qemal-minxhoziPresidenti i Republikës Bujar Nishani, gjatë këtyre javëve ka miratuar kandidaturat për disa ambasadorë, të cilat kanë kaluar për seancë dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme në Parlament, shkruan sot gazeta Koha Jonë.
Sipas kësaj gazete,e cila thotë të citojë burime të nga Presidenca, presidenti Nishani ka  miratuar kandidaturën e ish-deputetit Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Kandidatura e zotit Minxhozi është propozuar nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm, dhe presidenti do ta paraqesë javën e ardhshme në Komisionin për Politikën e Jashtme, në të cilën zoti Minxhozi do të marrë pjesë në seancën dëgjimore.

Minxhozi është zgjedhur deputet për Qarkun e Dibrës në zgjedhjet e përgjithshme për dy mandate radhazi 2005-2009 dhe 2009-2013, dhe ka qenë anëtar i Komisionit për Politikën e Jashtme.

Qemal Minxhozi ka gjithashtu një eksperiencë në diplomaci ku ka qenë shumë aktiv duke shërbyer si Ambasador i parë i Shqipërisë në Danimarkë gjatë viteve 2002-2005, dhe mbahet mend si ndër ambasadorët më të suksesshëm që ndikoi në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Dje Komisioni për Politikën e Jashtme në Parlamentin e Shqipërisë ka zhvilluar seancën dëgjimore për tre kandidatët për ambasadorë të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë: Pëllumb Qazimi në Republikën e Sllovenisë, Ermir Gjinishi në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Ilir Boçka në Republikën e Serbisë.