bedri_islamiNuk dua të futem nëpër labirintet e enigmave që tani, pas kaq shumë vitesh, po duan të shfaqen si të tilla. Kori i shtrigave, si te Makbethi, është ngritur tashmë nga hijet e varrezave për të bërë edhe një “performancë” makabre, duke sjellë në ndihmë gjithfarë udbashi, këtej e matanë kufirit, të njohur si të tillë prej viteve dhe, të cilët, vetëm në një vend si Kosova mund të mbijetonin politikisht. Nuk dua të futem në ngastra të tilla, pasi njerëzit që e përbënin Lëvizjen Popullore të Kosovës i njoh thuajse të gjithë, ua di vlerat, virtytet, pasionet, por edhe dobësitë e mangësitë që kanë. Prej më shumë se 20 vjetëve jam pjesë e tyre, herë-herë si një pjesë e zakonshme, më shpesh se publicist, e kur është dashur kam marr përsipër edhe misione të tjera. Nëse mund të ketë diçka për të cilën në jetën time jam i bindur, krejt i qetë, është devotshmëria e njerëzve që e përbënin Lëvizjen Popullore të Kosovës, po ashtu edhe Lëvizjen Çlirimtare në viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Nuk duhet harruar se, në fund të fundit, fillesën e shkërmoqjes, ai palo shtet i sllavëve të jugut, e kishte pikërisht në Kosovë, pikërisht nga këta njerëz të cilët, krejt njerëzisht, bën një histori moderne e njëkohësisht epike. Nuk dua të bëj gjithfarë parantezash për të theksuar një të vërtetë të dukshme, e cila i bëri të padukshme në Kosovë ushtrinë serbe, policinë dhe gjykatat serbe, doganat serbe, i bëri të mosqena strukturat e hetuesisë dhe të prokurorisë serbe, shërbimin e fshehtë ushtarak serb e, më në fund, hoqi edhe strukturat themelore të UDB-së, paçka se ende kanë mbetur rrjedhimet e saj. Kjo ndodh me çdo komb, gjithsecili prej kombeve ka mbeturinat e veta njerëzore, ashtu si ka edhe fisnikërinë e tij. Këtë fisnikëri unë e kam gjetur 20 vjet më parë.
Mjaft njerëz, në vite të ndryshme, më kanë pyetur, si dhe pse u bashkova me Lëvizjen Popullore të Kosovës. Herë pas here në librat e botuar nga unë, por edhe në artikujt që kam shkruar, kam dashur t’u tregoj njerëzve se si ndodhi fillimi i kësaj historie, takimet e para të rastësishme dhe si për të parathënë shumëçka, takimet e para ishin në përkujtimin e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, të cilat, edhe pse ndodhën rastësisht, do të vinin një ditë; përfshirja gjithnjë e më thellë në ngjarjet e kohës, bisedat e para, nganjëherë tepër të gjata, pyetjet e mia dhe rastet kur nuk merrja përgjigje, por e vetmja gjë që nuk kam pasur, ka qenë ngurrimi. Nuk kam ngurruar asnjëherë të bëhem pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Fillimisht u takova me tre njerëz të ndryshëm, përfaqësues të Lëvizjes Çlirimtare, të cilët, në tërësinë e tyre, mund të jenë shëmbëlltyra e asaj që ishte vetë ajo.
Takova Ali Ahmetin, njeriun mentar, të qetë, të durueshëm, bindës në fjalën e tij, i kujdesshëm për të dëgjuar deri në fund, edhe kur nuk ishte i një mendje me të; i sinqertë dhe i pasionuar jashtëzakonisht pas librave. Në shtëpinë e tij mund të gjeje shumë nga librat e kohës, ai vetë i përpinte librat, asaj kohe ishte i përqendruar më shumë te literatura politike, historia dhe diplomacia, por me të mund të flisnim me orë të tëra për Migjenin, Mjedën, Fishtën, Dostojevskin e deri edhe për poetët modernë.
Takova Ibrahim Kelmendin, njeriun enigmë të Lëvizjes, vrulli i të cilit i përshtatej fare mirë kuptimit të strukturës ku bënte pjesë, pra i lëvizshëm brenda një elementi të lëvizshëm, nganjëherë i rrëmujshëm, i hapur për të gjitha llojet e temave. Ndryshe nga disa të tjerë ai nuk kishte asnjë lloj nostalgjie për regjimin e shkuar në Shqipëri në të kundërtin, e kishte stigmatizuar shumë herë atë, ndaj edhe kishte qenë i padashur; si do të ishte më pas i padashur për regjimin e Berishës. I shkujdesur për sulmet që i bënin, por edhe njeriu që kishte rrëzuar mitet brenda organizatës.
Takova Fehmi Lladrovcin krejt ndryshe nga Kelmendi, megjithëse ishin shumë miq. Fehmiu ishte njeriu që çdo gjë e merrte dhe e kuptonte shumë seriozisht. Ai e merrte seriozisht luftën, e merrte organizatën shumë seriozisht, megjithëse më pas do të ishte i pari që në marsin e vitit 1998 do të shkëputej nga të gjitha strukturat partiake për t’iu kushtuar vetëm luftës; i trajtonte shokët me kujdes të veçantë, i dhimbshëm dhe njeri që nuk mund të dëgjonte asgjë të pahijshme, drenicak me përmasat e të gjithë Shqipërisë, njëlloj i njohur si në fshatin e tij të lindjes, ashtu edhe në Strugë e Zagreb. Nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë për veten, adhuronte Adem Jasharin dhe Adem Demaçin. Këta ishin dy idhujt e vetëm që kishte dhe, megjithëse ishte njeri i durueshëm, me vete barte vetëm një ngutje: kthimin në Kosovë.
I pari, Ahmeti dhe Lladrovci më ftuan të isha pjesë e Lëvizjes; me Kelmendin fillimisht, ditët e para nuk u morëm vesh, ndoshta u keqkuptuam, pastaj u bëmë miq të afërt dhe e kam respektuar për sinqeritetin, haptësinë dhe durimin që kishte pasur në gjithë ato vite, megjithëse mbi të ishte hedhur një mal me baltë. Shumë vite më vonë, me sinqeritet, Hashim Thaçi do më thoshte se, sikur secilit prej nesh t’i kishte ndodhur ajo valë sulmi, si kishte ndodhur me Kelmendin, ndoshta do të ishim tërhequr.
Përse përmenda këto tri njohje, kur kam edhe qindra të tjera, për të cilat do të flas më poshtë? Sepse në vetvete ata janë në një formë ose tjetër, mishërimi i një jete në përpjekje ose, më saktë, paraqitja tredimensionale e Lëvizjes. Në njërën anë njeriu i ilegalitetit, i lindur për të punuar në konspiracion, pakëz romantik në shpirt, ashtu si ishte vetë Lëvizja me nocione e vizion romantik, të mbartur që nga Lidhja e Prizrenit; njeriu që përpiqej t’i lidhte njëqind fije për ta bërë të mundur fillesën e rezistencës së armatosur, njërën këmbë e kishte në perëndim, tjetrën në të gjitha viset e vendlindjes, ndërkohë që më shumë e gjeje në Drenicë, te Shaban Shala apo Lladrovcët, sesa në fshatin ku kishte të parët, në Zajaz. Në fakt, ky ishte edhe perceptimi i drejtë dhe vizionar i Lëvizjes: heqja e ngastrave të krahinave, të fiseve, të ndarjes mes luginave dhe shpateve, mes besimeve dhe paragjykimeve, duke i përmbledhur të gjitha nën një emër: Kosovë. Lëvizja kishte pasur guximin të shihte edhe atë që të tjerët nuk e mendonin dot, kishte gjetur mundësinë të ngrinte një vizion kur të tjerët ishin mbyllur ose në rrethin vicioz të autonomistëve ose, më pas, të pacifistëve; ajo kishte ngritur një rrugë të vështirë kur të tjerët as që mund ta mendonin. Në fund, denjësisht, kishte bërë të mundur që mbi ngrehinën e së djeshmes që mbahej mend, të fillonte një të nesërme që do të kishte vendin e saj. Nuk e kam parë kurrë Ali Ahmetin si zajazas apo si kërçovar, sepse nuk e kam parë kurrë Lëvizjen si e shkëputur nga i gjithë kombi. Lëvizja ishte e njëjtë si në mentalitetin e Ukshin Hotit, i cili, edhe kur ishte nën gjykim, në atë sallë të përgjakur, u dërgonte përshëndetjet e tij shokëve të Lëvizjes, por ishte e tillë edhe në vështrimin e Dritëro Agollit, të Xhevahir Spahiut, të Shaban Sinanit, të Ali Podrimjes, të Gjelosh Gjokës, të Moikom Zeqos, të Sabri Godos… pra nuk kishte qenë i gabuar vështrimi im, ai kishte qenë i njëjtë me shikimin e një plejade elitare. Ky fakt, nëse nuk më bënte vetëm të lumtur, më bënte ta ndjeja nderin që më kishin bërë duke qenë pjesë e tyre. Ky ishte një kënd i Lëvizjes, hapësira e saj, tejet gjeografike, aspak krahinore, tejet e përbashkët, aspak e përndarë; tejet njerëzore, aspak inatçore; tejet e kujdesshme, aspak mohuese; thellë klandestine, aspak llafazane; me njerëzit e së cilës mund të rrije më mirë se me veten tënde.
Por ajo kishte edhe një kënd tjetër, po ashtu human, larg meskines, njëkohësisht larg dëshirës vetëm për vete. Qindra njerëz i ishin bashkuar asaj në perëndim. Këta njerëz, larg atdheut, ndoshta i kishin të gjitha ato që mund të dojë një njeri meskin, por që në fund të fundit janë të zakonshme e njerëzore. Thashë ato që mund të dojë një njeri meskin kur atdheu i ka të gjitha, dhe meskineteti yt është vazhdimësi e një jete monotone. Por atdheu, një pjesë e saj, Shqipëria e jashtme, nuk ishte një vend i lirë, e për këta njerëz në perëndim njerëzorja ishte të mbështetej Lëvizja Çlirimtare. Unë i kam parë këta njerëz, kam bujtur te ta, kam ngrënë te vatrat e tyre, (në fakt, asnjëherë, asnjëri nga ne, “të zgjedhurit” apo “të deleguarit”, nuk fjetëm nëpër hotele), kam parë merakun e tyre se si mund të vejnë punët më tej, por kurrë nuk e kam ndjerë hallin e tyre vetjak. Këta njerëz, që edhe mund të rrinin nën qiellin e jetës së tyre, nuk e bënë kurrë këtë, ata iu bashkuan Lëvizjes jo se deshën gjë prej saj, sepse nuk e dinte askush se kur do të vinte kjo e ardhme, por sepse kishin besim te Lëvizja. Disa prej tyre u burgosën sapo shkelën në Kosovë, si Hysen Gega, Islam Rafuna e shumë të tjerë; disa nuk u kthyen më ne perëndim, të tjerë, kur erdhi momenti, dërguan bijtë dhe bijat e veta në luftë. Kjo nuk ndodhi sepse fjalët e “liderëve” ishin të bukura, por sepse ata të mbushnin me besim, sepse ideja ishte e të gjithëve dhe sepse, në fund të fundit, ata kishin shkuar vetë të parët. Më shumë se 10 mijë veta, në një periudhë të shkurtër kohore, prill 1998 – qershor 1999, u kthyen në Kosovë, jo për të bujtur, por për të luftuar.
Këndi tjetër, më i rëndësishmi i Lëvizjes, ishte përgatitja për rezistencën e armatosur. Fehmi Lladrovci është një nga tipizimet më reale të saj. Nuk mund të kuptohej Lëvizja me konferenca shtypi. Ajo kishte lindur e përgjakur dhe fati e donte që jeta e saj të vazhdonte, po ashtu, e përgjakur, për ta ndalur gjakderdhjen e një kombi. Ky ishte misioni final i saj dhe askush tjetër nuk e bëri më denjësisht atë. Balta që përpiqen t’i hedhin sot, që nga udbashët e shpallur dhe deri te të pashpallurit, është më shumë se mëria për atë që Lëvizja bëri.
Dikush tha se në mesin e luftëtarëve të UÇK-së kishte 140 njerëz të shërbimit të fshehtë serb. Le të themi se kjo është e vërtetë, ta pranojmë për të tillë. Por kjo dëshmon për dy gjëra themelore: së pari, frikën, drojën, ankthin që kishte regjimi pushtues nga Lëvizja Çlirimtare, saqë detyrohej të dërgonte një “armatë” mes tyre, që të mund të dëmtonte atë, ta shprishte, ta dërrmonte. Së dyti, nëse ndër më shumë se 30 mijë luftëtarë të uniformuar dhe më shumë se kaq në njësitet e fshatrave dhe të zonave, UDB-a kishte dërguar 140 veta, kjo do të thotë se afërsisht në çdo gjashtëqind luftëtarë ajo kishte vetëm një informator. Dhe, me gjithë këtë, ajo nuk e ndali dot luftën, aq më keq për të, nuk e fitoi. Mjerisht, më pas, dikush i amnistoi këta antishqiptarë, por kjo është një temë tjetër, që del jashtë Lëvizjes.
Interesant do të ishte të dihej se sa vetë dërgoi shërbimi i fshehtë serb në LDK… Do të ishte e vështirë të dihej e vërteta, por në kahun tjetër sa vetë ishin jashtë saj.
Vendimin për organizimin e Luftës çlirimtare lëvizja nuk e mori se ia deshi qejfi të luftonte, ose se nuk mund të jetonte ndryshe. Kushdo do të kishte dashur që liria të vinte nëpërmjet konferencave të shtypit. Ndoshta për këtë dëshirë fisnike Lëvizja në fillimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me gjithë vrerin ndaj saj, nuk u fut në lojën e pistë të udbashëve, përkundrazi qëndroi e qetë e diku-diku edhe e ndihmoi. Por, kur gjërat po dilnin nga normalja, kur rregulli i parë i pushtetit serb ishte dhunimi dhe linçimi i shqiptarëve, kur liria po bëhej e largët dhe “pacifizmi” po korrte frytet vetëm për liderët ldkistë, ndërsa Kosova po zbrazej, gjërat duheshin ndryshuar. Vendimi për rezistencën e armatosur, me synimin drejt kryengritjes së përgjithshme, nuk erdhi në kokën e asnjë lideri, ai vendim doli nga Drenica dhe nga Dukagjini, nga Tetova, Struga dhe Llapi dhe nuk doli rastësisht. Këshillat popullore të Lëvizjes në këto zona thanë se mjaft u dënuan për një flamur, për një këngë, për një thirrje, asgjë e mirë nuk po ndodh, ndaj duhet të shndërrohemi në njësitë kryengritëse. Kërkesën e parë e bëri Këshilli i Drenicës nëpërmjet Adem Jasharit, Sami Lushtakut, Hashim Thaçit, Ramiz Lladrovcit, Ilaz Kodrës, Nuredin Lushtakut, Fadil Kodrës, Sahit Jasharit, Besim Ramës, Rafet Ramës. Ata kërkuan që gjithçka të shndërrohet në njësi luftarake. Kërkuan që Lëvizja t’i merrte përsipër aksionet e tyre, sepse nuk donin luftë kaçake, nuk donin të hidhnin dy-tri pushkë dhe të shpërndaheshin. Ishte qershori i vitit 1992. Emrat që përmenda më sipër, edhe të tjerë që nuk i thashë si të Jakup Nurës e shumë e shumë, ishin të gjithë anëtarë e drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Një plejadë e ndritur.
Përmasa e tretë, më realja dhe më e jashtëzakonshmja e Lëvizjes, lufta e armatosur, duke qenë përcaktimi final, i dhimbshëm, por i domosdoshëm, do të kishte me vete simbolikën e njerëzve që e kishin filluar atë, duke u sakrifikuar. Por do të kishte me vete edhe simbiozën e të tjerëve, të cilët i njoha në një periudhë të jashtëzakonshme, të vrullshme, kur gjithçka mund të thepisej nga momenti në moment dhe kur, mrekullisht, u bë shndërrimi i saj nga një Lëvizje klandestine në një partner i denjë i botës perëndimore, ku duke ecur mes dy zjarreve, tankeve serbe dhe policisë së fshehtë serbe, nganjëherë edhe mes njerëzve që besonin te sinqeriteti i fjalës, u bë e mundur të ketë një vazhdimësi të jashtëzakonshme. Asgjë nuk erdhi nga lart, asgjë nuk ra si pikë nga qielli. Atë e bënë njerëzit, për disa nga të cilët do të shkruaj në numrin e fundit të këtij cikli… (VIJON)