adem_demaciSimboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi ka dalë sot në mbrojtje të veteranëve të UÇK-së dhe ka kritikuar fort pushtetarët e pasur, të cilët nuk po i plotësojnë kërkesat e kësaj kategorie që dha shumë për luftën.Në akademinë përkujtimore me rastin e shënimit të 17-vjetorit të rënies së heronjve të Kosovës, komandant Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të lirisë, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, Demaçi ka folur, siç ka thënë ai, në emër të heronjve dhe të dëshmorëve. Sipas tij, shumë ish-luftëtarë të UÇK-së, të veshur me pushtet, sot po jetojnë në një luks të skajshëm, ndërsa shumica e veteranëve janë rrugëve dhe në varfëri të skajshme. “Kemi vërejtje për shumë shokët tanë, të cilët e harruan luftën, të cilët filluan të merren me biznese dhe me punë jo të drejta, të cilët po mendojnë si të pasurohen. Sikur mos të ishte kështu, veteranët tanë që 15 vjet nuk do të silleshin rrugëve pa punë dhe të kërkojnë se si të ekzistojnë dhe të gjejnë një punë, ndërsa ne ua shtyjmë ligjin jo sivjet, jo në mot se s`ka buxhet, s`ka para. Parat janë, por ato shkojnë në drejtim të gabuar. Parat shkojnë në xhepat e atyre 40 për qind të firmave të ndryshme që punojnë në Kosovë dhe nuk i paguajnë tatimet. Nuk i paguajnë tatimet, sepse janë lidhur me disa njerëz që harruan luftën tonë dhe detyrën e tyre, pra i mbushin bashkë me ta xhepat, kurse buxheti ynë mbetet i mangët”, ka thënë Demaçi.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka deklaruar se shumë pushtetarë të tashëm po mendojnë që të jetojnë mirë dhe të kenë beneficione edhe pasi të largohen nga pushteti. “Nëse nuk paska buxhet tjetër, pa ndaluni o vëllezërit tanë. Këto janë fjalë të atyre, por po i flas unë, sepse ata nuk kanë mundësi t’i flasin, a mos i jeni lëshuar luksit pak si tepër? A mos po shëtitni fort me këto veturat super moderne e të shtrenjta? A mos i keni rregulluar këto zyrat e juaja shumë luksoze? A mos deputetët e këtij populli, duke u munduar që të fitoni tash, e të mendoni që edhe kur të hiqeni nga këto pozita prapë të keni rroga e beneficione, në këtë varfëri të skajshme në të cilën është duke jetuar populli i ynë. A mos e keni harruar luftën tonë?”, është shprehur Demaçi.
“Epoka e re”