta ç’bënte atë.
Madje kërcënonte se do ta hedh në referendum mbarëpopullor. Kjo ç’bërje nuk do të mjaftonte ngaqë ndoshta e kaluara i kishte mësuar maqedonasit që merreshin me politikë se përfaqësuesit e shqiptarëve kishin çmim dhe lehtë bliheshin por një gjë ata s’mund ta eliminonin. Fakti që tapitë e vetme të një pjese të madhe të tokës së këtij shteti maqedonas ishin në Bashkësinë Fetare Islame. Fakti që BFI kishte tapitë mbi tokat, ndërtesat, shtëpitë madje edhe oborret e ardhacakëve maqedonas, pasqyrojnë qartazi se janë argumente solide se maqedonasit janë hajdutët e trojeve shqiptare. Dokumentet e pronësisë paraqitnin një problem rigoroz për Kryeministrin. Pyetja qëndron; çfarë do të bënit ju nëse jetoni në një shtëpi, ku ndoshta keni edhe të drejtën e ngjyrosjes së saj, rinovimit por nuk posedoni dokumentacionin e shtëpisë, dhe se ju nuk mund të dëshmoni se jeni pronari i saj? Kështu ndihej Gruevski. Me të shfaqur projekti Shkupi 2014 shqiptarët reagonin se është provokim ndaj komshiut jugor dhe se procesi i integrimit në NATO do të bllokohej, opozita maqedonase reagonte kundër këtij projekti jo për arsye objektive por për shkak se ky projekt do t’i shkaktonte humbjet historike të elektoratit të saj (edhe ashtu ndodhi), madje edhe komuniteti ndërkombëtar herë reagonte kundër tij dhe herë merrej me deklarata kuturu, dhe në fund tmerrohej opinioni nga deklaratat, kritikat, kumtesat, reagimet, mendimet, e të gjithëve. Por, harrohej ta ngritin zërin se ky projekt ka për qëllim vjedhjen e shtetit dhe eliminimin e BFI-së nga e drejta morale, juridike por edhe politike (në këtë rast) për artikulimin e të drejtës së pronës së trashëguar me anë të dokumenteve valide, tapitë.
Dokumente në të cilat argumentohet qartazi se shqiptarët janë pronarë dhe trashëgimtarë të vërtetë. Gruevski, i shokuar nga kjo, ndërmerr hapin e parë dhe vendos pezullimin e procesit të denacionalizimit. Si t’i kthehen BFI-së pronat ku përveç faktit që shqiptarët me pronat e tyre (shtëpitë, fushat, bizneset) kanë në dorë 40 % e territorit të Maqedonisë, pronat e BFI-së arrinin shifrat e miliona metro katrorëve në fusha, livadhe dhe dhjetëra mijëra katrorëve në objekte. Kjo vetëm shton argumentet pro të padrejtësive historike që i janë bërë shqiptarëve dhe se ky argument, duhet të përdoret fuqishëm nga klasa politike për pozicionim më të mirë në vendimmarrje.
Në mungesë të një përgjigjeje adekuate, Kryeministri paraqet projektin e radhës, Shkupi 2014, projekt ky që do të shkakton jo vetëm humbje drakonike ekonomike për shtetin dhe banorët por edhe humbje aleatësh politik që klasa politike (shqiptare dhe maqedonase) kishte harxhuar kohë, mund dhe mjete për t’i bërë për vete. Projekti Shkupi 2014, qëllim të vetmin kishte rrëmbimin e pronësisë së shtetit. Me këtë falsifikim historik, Gruevski kishte ndërmend të paraqesë maqedonasit si pronarë ‘të dëshmuar’ të shtetit. Dëshmia që do të jepej këtë herë do të ishte ‘paraqitja antike’ e identitetit maqedonas dhe se Shkupi 2014 do të impononte lidhjen zinxhirore me antikitetin kurse shqiptarëve dhe BFI-së u merrej e drejta e kërkesës. Sipas tij, shqiptarët dhe BFI nuk kishin përse të ankohen sepse shteti, tanimë, nuk kishte nevojë t’u kthente pronat ngaqë ‘të gjitha’ dikur kishin qenë maqedonase (antike). Kjo aventurë as djallit s’do ti kishte ra ndërmend dhe le më një Kryeministri. Kjo aventurë, zakonisht dhe në kushte normale e logjike, do të ishte më shumë qesharake se sa një realitet. Ministri Hitlerian i propagandës, Goebbels do të thoshte: “Nëse ia tregon popullit një gënjeshtër të madhe dhe vazhdon duke e përsëritur atë, ai detyrimisht do ta besojë.” Gruevski do t’ia kishte tejkaluar Goebbels-it dhe me siguri se do t’ia kishte rrëmbyer edhe postin. Ai, fjalëve të Goebbels do t’u thoshte se përveç gënjeshtrës së madhe dhe përsëritjes së saj, duhet edhe një projekt enorm dhe qindra miliona euro për realizim të tij në mënyrë që populli ta besojë, ta hajë. Dhe që maqedonasit e kanë besuar dhe e kanë ngrënë gënjeshtrën e Kryeministrit Gruevski, shihet mirë në publikimin e Enciklopedisë, librave rreth ‘makedonoidëve’, se njeriu i parë paska lindur në Maqedoni, etj.
Në fund, mendoj se politika, për dallim nga të tjerët, është e fundit që largon arsyen për veprim dinjitoz kështu që kthimi i pronave duhet të paraqes interes thelbësor në politikë-bërjen shqiptare. Kaloi koha ku në emër të laicizmit anatemoheshe bashkësia fetare, e cila kontribuon në vazhdimësi. Ajo me zell ka ruajtur pronën ‘brez pas brezi’ nëpër kohëra dhe sisteme dhe se tani jemi shumë më afër se kurrë për kthimin e saj. Sa më shumë kthejmë truallin tonë, aq më e madhe bëhet Shqipëria. Nuk duam të huajën por e duam tonën. Prona është amaneti jonë që na lanë të parët andaj kthimi i tokës dhe pronave të BFI-së është kthim i pasurisë shqiptare. Besoj se tani mund dhe duhet që prona t’i kthehet pronarit të saj. Për ata që kanë pushtetin dhe për ata që synojnë pushtetin; Qojeni amanetin në vend!!