Strategjia e përgjumjes
XHELAL NEZIRI
Njeriu që vjedh mendon se të gjithë janë hajna. Nuk beson se ka njerëz që jetojnë ndershëm, pa mos prekur pronën e huaj. Një që gënjen mendon se shoqëria dominohet nga gënjeshtarët. Një hipokrit mendon se dyfytyrësia është vlerë, e cila të lanson në majat e një shoqërie, kurse sinqeriteti është naivitet. Të gjithë këta njerëz aktrojnë me sukses të moralshmin, të ndershmin, të sinqertin dhe mendojnë se nuk ka njeri që vërtet i bart këto vlera. Për ato secili aktron, kush më pak e kush më shumë, kush më mirë e kush më keq. Nëse shoqëria, në krye të së cilës janë ulur këmbëkryq, identifikon një njeri të sinqertë, të ndershëm e të moralshëm në veprim ato përdorin stigmatizimin si armë më të fuqishme. Sillen si vjedhësi që bërtet kapeni hajdutin.
Ajo që më nxiti të shkruaj këtë tekst është lajmi i botuar se një parti që qenka duke u formuar nga intelektualë dhe aktivistë shqiptarë në Maqedoni qenka projekt i LSDM-së. Kjo i bie se kushdo që në të ardhmen mund t’i shkojë mendja të formojë parti është i dirigjuar nga LSDM-ja. Bile, edhe protestat e paradokohshme në Shkup e Tetovë i paska organizuar partia opozitare maqedonase. Në këtë stil përhapet teza se të qenurit lojal ndaj pushtetit është patriotizëm, atdhetarizëm, vlerë më e lartë kombëtare kurse shprehja e pakënaqësive ndaj nënçmimeve dhe diskriminimeve të po këtij pushteti na qenka shërbim për opozitën maqedonase.
Pra, ato që i shërbejnë partisë maqedonase në pushtet mendojnë se të gjithë kritikuesit e pushtetit me automatizëm i shërbejnë partisë maqedonase në opozitë. Nuk mund të paramendojnë se në këtë hapësirë politike dhe gjeografike ka njerëz që kanë autonomi mendimi apo edhe veprimi.
Me këtë mëtohet përgjumja e opinionit shqiptar, kompleksimi i tyre kinse në mungesë të informatave janë në shërbim të të tjerëve dhe zbehja e reagimit qytetar ndaj dukurive negative të pushtetit. Kjo i sjell një rehati më të madhe pushtetit kurse kjo rehati e siguruar shpërblehet mirë nga dora e lëshuar e padronit.
Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistën për TVM2, mes tjerash tha se nuk dëshiron të bëhet mashë e LSDM-së për kapjen e gështenjave të nxehta, duke arsyetuar kështu qëndrimin e tij në pushtet me VMRO-DPMNE-në dhe duke aluduar se braktisja e koalicionit qeverisës është interes i social-demokratëve.
Edhe unë dyshoj se LSDM ka interes të ketë trazira te shqiptarët, apo edhe daljen e BDI-së nga qeveria me qëllim të formimit të një shumice tjetër parlamentare pa VMRO-DPMNE-në. Pra, kjo është më se e qartë sepse kjo parti shfrytëzoi edhe konfliktin e vitit 2001 për tu kthyer sërish në pushtet. Por, partitë politike serioze kanë agjendë të qartë autonome të veprimit dhe bazohen ekskluzivisht në prioritetet që burojnë nga ai dokument. Ato nuk bazohen në interesat e të tjerëve por mbajnë llogari për realizimin e interesave të tyre që burojnë nga platforma me të cilën kanë fituar zgjedhjet. Ta marrim këtë çështje nga një aspekt tjetër. Interes i kujt është qëndrimi i BDI-së në pushtet pa pushtet? Apo përkrahja e qëndrimit të kësaj partie në një pushtet ku nuk ka arritur të sjellë ligjin e UÇK-së, nuk ka bërë shqipen gjuhë të dytë zyrtare në Maqedoni (ashtu siç premtoi), nuk arrin të bëjë ndarjen proporcionale të buxhetit shtetëror, nuk arrin të ndalë vendosjen e busteve, luanëve dhe kuajve nëpër Shkup me para që mblidhen edhe nga taksapagues shqiptarë, nuk arrin të ndalë spektaklet që bën policia me fatet njerëzore të shqiptarëve…
Ky është interes i VMRO-DPMNE-së për të patur një shumicë të qëndrueshme në Parlament që do të garantojë një qeverisje të rehatshme për realizimin e rilindjes me 100 hapa, prej të cilave asnjë hap nuk buron platforma e BDI-së. Në bazë të kësaj logjike, partitë shqiptare duhet të zgjedhin midis interesave të VMRO-së dhe LSDM-së. Këto janë skemat politike në Maqedoni, ku nuk duheshka të ketë mes që quhet politikë duke u bazuar në interesat dhe nevojat e qytetarit shqiptar.
Megjithatë, ajo që duhet të kihet parasysh nga të gjithë politikanët është se shqiptari i Maqedonisë nuk pranon më arsyetime. Nëse ke premtuar ujësjellësin patjetër ta ndërtosh, pa mos u arsyetuar me borxhet e trashëguara apo edhe me bllokadën që të bën pushteti qendror. Nëse ke premtuar zyrtarizimin e shqipes nuk do të pranohet arsyetimi se është lënë për mandatin e ardhshëm për të kursyer rejtingun e partnerit qeverisës, qoftë LSDM apo VMRO. Të premtosh inkuadrim në NATO dhe BE e pastaj të arsyetohesh me mirëkuptim për partnerin qeverisës që nuk dëshiron kompromis për emrin si parakusht kyç për atë anëtarësim, nuk do të kalojë më në zgjedhjet e ardhshme. Ashtu siç nuk do të kalojë edhe premtimi për 100 mijë vende të reja pune. Protestat para selisë së BDI-së, e cila ishte një parti me legjitimitet në dhjetë vitet e kaluara, dëshmuan për një vetëdije tjetër qytetare te shqiptarët. Tentimi për të stigmatizuar këtë vetëdije për interesa të përfitimit personal nuk është gjë tjetër vetëm se nënçmim i inteligjencës kolektive të shqiptarëve.