
Qeveria e Kosovës sot ka vendosur regjim të vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës. Vendimi është marrë si masë reciprociteti ndaj autoriteteve të atjeshme për shkak të vendosjes së regjimit të vizave ndaj qytetarëve të Kosovës dhe trajtimit jodinjitoz të tyre.Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ) Enver Hoxhaj, ka thënë se përgjatë gjashtë viteve, Bosnja është sjell në mënyrë antievropiane dhe aspak në frymën e bashkëpunimit rajonal. “Ky vendim nuk është i drejtuar kundër qytetarëve të Bosnjës dhe komunitetit boshnjak në Kosovë, por një mesazh i qartë ndaj sjelljes destruktive të autoriteteve në Sarajevë”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se ky regjim i vizave, i cili aplikohet nga Bosnja karshi të qytetarëve të Kosovës është një regjim shumë specifik. “Është më shumë leje speciale se sa viza të zakonshme. Për çdo qytetar të Kosovës, i cili udhëton në Bosnje vendimi merret në qeveri dhe mandej procedohet në ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnjës”, ka thënë Hoxhaj.