azem-eminiPraktikat bashkëqeverisëse të partive politike shqiptare në Maqedoni kanë zbuluar një paradoks, që lidhet me papërcaktueshmërinë e linjave ideologjike të tyre. Nëse një parti politike shqiptare e keni ndeshur të proklamojë ide liberale e socialdemokrate para 7-8 vitesh, tani nuk mund t’i dëgjoni ato. Ose e kundërta, nëse tek një parti tjetër shqiptare keni hasur para disa vitesh ide konservatore e të djathta, tani ato sikur janë “avulluar”.
Hermafrodizmi ideologjik i partive politike shqiptare në Maqedoni, sigurisht që e ka edhe koston e tij. Përfituesit më të mëdhenj nga ky hermafrodizëm janë kryeministrat maqedonas, të cilët punën e parë që bëjnë kur i ftojnë në kabinet ministrat shqiptarë, është heqja e çfarëdo lloj “veshjeje” doktrinare- nacionale nga “gardëroba” e tyre partiake
Pse ndodh kjo te partitë politike shqiptare? Sigurisht, jo për shkak të ndonjë evoluimi të natyrshëm të tyre, apo për shkak të ridefinimit në praktikë të doktrinave ideologjike.

Partitë shqiptare pa kompas ideologjik

Përderisa te partitë politike maqedonase ruhet kontinuiteti i linjës ideologjike, kjo nuk ndodh tek partitë shqiptare. Këto të fundit përshtatshmërinë ideologjike e bëjnë në varshmëri, se me cilën parti politike maqedonase bëjnë koalicion. Nëse partneri maqedonas është konservator (i djathtë), ky nuk është problem për partinë politike shqiptare, e cila deri dje proklamonte ide të majta e socialdemokrate, sot të mos i përmend fare. “Shkrirja” ideologjike, sipas tyre, ndodh për hir të pragmës dhe s’ia vlen barra qiranë, thonë ata, që për shkak të doktrinës politike të prishësh punë dhe të mos “kurorëzohesh” me një parti tjetër politike, e cila ka pikëpamje diametralisht të kundërta ideologjike e botëkuptimore mbi ekonominë, sistemin shëndetësor, arsimin, politikën sociale etj.

Gjithkund në botë, praktikat qeverisëse dallojnë nga njëra tjera edhe për shkak të linjave ideologjike Politika e reformave ekonomike, risitë në sistemin shëndetësor e pensional, politika e jashtme, politika agrare, nxitja e resurseve zhvillimore tek popullata e re etj., mund të jenë targetet strategjike, ku partitë politike në Perëndim zbatojnë doktrinat e tyre ideologjike. Mirëpo, atje nuk ndodh që dy ideologji të kundërta të shpiejnë në fund reformat me karaktere të ndryshme sociale, ekonomike, politike Është shumë legjitime që partitë politike edhe te ne të bëjnë koalicionime mbi baza të ndryshme ideologjike. Mirëpo, kjo do të duhej të afishohej që në start, në mënyrë që opinioni të përgatitet për politikat hermafrodite, të cilat mund të dalin nga kjo tipologji koalicionesh. Ose, një parti politike shqiptare që ka shkelur një herë parimin e kalimit nga e djathta në të majtë dhe anasjelltas, është mirë që në të ardhmen lidershipi dhe ideologët e asaj partie të mbajnë llogari për diskursin publik, sidomos për pjesët ku flitet për ekonominë, politikën sociale, reformat institucionale etj., sepse jo rrallë, nëpër fushata proklamohet një linjë liberale, kurse në qeverisje praktikohet qasja konservatore mbi këto problematika.

Politikat hermafrodite të shqiptarëve që ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase, janë të destinuara të krijojnë surrogate të politikëbërjes gjoja pragmatike, që në fakt prodhojnë një boshësi pa kurrfarë tingëllime substanciale. Në mungesë të një kompasi ideologjik, partitë shqiptare jo rrallë humben në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguajnë zgjedhësit.

Këneta e bajraktarëve

Hermafrodizmi ideologjik i partive politike shqiptare, sigurisht që e ka edhe koston e tij. Përfituesit më të mëdhenj nga ky hermafrodizëm janë kryeministrat maqedonas, të cilët punën e parë që e bëjnë kur i ftojnë në kabinet ministrat shqiptarë, është heqja e çfarëdo lloj “veshjeje” doktrinare-nacionale nga “gardëroba” e tyre partiake. Prandaj, me siguri iu ka rënë të shihni për këto 20 vite plot ministra shqiptarë, se si janë sorollatur nëpër kabinetet e kryeministrave maqedonas të “zhveshur” nga të gjitha nuancat identifikuese politike e ideologjike. Kjo “nudo” politike e shqiptarëve ka promovuar që herët një hedonizëm të veçantë në këtë kënetën tonë të madhe të bajraktarizuar nga bishti i aftësive dhe shterpësive.

Me këtë hermafrodizëm ideologjik, partitë politike shqiptare në Maqedoni zor se do të arrijnë të ndërtojnë ndonjë strategji stabile veprimi, pikërisht në kohën kur po ndodh ballafaqim i fortë në mes të dy blloqeve të mëdha politike maqedonase. Pyetja e natyrshme që shtrohet me këtë rast është nëse politikanët shqiptarët do të pranojnë të bëhen “material” harxhues i këtij sanduiqi që të zë frymën, apo do të refuzojnë rolin inferior të sehirxhinjve. Kauza politike e opozitës së ardhshme maqedonase do të ndërlidhet drejtpërdrejt me fatet fondamentale të Maqedonisë, edhe si identitet, edhe si ardhmëri edhe si konfiguracion gjeostrategjik, ndërkohë që askush s’e ka të qartë se cila është kauza e opozitës shqiptare në këtë vend të lodhur nga grindjet dhe antagonizmat. Pikërisht mbi këta antagonizma po projektohen edhe parametrat e veprimit institucional të Maqedonisë si shtet.

Interesat shqiptare në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjes

Përderisa Marrëveshja e Ohrit arriti të amortizojë në masë të ndjeshme antagonizmat etnikë, janë antagonizmat politikë ato që do të trandin nga themelet këtë shtet. Kësaj radhe antagonizmi do të jetë në mes të vetë maqedonasve, por kjo assesi nuk u jep të drejtë politikanëve shqiptarë të ndjehen komod. Përkundrazi, mobilizimi i tyre politik do të duhej të orientohej në dy linja angazhimi – e para, në drejtim të konsolidimit të brendshëm për të projektuar dekalogun e interesave fondamentale kombëtare dhe, e dyta, për të ridizenjuar dhe fokusuar fuqinë politike brenda një blloku të madh e të pandashëm politik.

Shqiptarët nuk kanë llogari dhe interes që pafundësisht të paguajnë faturat e mosmarrëveshjeve të brendshme maqedonase. Stina e ardhshme politike do të duhej të ridimensiononte pikërisht krijimin e koordinatave në mes të qëllimit për të kontribuuar bashkërisht në zhvillimin e politikave eurointegruese të Maqedonisë, dhe të interesave mbipartiake dhe afatgjata kombëtare të shqiptarëve në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjeve. Por, me një kusht që politika e shqiptarëve të mos ketë objektiv domosdoshmërisht pjesëmarrjen në bashkëqeverisje, madje edhe atëherë kur nga ajo nuk kërkohet që të heqë dorë nga parimet dhe doktrinat fondamentale nacionale. Sepse, pa këto të fundit, partitë politike shqiptare do të mund të ngelnin lakuriq nën diellin përcëllues të kuazi-bashkëqeverisjes.