“Banda e tritolit”, një killer i dytë në grup si Julian Sinanaj
Grupi i tritolit dyshohet se ka pasur edhe një killer të dytë, i të njëjtit kalibër si i penduari Julian Sinanaj. Shefat e kupolës së organizatës, i përdornin ekzekutorët për të realizuar punët e tyre të “interesit” dhe kur diçka nuk shkonte, i përdornin kundër njëri-tjetrit killerat për të zgjidhur problemet, por edhe për të fshirë gjurmët. Dhe nga hetimet e deritanishme rezulton se Julian Sinanaj njihej me killerin tjetër, dhe madje është urdhëruar përta hequr qafe atë në një rast, por plani ka dështuar. Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për J. M., një kontigjent tepër i njohur i policisë së Vlorës ndër vite, i përfshirë edhe në një pengmarrje të bujshme. Por Julian Sinanaj nuk ka pasur dijeni nëse edhe ky killer i dyshuar, ishte pjesë e të njëjtit grup dhe jo shënjestër, megjithëse është urdhëruar për ta hequr qafe në një moment të caktuar. Ndaj edhe ekspertë të policisë dhe prokurorisë po punojnë me kujdes për të gjetur fijen që do i çojë drejt killerit të mistershëm për t’i faktuar atentatet e tjera të bujshme ende pa autorë. Bëhet fjalë për ngjarje me të njëjtin dimension, të njëjtën mënyrë ekzekutimi dhe me shënjestra të njohura. Por për të cilat Julian Sinanaj nuk ka marrë përsipër autorësinë dhe ka lënë një boshllëk. Ndaj edhe pyetja e hetuesve që kërkon zgjidhje është nëse i njëjti grup ka pasur dy vrasës me pagesë, apo bëhet fjalë për dy grupe mafioze të veçanta, por që veprojnë me të njëjtën skemë. Referuar edhe dëshmive të N. Gj., fillimisht ai ka qenë si një ekzekutor dhe më pas ka kaluar ndihmës i Sinanajt. Pra, sipas ekspertëve, nga këto detaje kyçe ngrihet dyshimi se për ngjarjet e tjera të bujshme kemi një killer të dytë. Burime nga grupi hetimor thonë se nëse rrëfimet e të penduarve në procesverbale e regjistrime dalin të plota në media, atëherë hapet ‘Kutia e Pandorës’.
Dyshimet e hetuesve
Në numrin e djeshëm të gazetës “Dita”, raportuam se ngjarjet për të cilat ka marrë përsipër i penduari Julian Sinanaj dhe shoku i tij N. Gj., mund të kenë lidhje edhe me ato që nuk janë zbardhur. Pas atentateve në trekëndëshin Vlorë-Tiranë-Durrës qëndron një grup i mirëfilltë i organizuar dhe me skemë të qartë organizimi në veprim. Bosi i madh që e përcjell tek i besuari i tij më i afërt dhe ky që e kalon tek ushtarët besnikë që bëjnë ndërmjetësin dhe njëkohësisht mbajnë nën vëzhgim lëvizjet e ekzekutorëve. Kurse ekzekutorët kanë edhe ndihmësit e tyre për logjistikën. Për momentin janë zbërthyer grupet e ekzekutorëve, mbështetësi, ndërmjetësit dhe deri diku gjysmë-porositësi. Por mbeten të panjohur kreu i “Kubesë” dhe i besuari i tij. Burime nga grupi hetimor thanë se nga faktet e grumbulluara dhe dëshmitë, rezulton se grupi ka më shumë se një killer. Pra ka një grup ushtarësh të rekrutuar që rriten si killera dhe paguhen mirë, por që kanë edhe njohje nga armët dhe lëndët plasëse. Për momentin hetuesit kanë arritur deri tek i dyshuari J. M., si një ekzekutor i dytë i grupit.
Fijet që zbërthejnë grupin
Aktualisht Sinanaj ka marrë përsipër vrasjet e Sokol Veizit, Agron Çelës, atentatet me tritol ndaj Ardian Kollozit, Besnik Dervishit, ndërtuesit Ermal Brahimaj dy herë dhe po tentonte të hiqte qafe një biznesmen gazi me aktivitet në Durrës dhe banues në Tiranë. Por mbeten mister ngjarjet e tjera me të njëjtën skemë ekzekutimi. Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi më 2011, plagosja e kryekomunarit Fredo Berberi pak javë më parë, vrasja e biznesmenit të ndërtimeve Xhemal Çela në Durrës dhe disa atentateve të tjera paralajmëruese ndaj oficerëve të krimeve apo drejtues vendorë në Vlorë. Dora duket e njëjtë, por Sinanaj ka mohuar. Ndaj edhe hetuesit dyshojnë se qëndron një tjetër killer me ndihmës, që pritet të zbërthehen në vijimësi. Aktualisht të gjithë personat i ruhen njëri-tjetrit, sepse ndihen të kërcënuar dhe duan të pastrojnë gjurmët. Konomi, Çela dhe Berberi janë hedhur në erë me tritol në mes qytetit dhe në mënyrë demonstrative si në Siçilinë e viteve 60-të. Ndaj mendohet se paralelisht organizata mund të ketë dhënë dy urdhra ekzekutimi njëkohësisht për killera të ndryshëm të paguar. Dhe gjatë hetimit ka dalë emri i J. M., një kontigjent krimi i njohur në Vlorë, për të cilin Sinanaj është paguar ta heqë qafe, por nuk e ka bërë dot. Organizata ka menduar edhe për të ndëshkuar ekzekutuesit, ose për të pastruar gjurmët e krimit, që të mos mbeteshin dëshmitarë.
Mëhillajt pas porosive të Kollozit, biznesmenit të gazit dhe 2 vrasjeve
Julian Sinanaj, i akuzuar si killeri i serialit të vrasjeve dhe atentateve të bujshme, njëkohësisht i penduar i drejtësisë, ka rrëfyer në detaje se si bëri atentatin me eksploziv ndaj ish-deputetit demokrat Ardian Kollozi, nga e mori porosinë, sa u pagua dhe për sa ditë e finalizoi. Në rrëfimin e tij të regjistruar dhe filmuar nga grupi hetimor, Sinanaj ka pranuar se kishte marrë porosi nga kushërinjtë Erion (Andon) Mëhillaj dhe Genis Mëhillaj, por arsyen pse do i vendosej eksploziv ish-deputetit Kollozi nuk e dinte.
“M’u kërkua që të mos shkaktoja të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale, për ta frikësuar. Përgatitjet i nisa në muajin maj, duke pirë kafen shpesh në lokalin e pallatit ku jetonte Kollozi. M’u dhanë 7500 euro për të kryer këtë punë nga kushërinjtë Mëhillaj”, ka rrëfyer 31-vjeçari. Dyshimet janë disa borxhe që në atë kohë kreu i ALUIZNI-t kishte, ndërsa atentati u bë më 1 qershor, në kulmin e fushatës elektorale. Para atentatit, ka kontrolluar nëse ka pasur kamera vëzhguese të bizneseve përreth shtëpisë së kreut të PD-së së Vlorës dhe lëvizjet e Kollozit. “Nuk ma thanë arsyen e atentatit, por dukej që donin ta trembnin. Pasi ka siguruar mbi gjysmë kilogrami tritol, e ka montuar me celular dhe në orët e vona është ngjitur në katin e dhjetë të pallatit. Tritolin e ka vendosur pranë derës dhe kur ka zbritur e shpërtheu. Dëmet ishin vetëm në materiale, në disa milionë lekë.
“Pas ngjarjes ika në shtëpi për të fjetur dhe në mëngjes u ktheva përsëri për të pirë kafen në lokalin poshtë pallatit”, ka thënë Sinanaj. Por ai i tha prokurorëve se nuk e dinte kush ishte porositësi real i atentatit, nëse ishin vetë Mëhillajt apo persona të tjerë të fshehur pas tyre. Ai ka pranuar se ka marë porosi për vrasjen e një biznesmeni të gazit në Durrës, por që jetonte në Tiranë. Dita ishte 25 janari dhe vendi te Liqeni Artificial. E ka ndjekur për disa ditë dhe i ka kërkuar ndërmjetësit N. Gj., t’i sillte makinë. Ky i fundit ishte trembur dhe më tej denoncoi në polici. Përsëri porosia kishte ardhur nga kushërinjtë Mëhillaj. Për këtë atentat i ishin ofruar mbi 100 mijë euro.
Pak orë para se të kryente krimin, afër “21 Dhjetorit”, Sinanaj u arrestua në shoqërinë e të dashurës së tij. Iu gjetën fotografi të biznesmenit dhe të viktimave të tjera. Ndërsa ka pranuar se ka vrarë Sokol Veizin në Orikum më 2012 i paguar nga Mëhillajt me një apartament. Ka vrarë më vonë edhe biznesmenin Agron Çela në gusht 2013 dhe është paguar 35 mijë euro. “Ky është krimi i vetëm për të cilin jam penduar, sepse e vrava në sy të fëmijëve”, ka thënë Sinanaj. Ndërkohë që policia dhe prokuroria ka marrë masat që familjet e N. Gj., dhe Sinanajt të ruhen në masa të rrepta sigurie, pasi janë të kërcënuara.
“Kollozin dhe Dervishin i kisha miq, s’u vura tritol”
Megjithëse prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, deklaroi se as nuk e njeh dhe as e ka takuar ndonjëherë të dyshuarin që ka porositur bombën C4 me celular në atentatin e dështuar ndaj tij, Marion Mitro i ka thënë gjyqtares së gatshme Etleva deda, ditën e djeshme gjatë masës së sigurimit personal, se ai i kishte miq prefektin dhe ish-deputetin Ardian Kollozi. Madje ai ka pranuar se e ka mik edhe Julian Sinanajn, që e njeh prej vitesh, por është habitur nga deklaratat e tij. I mbrojtur nga një avokat i caktuar nga shteti, Remzi Ponari, i arrestuari 43-vjeçar është mbrojtur duke thënë se nuk kishte konflikte me zyrtarët lokalë dhe nuk është autor i krimeve për të cilat akuzohet. Gjykata e Krimeve të Rënda e la në masë “arrest në burg”, në një seancë me masa të rrepta sigurie dhe dyer të mbyllura. Pak minuta pas tij u mor masa e sigurimit personal edhe ndaj N. Gj., 30 vjeç, nën statusin e të penduarit, i cili u la po në “arrest me burg”. Më parë ishte zhvilluar në fshehtësi të plotë për efekte sigurie, edhe masa ndaj Julian Sinanaj, 31 vjeç, po me status bashkëpunëtori në këto momente, që akuzohet si ekzekutuesi i porosive.
Masa ndaj Mitros dhe N. Gj.
Nën masa të rrepta kanë mbërritur mëngjesin e djeshëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të marrë masën e sigurisë dy anëtarët e “bandës së tritolit”, N. Gj., dhe Marion Mitro. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura gjykata dha masën arrest me burg për Mitron, i cili akuzohet si porositës i disa shpërthimeve me tritol, mes të cilëve edhe ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Drevishi. Mitro është mbrojtur nga avokati i caktuar nga shteti Remzi Ponari. “Klienti im tha se i njeh personat e dëmtuar dhe i ka miq ata, ndaj nuk kishte arsye pse të kryente krimet për të cilat akuzohet”, tha avokati pasi doli nga salla e gjyqit. “Edhe Julian Sinanaj e njoh, e kam shok, por nuk e prisja këtë akuzë prej tij”, ka thënë Mitro. Prefekti Dervishi në një intervistë për “Dita”, deklaroi se “nuk e njoh Marion Mitron dhe as e kam takuar ndonjëherë, por ata që e njohin e dinë se cilit klan i përket”.
“Arrest me burg” është masa që u dha edhe për të penduarin N. Gj., 30 vjeç, kallëzimi i të cilit bëri që të zbulohet edhe zinxhiri i vrasjeve me tritol. N. Gj., nga Vlora, ishte personi që i siguronte bazën materiale vrasësit me pagesës Juljan Sinanaj, i cili ka pranuar se ka kryer 27 vrasje në shtetin grek dhe vendin tonë. Ndërmjetësi i ka thënë policisë së Sinanaj e kërcënonte që t’i gjente mjetet për të vrarë një biznesmen karburantesh nga Durrësi, ndaj edhe kërkoi ndihmë pasi ishte frikësuar. Më parë ishte zhvilluar në sekret të plotë edhe masa e sigurisë ndaj Julian Sinanaj, të akuzuar si killer për këto ngjarje, që merrte porosi dhe i ekzekutonte. Masa është bërë e fshehtë për shkak të sigurisë fizike të të penduarit. Akuzat e ngritura janë “akte terroriste” dhe “mbajtje të lëndëve plasëse dhe armëve”.
Dosja e krimeve/Të gjitha akuzat e grupit të tritolit dy vitet e fundit
Julian Sinanaj akuzohet si ekzekutori i të gjitha porosive. N. Gj., dyshohet si personi ndërmjetës mes porositësve dhe ekzekutorit, që i mundësonte këtij të fundit të gjitha mjetet që i duheshin për të bërë bombat me telekomandë. Marion Mitro, ish-inspektor i Bashkisë së Vlorës deri para pak muajsh, njëkohësisht edhe pronar lokali në Ujin e Ftohtë, akuzohet si porositës, së bashku me kushërinjtë Genis dhe Erion (Andon) Mëhillaj, këtë të arratisur dhe në kërkim. Sipas rrëfimit të dy të penduarve, N. Gj., dhe Sinanaj, me porosi të Mëhillajve dhe me pagesë, ata kanë vrarë në gusht 2012 peshkatarin Sokol Veizi në Orikum, në gusht 2013 biznesmenin Agron Çela në Vlorë. Po në gusht 2013 kanë vendosur dy herë eksploziv në motoçikletën dhe makinën e ndërtuesit Ermal Brahimaj te Rruga Transballkanike, duke e plagosur lehtë. Në qershor 2013, me porosi të Mëhillajve kanë vendosur tritol për paralajmërim në banesën e ish-deputetit Ardian Kollozi dhe në dhjetor 2013, eksplozivin në makinën e prefektit besnik Dervishi, me porosi të Marion Mitros. Po hetohen edhe për një serial tjetër atentatesh pa autorë, por priten dëshmitë në vijim.