Dushan Spasiç i prinë luftës speciale në Kosovë
Kundër Kosovës dhe historisë më të re të saj ka kohë që zhvillohet një luftë shumë e ashpër. Ajo, si çdoherë, edhe tash udhëhiqet nga Beogradi, prej nga dalin vijëzimet antishqiptare, pastaj shpërndahen në trojet shqiptare, në Kosovë etj.Në intervistën e dhënë nga Dushan Spasiç mjeteve të informimit, ish-udhëheqës i UDB-së, në mënyrë shumë perfide, edhe tash, shpërndau akuza dhe dha ide, mbi gjoja spiunët në kuadër të ilegales shqiptare në mërgim dhe në Kosovë e në viset e saj të pushtuara nga serbo-maqedono-malazezët.
Dushan Spasiç deklaron: “Nga shtatë (7) anëtarët udhëheqës të Lëvizjes, pesë (5) prej tyre kanë qenë punëtorë të UDB-së”.
Dhe më poshtë: “Çdo mbledhje që është mbajtur nga ata është raportuar nga ana e tyre të ne, te UDB-a. UDB-a e ka ditur çdo vendim dhe aktivitet të Lëvizjes (…). Neve na kanë raportuar(…). Njëri nga punëtorët tanë, tash është në Qeverinë e Kosovës, udhëheqës i lartë, e i cili i ka takuar udhëheqjes së Lëvizjes”.
Të gjitha këto skenime dhe insinuata nuk do të luanin as edhe një rëndësi të vogël, nëse vetë nga Kosova, të ashtuquajturit politologë, gazetarë, analistë dhe historianë të skenës, gjoja politikëbërëse në Kosovë etj., nuk do të mbështeteshin në përralla dhe në anekdota të UDB-së për t’i akuzuar subjektet politike dhe patriotët e dëshmuar të historisë së re të Kosovës.
Nga Beogradi nuk pritet asgjë e mirë. Ata, si në të kaluarën, edhe tash janë kreatorët e luftës speciale kundër forcave patriotike të kombit shqiptar. Gjatë tërë historisë forcat luftarake e patriotike që kanë luftuar për lirinë dhe për pavarësinë e vendit janë vlerësuar nga qeveria serbe si forca “terroriste” e “kriminale”, që kanë vrarë gjoja shqiptarë. Dhe po nga kjo politikë serbe, të gjitha forcat antikombëtare janë “vlerësuar” pozitivisht. Këtë rrugë antishqiptare Beogradi nuk e ka lëshuar kurrë. Me këtë qëllim në ballë doli Dushan Spasiç, me deklaratat e veta edhe tash. Ai shprehet se “5 nga udhëheqja prej shtatë vetave të Lëvizjes kanë qenë punëtorë të UDB-së”. “Mund të ishte kështu”, se po thotë kryeudbashi. Megjithatë, duhet thënë një gjë që nuk e mohoj kurrë, se armiku ka mundur të futë punëtorë të UDB-së në udhëheqjen tonë ilegale. Ai kishte dhe i ka vërë vetes për detyrë, si e tërë qeveria serbe, për ta luftuar veprimtarinë patriotike. Por, nëse ishin 5, pse nuk e shkatërroi Lëvizjen, prej nga doli UÇK-ja dhe tash e humbën Kosovën. Mos kështu ka punuar UDB-a!
Jo, o ju “politikanë dhe gazetarë” të Kosovës? Mos u mashtroni me deklaratat e tilla, sepse ato u dërgojnë në rrugën e gabuar, prej nga nuk ka kthim prapa. Apo ndoshta ka disa prej tyre që janë në shërbim të huaj dhe tash kanë urdhër për të vepruar! Si u bë të bashkohen deklaratat e disa “politikanëve”, “gazetarëve” e “historianëve” e “analitikëve” me deklaratat e kryeudbashit Spasiç për “spiunët” në Lëvizje ilegale jashtë dhe brenda. Spasiç thotë “pesë nga anëtarët udhëheqës të Lëvizjes ishin punëtorë të UDB-së”, e natyrisht se edhe deklaruesit e tjerë antilëvizjeje, përndryshe shqipëfolës, thonë të njëjtë gjë. Pse kjo e përbashkët midis këtyre deklaruesve!?
5 nga udhëheqja e Lëvizjes ishin “punëtorë” të UDB-së! “Shumë mirë, sepse kështu Lëvizja paska qenë nën kontroll të UDB-së”. Po unë vetë jam njëri nga udhëheqësit. Kam thënë dhe po deklaroj, le të paraqitet vetëm një fakt, sado i vogël, jap llogari. Pra, këtu është edhe fakti pse kam reaguar, ndoshta ashpër, kundër deklaratave kundër Lëvizjes, sepse ato përputhën në tërësi me deklaratën e kryeudbashit Dushan Spasiç, përkatësisht me vijën politike kundruall Kosovës nga Beogradi dhe Shkupi. Pra, rrjedhimisht del se baza e akuzave aktuale, në skenën informative dhe politike të Kosovës, është në Beograd. Këtë e vërteton Spasiç. Por meqë Beogradi e ka pasur nën kontroll Lëvizjen, pse nuk e shkatërroj atë para se ta humbë Kosovën? Pse lejoi veprimtarinë e Lëvizjes? Apo kanë pasur “dëshirë” që Kosova të çlirohet?!
Çudi!
Vetë fakti se Kosova u çlirua dhe arriti pavarësinë shtetërore flet se asgjë të vërtetë nuk ka në akuzat e tilla ndaj Lëvizjes. Ajo është vetëm luftë speciale për të futur konflikte midis popullit tonë, në mënyrë që edhe më tej Beogradi të sundojë në Kosovë, me forcat e veta antishqiptare.
Po pse kështu veprojnë disa “politikanë e gazetarë” në Kosovë? Ku është qëllimi i akuzave? Pse përputhën ato me propagandën e fëlliqur serbe?
Akuzat e tilla të disa “politologëve e gazetarëve”, “analistëve” dhe “historianëve” në Prishtinë, po i prinë një lufte tjetër, asaj të mbytjes së akuzave për veprimtarinë antishqiptare të radhëve shtetërore, gjatë dhe para demonstratave të vitit 1981, si dhe para dhe gjatë luftës çlirimtare, së cilës luftë me plot sukses i pati prirë qeveria e atëhershme e Kosovës, sikundër dhe disa forca legale në luftën çlirimtare të UÇK-së. Gjithashtu, kjo ka për qëllim, në anën tjetër, për t’i likuiduar forcat revolucionare, në mënyrë që forcat e veçanta dhe shumë të dyshimta, të subjekteve politike, të cilat kanë dalë në skenë, e që mendohet se janë antishqiptare, pa probleme t’i fitojnë zgjedhjet në Kosovë.
Po ku është dyshimi më i madh? Të disa politikanë aktualë të Kosovës, apo të ish-udhëheqja e LPK-së? A dihet nga vijnë disa politikanë? Shikojeni historinë e tyre, jo vetëm në vitet e ’70/80, por edhe gjatë luftës çlirimtare. Po ish-udhëheqësit e LK të Kosovës, ku mbetën?! Sa e sa UDB-ash kishte në Kosovë? A qenkan ata “patriotë”? Ku janë ata? Pse akuzuesit dhe të tjerët nuk flasin për atë strukturë kriminale të shtetit serbo-jugosllav, ku vetëm prej vitit 1981 e deri në vitin 1990, rreth 1 milion shqiptarë i kanë maltretuar e dënuar. A nuk është kjo provë? Apo, ndoshta kështu, si më herët, kanë nostalgji për Titon dhe vetëqeverisjen jugosllave; për kohën kur pushtuesit serbo-maqedonë-malazezë maltretonin dhe dhunonin shqiptarë anekënd Jugosllavisë, apo ndoshta kanë nostalgji për statusin e KSAK-së? Këtu është sëmundja!
E çuditshme është “deklarata se pesë ishin spiunë”? Nëse është kështu, u kam kërkuar akuzuesve, po u kërkoj edhe të tjerëve që mendojnë ashtu, paraqitni fakte dhe mos akuzoni pa bazë! Askush në ish-udhëheqjen e Lëvizjes nuk i frikësohet fakteve, sepse vetëm ashtu del e vërteta në dritë dhe dihen armiqtë.
Është turp të mbështetën në të dhënat e UDB-së për ta akuzuar ilegalen. Aq më shumë për të bërë krahasime të ndonjë shqiptari me Dushan Spasiqin, duke provokuar logjikën patriotike të popullit tonë, me insinuata se ky apo ai person e ka vrarë Jusufin, Kadriun e Bardhoshin. Dhe, edhe më rëndë, se “pesë” nga udhëheqja e Lëvizjes ishin të UDB-së. Të ishte një a dy, kishte një logjikë. Po pesë, si kështu?! Pra, nuk ka mundësi, sepse me pesë spiunë në Lëvizje asgjë nuk funksionon. Çdo forcë a subjekt shuhet. Ndërsa gjendja flet se Lëvizja jetoi dhe e organizoi UÇK-në dhe ato dolën fitimtare ndaj pushtuesve në Kosovë.
Kjo është e vërteta.
Mbështetja, pra në spekulimet serbe kundër ilegales shqiptare, nuk është demokratike dhe, natyrisht, është në kundërshtim me etikën dhe moralin e njeriut. Nuk është e drejtë keqpërdorimi i mekanizmave partiakë, gazetat e mjetet elektronike për qëllime të veçanta hakmarrëse, sepse kemi organe shtetërore të drejtësisë dhe, nëse ka prova, atyre duhet dhënë.
Jusufi thoshte: “Nëse është shqiptarë mos të zbulohet kurrë”.
Unë them:
Duhet të zbulohen armiqtë dhe kështu të njihen kriminelët, si dhe ta marrin dënimin ligjor. Kjo vlen edhe për forcat që ishin kundër pavarësisë së Kosovë, si dhe për bashkëpunëtorët e pushtetit serbo-jugosllav, si në vitet e ’70-ta, ’80-ta, ’90-ta e deri më sot. Pa këto përgjegjësi kurrë nuk stabilizohet Kosova.
Pavarësisht kësaj, dëshiroj që çështjet e tilla të mbyllen, sidomos në kuptimin e kundërshtimeve dhe të luftës ndërshqiptare në mjetet e informimit. Dua të vihet në veprim shteti si mekanizëm për ndarjen e drejtësisë, sepse vetëm kështu fiton e drejta dhe del e vërteta në dritë. E drejta humb dhe zbehet duke dalë nëpër mjete informative, pa u trajtuar nga gjykatat kompetente për drejtësi.