Bedri Islami:Buxhovi del nga hija (1)
Ka disa njerëz, shpeshherë edhe publikë, pra të njohur, të cilët, edhe kur koha e tyre ka shkuar dhe mëkati që u rëndon është më i ashpër sesa supet e tyre, përsëri nuk zënë mend, turfullojnë dhe presin një moment të caktuar për t’u rikthyer edhe një herë në grazhdin e vjetër. Të tillët, thellësisht mjerueshëm, ende nuk janë mbushur mend se, në këtë kohë të vështirë për t’u përballuar dhe kur Kosova është në mijëra halle të tjera, shtimi edhe i një derivati politik nuk është më një gabim i përkohshëm, por një faj i qëllimshëm, i cili bëhet në një kohë të caktuar. Në një kohë kur thesi i mashtrimit është hapur në Beograd dhe fillon e derdhet edhe në botën mediale të Kosovës, kësaj here nëpërmjet gjithfarë llumi. Kjo më është kujtuar fillimisht kur dëgjova për një intervistë të Jusuf Buxhovit dhënë në emisionin “Rubikon”. Ndoshta është nga të paktët emisione që ndjek me dëshirë, pasi respektoj vizionin dhe mendimin e drejtuesit të saj, dhe kur them nga të paktët, nuk kam parasysh vetëm stacionet mediale në Kosovë, por në të gjithë këtë hapësirë, që jemi mësuar ta quajmë mbarëkombëtare.Jusuf Buxhovi nuk është një njeri i panjohur në Kosovë. Nuk është i panjohur pasi fillesën e mërisë e bëri tek “Rilindja”, ku mbi 90 për qind ishin komunistë dhe ai ishte njëri prej tyre nuk është i panjohur pasi për katër vjet ai ishte i dërguar special i “Rilindjes” në Gjermaninë Perëndimore, e kjo nuk ishte pak, nuk është i panjohur pasi, në cilësinë e njeriut “të reformuar”, do të bëhet pjesë e themelimit të LDK-së, e jo rastësisht të gjithë ata që ishin nismëtarë të saj do të ishin anëtarë të Lidhjes Komuniste të Kosovës, një aneks i Lidhjes Komuniste të Serbisë, nuk është i panjohur pasi, haptas, jo vetëm një i burgosur politik si Hysen Gega, por edhe të tjerë e kanë akuzuar si një bashkëpunëtor të rëndësishëm të shërbimit sekret serb; dhe një trajtesë e tillë kishte dalë që në ditët e para kur emri i tij u lidh me LDK-në, nuk është i panjohur edhe nga librat që ka shkruar.
Por duhet thënë se ai është një personazh enigmatik. Edhe pamja e tij e jashtme tregon se brenda vetes fsheh diçka, një lloj skuthie, e cila, sa më shumë që përhapet, aq më tepër qelb dynjanë.
Në të vërtetë nuk më ka interesuar kurrë ai as si themelues i LDK-së, sepse kjo është punë e dikujt tjetër dhe, natyrisht, ai stan, duke përjashtuar disa meritorë që gabimisht u gjendën aty dhe shpejt dolën jashtë saj, nuk do të kishte bulmet tjetër dhe, kush ka pritur një fillesë tjetër, të ndryshme, nga ajo që na serviri shërbimi i fshehtë serb, ka qenë i gabuar. Buxhovi nuk më ka interesuar as si prozator. Duke qenë në dijeni të prapshtive që ka bërë, shumë nga të cilat mbi kurrizin e miqve të mi, duke njohur shumë nga ndërhyrjet e tij në dëm të shqiptarëve në mërgim dhe forcimit të tyre si rrënjë e kombit jashtë vatanit; duke sjellë ndërmend përçarjet që kishte ngjallur mes tyre si një filo jugosllavizëm, të gjitha këto, së bashku dhe veç e veç, më kishin hequr çdo dëshirë për t’i lexuar librat e tij, ashtu si e di dhe jam i bindur se edhe ai nuk ka lexuar asnjë nga librat e mi.
Vëmendja ime e parë ndaj Buxhovit u kthye përciptas në leximin e librit “Vite të humbura” të Mehmet Krajës. Ishin dy pasazhe që më bënë përshtypje dhe të cilat, edhe një herë, vërtetuan se ato që më kishin thënë për të nuk ishin fjalëzime në erë, por përmbanin disa të vërteta të hidhura dhe të dëmshme. Duke shkruar për themelimin e LDK-së, njëri nga themeluesit e saj, Mehmet Kraja, kujton se “Buxhovi solli programin dhe statutin. Që në fjalinë e parë e hetova se programi nuk ishte shkruar nga Buxhovi dhe as nga ndonjë “ekip” më i gjerë, por nga një person “pa emër”, që i takon klanit të vjetër politik, autonomist…”. Kohë më vonë Buxhovi do ta fshihte këtë të vërtetë pasi, dashur-padashur, do të pranonte se zanafilla e kësaj strukture nuk ishte askund tjetër, veçse në një seli tjetër, amë, që do ta pillte bijën e saj dhe që nëpërmjet saj do ta merrte përsipër rolin e saj të përkohshëm të shuarjes së lëvizjes çlirimtare. Fakti që këtë statut e program, brezi i vjetër partiak e përcillte nëpërmjet Buxhovit, ka të bëjë me faktin se ai ishte njeriu i besuar i tyre, për më tepër, njeriu i dërguar aty për të bërë “paqësisht” atë që nuk kishin arritur të bënin nëpërmjet dhunës dhe tankeve. Më tej, në librin e tij Mehmet Kraja shkruan Buxhovi do të ishte njeriu që do të na nxirrte më shumë andralla me biografinë e tij, pasi “për të do të pëshpëritet se gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani kishte bashkëpunuar me organet e pushtetit dhe të sigurimit jugosllav”.
Por edhe pas saj, shumë vetë, mes tyre edhe unë, e harrova fenomenin Buxhovi pasi, si ai kishte pasur edhe shumë të tjerë, të cilët ishin bërë pjesë e sistemit dhe e dhunës së tij. Biseda ime me Hysen Gegën, disa vite më parë, më ngjalli edhe një herë ndjenjën e vemjes politike, të cilat, herë këtu dhe herë aty, ku gjejnë mundësinë e artë, godasin dhe hedhin pezhishkën e tyre.
Tani, edhe një herë, Buxhovi u shfaq krejt i sinqertë, me veten dhe me të tjerët, ashtu si kishte qenë në kohën e bashkëpunimit të tij me organet e pushtetit serb në Kosovë. Ai dëshmoi se asgjë nuk kishte ndërruar në kokën dhe në mendimin e tij dhe se vitet e shkuara, përcaktimet politike dhe sakrificat e jashtëzakonshme nga lëvizja klandestine çlirimtare, asgjë nuk i kishin mësuar dhe asgjë nuk kishte ndryshuar nga vetja. Të jetë ky një borxh i së djeshmes apo një ngulje, edhe një herë, në vitin 1981 e pak më pas, kur në Kosovë dhe jashtë saj u ndeshën dy botë, ajo udbashe, e përfaqësuar nga njerëzit si Buxhovi dhe ajo çlirimtare, e përfaqësuar nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka. Nëse në këtë vend do të kishte dy njerëz krejt të kundërt me njëri-tjetrin dhe përballë njëri-tjetrit, këta do të ishin Jusuf Gërvalla dhe Jusuf Buxhovi.
I pari në anën e çlirimtarëve, i dyti në anën e pushtuesve, që të dy gazetarë, por derisa i pari do të vendoste që pena e tij të ishte në dobi të çlirimit të vendit, tjetri e kishte nënshkruar marrëveshjen me djallin që pena e tij të ishte në favorin e klasës sunduese në Kosovë.
Gërvalla do të bëhej zëri çlirimtar nëpërmjet fjalës, këngës dhe mendimit të tij politik. Buxhovi do të bëhej, dhe mjerisht paska mbetur, një nga përfaqësuesit e dhunës dhe poshtërimit të Kosovës, e nënshtrimit të paskaj të saj dhe, njëkohësisht e mjerimit të saj politik. Gërvalla do të ishte frymëzuesi dhe njeriu në ballë të demonstratave për Republikën e Kosovës, Buxhovi do të bridhte nëpër klubet shqiptare me flamurin e serbizimit të tyre. Gërvalla do të bëhej pjesë e themelimit të një lëvizje të re politike, gjithëpërfshirëse, që në programin e saj do të ketë edhe luftën e armatosur, Buxhovi do të bëhej njeriu që merrte në pyetje të burgosurit politikë dhe tentonte të shkelte mbi gjakun dhe idenë e tyre. Gërvalla, në fund, pikërisht nga njerëzit të cilëve u shërbente Buxhovi, do të vritej në një natë të ftohtë janari; po asaj kohe kur Buxhovi do të “lavdërohej” se ishte një nga të “tyret” e politikës së Beogradit. Mes këtyre dy njerëzve, njëra figurë kombëtare e tjetra hije e pazakontë, qëndron një hendek i jashtëzakonshëm, jo vetëm njerëzor, por edhe i vizioneve, përcaktimeve dhe filozofisë që bartin. Ndaj është e pështirë të dëgjosh të flasësh për Gërvallën dhe Kadri Zekën në njeri që i ka ndjekur, që ka qenë ashpërsisht kundër tyre dhe, që askush nuk e di, se ku ishte kur ndodhi ngjarja e kobshme.
Rishfaqja e fundit e Buxhovit, pas disa parapërgatitjeve jo edhe aq të rëndësishme, nuk vjen në një kohë të pazakontë dhe as si shenjë se skifterët e LDK-së po rikthehen edhe një herë. Ata, edhe po të duan, edhe aty nuk kanë më vend, pasi ngjajnë me limonët, të cilët shërbejnë për aq sa duhet dhe kur duhet. Zëri i Buxhovit është bërë në këtë kohë bashkë me disa zëra të tjerë, në median e shkuar dhe vizive, të cilët, edhe një herë, e përsëris, jo rastësisht, janë hedhur në një sulm të çakërdisur ndaj çdo vlere të lëvizjes çlirimtare. Koha që kanë zgjedhur është në sinkron me kohën e shqyrtimit të raportit famëkeq të Dik Martyt dhe telasheve të Karla del Pontes, pra koha kur dinjiteti i Kosovës do të vihet edhe një herë në provë dhe, duke vrapuar, si gjithnjë në anën e kundërt të popullit të tyre, po hidhen edhe lakejtë e djeshëm të klanit titist e udbash. Synimi i tyre është i njëjtë me atë synim që kanë pasur në vitin 1968, me aspiratën e tyre rrënuese në vitin 1981, me sulmet e egra dhe vrasjet në vitin 1989, me synimin për denigrimin e lëvizjes çlirimtare klandestine në vitin 1990, fill pas krijimit të LDK-së dhe më pas, me një kulm të pamenduar, kundër luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në asnjë popull tjetër nuk ka një skotë të tillë, kaq mjerane dhe kaq të pështirë sa udbashët e Kosovës, sidomos komunistët udbashë, të cilët, dy herë të zinj, si anëtarë të një partie komuniste që kishte gllabëruar vendin dhe si spiunë të saj, u lëshuan kundër popullit. Pra, koha është e gjetur, e ajo me të cilën isha dakord në paraqitjen e Buxhovit, ishte sinqeriteti i tij, i imponuar ose jo nga e kaluara e tij dhe nga e cila ai nuk po heq dorë as tani kur gjërat kanë ndryshuar.
Buxhovi u shfaq ashtu si gjithsecili nga titistët e djeshëm, me të njëjtat teza, me të njëjtat shpifje, i gatshëm për të shërbyer deri në fund ndaj një kauze që është e tij, por jo vetëm e tij, dhe që është në çdo aspekt e kundërta e së vërtetës historike dhe e aspiratës së një populli; ai u shfaq ashtu si ishte pritur të shfaqej në vitin 1981, në vitin 1989, krejt i devotshëm ndaj tezave të plasuara fillimisht nga “Tanjugu” e më pas në “Rilindja”, si pjesë e rëndësishme e së cilës ishte; edhe një herë ai zgjoi një gjuhë që kishim menduar se ishte harruar, si shenjë pendese të paktën, thirri në ndihmë të njëjtin fjalor që kishte dikur më parë UDB-a serbe dhe tellallët e saj medialë; dhe e gjithë kjo do të dukej e pabesueshme se mund të ndodhte kur çdo gjë, edhe më e thella, tashmë është e qartë për të gjithë.
Pse ndodh e gjithë kjo? Vërtet këta njerëz, si Buxhovi, nuk e dinë një të vërtetë historike? Vërtet nuk e di se njerëzit të cilët deri dje, në shkrimet e tij i cilësonte si irredentistë dhe nacionalistë dhe i mallkonte se po prishnin bashkim-vëllaznimin, janë në të vërtetë çlirimtarët e vërtetë të Kosovës, më të përkushtuarit, më të devotshmit dhe më të sakrifikuarit? Vërtet nuk e di se nga kjo plejadë çlirimtarësh kanë dalë figurat më mitike të Kosovës, pa ekzistencën e tyre Kosova do të ishte vërtet një çështje e humbur, do të ishim një komb me ndërprerje historike? Vërtet nuk e di se pikërisht këta çlirimtarët dergjeshin burgjeve serbe, kur ai dhe pinjollët titistë endeshin nëpër botë dhe ankoheshin se vakancat në vendet perëndimore nuk i shkonin si duhet? Vërtet nuk e di dhe skota e tij se nga këta njerëz, të heshtur deri në dhimbje, janë bërë me mijëra vite burg…dhe ky burgim, si në çdo gjë epike, është përjetuar si një gjë normale për hir të Kosovës?
Natyrisht, ata, të gjithë, e dinë. Shumë nga nacionalistët e irredentistët e djeshëm janë burgosur e torturuar nga skota e afërt me Buxhovin, janë ndjekur e në fund janë vrarë pikërisht nga këta pinjollë, të cilët, jo shumë vite më parë mburreshin se për çlirimtarët “vrima e miut do të ishte pesëqind grosh”. E dinë, e kanë ndjekur vetë dhe e kanë përgojuar vetë. Rikthimi i tyre në këtë temë të kujton postulatin se vrasësi kthehet gjithnjë në vendin e krimit. Shkrimet e dikurshme të gazetës “Rilindja” ishin as më shumë e as më pak veçse aktakuzat për nacionalistët dhe irredentistët, ishin parathënia e dënimeve që do të vinte, shënimet e tyre politike ishin në fakt diferencimi politik mes njerëzve, ku nga njëra anë ishin çlirimtarët dhe lëvizja e tyre politike, nga ana tjetër ishin diferencuesit, të cilëve i përkiste edhe Buxhovi.
Rikthimi në diferencim dhe në tezat e qelbura të së djeshmes nuk janë një farsë politike, nuk janë për të zgjidhur hallet mes LDK-së dhe për t’u dhënë zemër të humburve; është shumë më tepër se kaq. Është rikthimi i kushtrimit titist edhe për një hyxhym mbi lëvizjen çlirimtare, mbi të drejtën historike dhe mbi të vërtetën historike të një populli, i cili edhe nga humnera ku e kishte hedhur regjimi fashist titist, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte edhe Buxhovi, gjeti forcë të dilte në dritëzim, sepse vizioni që kishin ata njerëz dhe mendimi i tyre politik nuk ishte asgjë tjetër veçse vazhdë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Pse ndodh e gjithë kjo… Kush qëndron pas tyre… a është rastësi kjo sintoni e llahtarshme e shpifjeve dhe cila është e vërteta e lëvizjes çlirimtare… ishin ata nacionalistë e atdhetarë apo të shitur tek UDB-a dhe KGB-ja.. kush ishin në fakt të shiturit dhe kush ishin të sakrifikuarit… të gjitha këto, qetësisht, do t’i shohim në vazhdimin e këtij shkrimi. (VIJON në numrin e ardhshëm të gazetës “Epoka e re”)