edi-rama1Situata e krimit në vend dhe operacioni i fundit i policisë që coi në prangosjen e pjesëtarëve të një grupi tritol-vënës, ishin në qendër të debatit mes maxhorancës dhe opozitës në seancën e kësaj të enjte në Kuvend. Kryeministr Rama tha se situata nuk është e zakonshme dhe nuk mund të fshihet. Për t’u përballur me krimin, kryeministri paralajmëroi reforma edhe në shërbimet e inteligjencës kombëtare.

“Sigurisht që ky muaj ka shënuar një përkeqësim të ndjeshëm, sidomos psikologjik për shkak të risisë negative në tërësinë e aktiviteti kriminal. Aktet terrorizuese, goditjet kriminale me tritol. Ky është një fakt, jo vetëm i pamohueshëm por më shmë se sa i pamjaftueshëm se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks se sa thjesht reagimi i Policisë së Shtetit. Së shpejti në parlament do të vijë për shqyrtim një reformë ligjore për rendin publik, po ashtu do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, për të cilat po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë. Ky është një fakt më shumë po ashtu për të kuptuar se niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare jo vetëm i SHISH-it që ngrihet në një ligj të vitit 1998, që nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Edhe këtu lipset një reformë tërësore, ligjore dhe organizative e cila ka filluar sic ka filluar edhe strategjia e re e sigurimit kombëtar”, tha Rama.

Edi Rama kritikoi opozitën e cila sipas tij, pavarësisht operacionit që ai e cilësoi spektakolar të policisë, nuk e tha një fjalë të mirë për uniformat blu. Rama tha se policia është në proces ristrukturimi thelbësor që do të vazhdojë.

“Pas operacionit spektakolar të policisë që zbuloi zullumin e tritolit, heshtët. Nuk thatë një fjalë të mirë për policinë. Shtetin që ju rrënuat ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë, Policinë e Shtetit që e lidhët këmbë e duar me nyjet e paaftësisë në do të vazhdojmë ta zgjidhim. Që Shqipëria të shpëtotne nga krimi, duhet të shpëtonte më parë nga pushteti juaj”, tha Rama.

“Janë hedhur bazat e një ristrukturimi të plotë dhe ka marrë fund nënshtrimi politik, janë ndryshuar pagat për punonjësit në terren që e bën policinë sot të aftë, që jo vetëm të sekuestrojë sasi të mëdha droge dhe operacione si ai i djeshmi dhe ju siguroj që ky është vetëm fillimi. Shifrat flasin vetë, zbulueshmëria e krimeve është rritur ndjeshëm. Janë kapur 15 përqind më shumë persona brenda vendit dhe 111 përqind persona më shumë në kërkim ndërkombëtar”, vijoi Kryeministri.

“Ju bëni politikë me krimin, ne bëjmë luftë me krimin. Politika juaj e frymëzon krimin, ne do ta cojmë krimin aty ku e ka vendin dhe ky është vetëm fillimi”, mbylli fjalën Rama.