bedri_islamiDisa ditë më parë mediet serbe shokuan njerëzit me një lajm, i cili, megjithëse ishte i vërtetë dhe dihej prej kohësh, të papriturën e kishin në faktin se atë e dhanë zyrtarët e lartë serbë, pra vazhduesit e atyre që kishin bërë këtë masakër. Në vitet e luftës katër të rinj serbë, në një kafene në qytetin e Pejës, ishin vrarë me urdhër të regjimit të Millosheviqit, për ta ngjallur ndjenjën e revoltës ndaj luftës çlirimtare.
Si për të dashur ta përligjë këtë akt mizor, Buxhovi hodhi tezën se edhe në Kosovë ka pasur raste të ngjashme, pasi lëvizja çlirimtare është vrarë ndër vete. Pra, më haptas, ata kanë vrarë njëri-tjetrin. Ndër të gjithë aludimet dhe shpifjet, trillimet e paskrupullta, kjo ishte më makabre, njëkohësisht edhe më absurde. Më është kujtuar menjëherë 22 shtatori i vitit 1981, kur në Kodrën e Qëndresës, një ndër pjesët themelore të Lëvizjes Çlirimtare, Fehmi Lladrovci dhe figura më e ndritur e gruas shqiptare, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, po ashtu pjesë e elitës drejtuese të Lëvizjes Çlirimtare, dhanë jetën e tyre vetëm për të mos braktisur trupat e rënë në luftë të Fatime Hetemit dhe të Shefqet Zekës. Mendova se si është e mundur që mendja njerëzore, e cila flet njëkohësisht edhe shqip, të ngrejë në vetëdijen e tij e pastaj ta bëjë publike një mostër të tillë ideje.
Lëvizja Çlirimtare, që kur është rikrijuar, sepse nuk është shuar asnjëherë, sidomos pas vitit 1981, kur edhe qëllimi i UDB-së nuk ishte më reprezalja masive, por eliminimi i drejtuesve politikë e ushtarakë, njërën ndër vetitë më të vyera ka pasur kohezionin e jashtëzakonshëm të pjesëve dhe të njerëzve të saj, të cilët, edhe pse kanë qenë nga vise të ndryshme të Kosovës (dhe me Kosovë janë kuptuar shqiptarët në të gjitha trojet e tyre në ish-Jugosllavi), megjithëse shpeshherë kanë pasur edhe bindje të ndryshme, apo edhe besime fetare të ndryshme. Kjo është një ndër dukuritë që vazhdon ende, edhe sot e kësaj dite, dhe lidhja e dikurshme e lëvizjes klandestine është tashmë edhe më tej diçka më shumë se e zakonshmja njerëzore, sepse ka kaluar edhe tek brezat e tjerë. Ndoshta kjo ndodhi edhe pse mbronin ide të mëdha, jo rrallë edhe më të ndjeshme sesa supet e tyre, por edhe sepse pjesa më e madhe e tyre ishin të burgosur politikë, në burgje të njëjta dhe në qeli të njëjta.
Por është e vërtetë se Lëvizja Çlirimtare, në të gjitha vitet e saj, që nga dita e themelimit e deri në pasfitoren e luftës, ka pasur humbje, bijtë që e përbënin atë janë vrarë dhe, fakt është se, nëse sot do të kemi ndërmend shtrirjen e këtij epizmi të jashtëzakonshëm, atë mund ta perceptojmë vetëm nëpërmjet Lëvizjes Çlirimtare. Të gjithë korifenjtë e lirisë së Kosovës, pa asnjë përjashtim, kanë qenë pjesë të kësaj Lëvizje. Ata kanë bërë historinë e saj dhe janë bërë njëkohësisht edhe citues të kësaj historie.
Si ndodhën vrasjet e tyre? Shumë pre tyre tashmë janë të ndriçuara, dihet gjithçka, që nga momenti i rrethimit e deri tek rënia e tyre, dihet se kush i rrethoi dhe kush qëlloi mbi to por, nëse del një nga stani i vjetër titist, më falni për krahasimin, e leh si një qen i zgërbulur, rikthimi tek këto ngjarje, si dëshmi e epizmit, jo vetëm të një epoke apo të një krahine, tashmë është e domosdoshme.
Enigmën më të madhe, që prej natës së vrasjes e deri më tash, pra një enigmë 32-vjeçare, e mbart vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Është një enigmë që është ngjizur me kujdes që të nesërmen, por zanafillën e ka pasur edhe para se të ndodhë krimi makabër. Jam i bindur se qysh para se të ndodhte vrasja, pra qysh se është bërë planifikimi i saj, janë caktuar njerëzit që do të qëllonin, njerëzit që do ta bënin ndjekjen, informatorët për t’i ditur lëvizjet, përgjimet, deri edhe të letrave, pra qëkur është menduar gjithçka, është parashikuar edhe ngjizja e enigmës. UDB-a nuk do të ishte UDB nëse gjërat do t’ia linte rastësisë dhe nuk do të mund t’ia linte pas vrasjen askujt.
Dy gjëra janë të rëndësishme në këtë enigmë: megjithëse edhe nga zyrtarë të lartë të shërbimit të fshehtë serb, deri tek Stane Dolanc, është bërë e ditur se vrasja e tyre ka qenë një punë e shërbimit të fshehtë serb, përsëri dorasi është kërkuar në mesin e shqiptarëve, e jo rastësisht e jo pa qëllim, që në ditët e para, është hedhur mjegulla se gjithçka ka ndodhur mes vetë njerëzve të Lëvizjes. Që nga ajo ditë, kur trupat e tyre po futeshin në dheun e ftohtë të rrethinave të Shtutgartit, një ish-gardian burgu, pjesëmarrës në varrim, do t’i thoshte shokut të tij pranë vetes, se “ky që po flet, hiç nuk po i dridhet zani, ky do t’i ketë vra, he ja pafsha dreqin!”. Rolin e gardianit të dikurshëm tani e zuri Buxhovi. Nuk dua të futem në deklarime gjithfarësh, disa nga të cilat e fajësojnë vetë Buxhovin për këtë ngjarje, sepse nuk besoj se do të ketë qenë kaq i guximshëm, (guximi i tij arrinte deri duke qenë pjesë e hetuesisë), por në këtë enigmë, në të cilën herë pas here janë bërë pjesë edhe të afërm të Gërvallës, por jo të Kadri Zekës, dy gjëra ende nuk janë shtruar si duhet dhe le të besojmë se këtë do ta zgjidhë shteti gjerman, kur tashmë kanë filluar të zbardhen shumë të vërteta të fshehura.
Përse UDB-a i vrau Kadri Zekën, si njeriun e organizimeve masive, gazetar dhe publicist, polemist i shquar, orator i përmasave të mëdha, me tepër autoritet dhe elitar; përse UDB-a vrau Jusuf Gërvallën, intelektual i shquar, ideolog i lëvizjes kombëtare shqiptare, po ashtu gazetar, rreth të cilit po mblidheshin njerëz të vendosur, të aftë për të ndryshuar gjithçka e të gatshëm deri në vetëflijim? Edhe më parë, por jo në këto përmasa, në perëndim kishte pasur fillesa të rezistencës, ishin disa grupe të ngritura vrullshëm, nganjëherë me një besim deri në naivitet, por në janarin e vitit 1982, kur u bë e qartë se diferencat ishin kaluar e përmbyllur, se Lëvizja Çlirimtare kishte gjetur dy ndër liderët e spikatur të saj, se korniza ishte thyer dhe frika po vritej, kur prilli i vitit 1981 i Prishtinës ishte përsëritur në disa kryeqytete të botës, UDB-a nuk mund të toleronte më tej. Ajo ishte përpjekur t’i serbizonte klubet shqiptare, e një ndër klubthyerësit kishte qenë edhe Buxhovi, ndoshta më i dëshpëruari dhe më i egërsuari; ishte përpjekur ta vendoste nën kontrollin e saj gjithçka që kishte qenë e mundur, por çdo gjë dëshmonte se tashmë gjërat po dilnin jashtë saj, po shkëndijohej një frymë e re, e cila, si gjithnjë, po vinte e mbarë nga Perëndimi. UDB-a nuk ishte nocion abstrakt. Ajo gjallonte nëpërmjet këtyre gjërave amorfe njerëzore, si Buxhovi, të cilët nëpërmjet shkrimeve dhe ndërhyrjeve të tyre e deri nëpërmjet pjesës së hetimeve i jepnin frymë asaj. Të gjithë bashkë, këto struktura, brenda e jashtë UDB-së, të njësuar me të qoftë edhe shpirtërisht, ishin të interesuara të heshtin Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla. Kjo shpjegon edhe gjënë e dytë, por bën të qartë faktin se ata që jo vetëm e ndjenë plagën deri në shpirt, por edhe që i trajtonin dy liderët si prijës dhe si dritën e syve ishin njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare, të cilët, edhe më pas, nuk lejuan që mbi to të binte pluhuri i harresës, thyen mjegullën udbashe se “Gërvallajt ishin të dërguar nga UDB-a”, e mbajtën kujtimin e tyre si një gjë jashtëzakonisht të vyer dhe, më në fund, kur gjithçka u vendos në provë, brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ua vendosën emrat e heronjve.
Kjo është e vetmja enigmë që shpejt do të zbardhet, nëpërmjet së cilës udbashët e çdo lloji kanë mjegulluar deri më tash. Ata kanë bërë çmos ta mbajnë gjallë këtë enigmë, e kanë ushqyer me të gjithë forcën e mendjes së tyre, gjithnjë tinëzisht, herë pas here duke keqpërdorur edhe dhimbjen e të afërmve të heronjve. Por, duke qenë se jo gjithçka u mbyll në këtë natë janari të vitit 1982, do të ishte normale të pyetej Buxhovi dhe buxhovistët rreth tij: Cilët ishin ata që vranë, po ashtu në një natë janari, dy liderë të tjerë të Lëvizjes Çlirimtare, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha? Cili ishte ai që i rrethoi, që ua bëri pritën, që qëlloi dhe që në fund i vrau? Mos vallë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, duke qenë se ishin liderët e një lufte që po përgatitej të vinte, edhe pasi luftuan disa orë rresht, tashmë në mesin e Prishtinës, e ajo ishte një luftë deri në fund, nuk e dinin se edhe për to, të zeztë e lidhur me UDB-në do të shkruanin se u vranë terroristë, irredentistë, nacionalistë, si në të vërtetë u shkrua edhe për rënien e tyre. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha ishin themeltarët brenda Lëvizjes Çlirimtare që për herë të parë ngritën bazamentin e Partisë së Luftës, e para parti, e këtij lloji në Kosovë, me përcaktim të qartë kombëtar; e ngritën së bashku me disa nga figurat madhore të luftës që po vinte, mirëpo tash del një zuzar politik dhe hedh shashkën se njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare qenkan vrarë nga vetë njerëzit e tyre? Cili nga ata që i rrethoi dhe i vrau ishte njeri i Lëvizjes?
Disa vite më pas, përsëri në mesin e Prishtinës, do të vriten, po ashtu të rrethuar dhe pas disa orë beteje, dy liderë të tjerë të Lëvizjes, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazlia. Dihet tashmë se kush i rrethoi, të kujt ishin helikopterët luftarakë që u sollën mbi lagjet e qytetit, nga kush u mitraluan, ashtu si duhet se shpagimi ishte i denjë për jetën dhe rënien e tyre. Afrim Zhitia ishte një djalë ende i ri, paksa ëndërrimtar. Në sytë e tij mund të shihje gjithë rininë e botës, i pasionuar deri në imtësi për Shqipërinë, do të thosha i pasionuar pas saj, ndaj kishte marrë mbi vete, si emër të luftës, Ismaili, në nderim të Kadaresë, dhe nipit të tij ia kishte vënë emrin Dritëro, në nderim të Agollit. Sa ishte ende tepër i ri, aq mund të bënte, më pas ai ishte njeriu që ngriti në këmbë tërë Prishtinën në demonstratat e mëdha të vitit 1989, së bashku me Fahri Fazliun, njeriun e guximshëm, jashtëzakonisht trim; të dy shokë dhe miq deri në rrjedhën e gjakut. Ende fjala e Afrim Zhitisë, para gjithë demonstruesve, në Kodrën e Diellit, pak para se të vritej, është një tempull i njeriut të lirë. Ende përkushtimi i Fahri Fazliut ndaj shokëve është një dëshmi se deri ku shtyheshin këta njerëz për shoqi-shoqin… Buxhovi ndoshta nuk i di të gjitha këto, jo sepse nuk është i ditur, por sepse nuk i kanë interesuar dhe se, mbi të gjitha, këto lëvizje masive të rezistencës çlirimtare u binin ndesh ideve të tij, ishin e kundërta e asaj që kishte aspiruar dhe nga e cila ishte frymëzuar. Por, kur them Buxhovi, nuk mendoj vetëm Jusufin, sepse një emër nuk do të thotë asgjë; në mendje kam tërë një klasë politike, të lidhur ngushtë me pushtetin e djeshëm, masha të atij pushteti, përcëllues të idesë së mëvetësisë, aq më shumë të përbetuar ndaj bashkimit të kombit. Mirëpo gjërat që janë bërë në mesin e ditës, ngjarjet që kanë bërë epokizimin e kohës, nuk janë të paditura, sepse edhe nëse bën të paditurin, në të gjithë Kosovën, kudo do t’i shohësh përmendoret e këtyre njerëzve, piedestalin e të cilave ata e ngritën me jetën e tyre.
Në të gjithë këto vite, që kur i jam bashkuar me gjithë shpirt Lëvizjes Popullore të Kosovës, kam vërejtur dy gjëra, herë-herë të ndryshme, mjerisht edhe të kundërta. Të ndryshmet kanë qenë pjesë e jetës sonë. Rruga e luftës ka qenë e ndryshme nga rruga e pacifizmit, por nuk mendoj se do të bëheshin të kundërta. Rruga e mohimit të luftës, e për më shumë, përdhosja e vlerave të luftës, ishte e kundërta e së ardhmes së Kosovës. Fakti që ende sot, kur gjërat janë qartësisht të sigurta, hidhen tymuese të tilla politike, të cilat bartin një vrer kaq të madh, më duket e çuditshme, por edhe e perceptoj. E çuditshme sepse është e mjerueshme të dalësh kundër një Lëvizje Çlirimtare, e cila, sikur asgjë tjetër të mos bënte, vetëm ndriçimin e shpirtit të popullit nëpërmjet idesë së sakrificës, do të ishte e mjaftueshme të nderohej. E perceptoj sepse jam i bindur se në Kosovë ajo kolonë që ishte e ngjashme me çdo lloj serbizimi të shpirtit është ende aty, e pranishme, e rafinuar deri në imtësi, e strukur, por edhe e ngritur, gjarpëruese, njëkohësisht tinëzare.
Më jepni një levë, thoshte dikur Arkimedi… unë do t’u thosha titistëve… më jepni një shembull në të cilin njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare janë bërë pjesë e eliminimit të shokëve të tyre… ndërkohë unë do mund t’ju sillja mijëra shembuj të tjerë që bartin ndjenjën e veçantë njerëzore, të pakrahasueshme, të asaj lidhje të veçantë që ishte mes tyre, fluide dhe e sinqertë, e afërt dhe jetëdhënëse dhe, po të mos ishte kjo ndjenjë, jam i bindur, nuk do të kishim as Lëvizje Çlirimtare, as Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe as që kemi sot, një shtet të pavarur, me të gjithë hallet e brengat e tij.
Edhe kjo rrugë e ka një fillesë, e ka degëzimin e saj, shumimin dhe problemet, disa nga shpresa, disa nga padija, disa nga provat e vështira që jeta u vuri përballë. Por, ka edhe të paharruarat e saj nëpër të cilat është ecur bindshëm, gjithnjë me idenë se do të vinte një ditë lirie.
Si ndodhi ky rrugëtim dhe çfarë pengesash barte ai?
Le të ndalemi më gjatë në vazhdimin e këtij shkrimi… (VIJON)
(Autori ishte kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në vitet e luftës)