Nuk ka liberalizim të vizave këtë vit
Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka zbehur shpresat e qytetarëve të Kosovës për udhëtim pa viza në Evropë gjatë këtij viti. Ajo madje ka thënë se ky proces mund të marr dy deri në tri vite kohë.“Nuk jap data, sepse nuk e di, as Komisioni Evropian nuk e di. Nuk do të bëhet në këtë vit, kjo mund të ndodhë pas një, dy apo trivitesh, nuk e di se kur. Shpresoj që do të bëhet brenda dy apo tri vitesh”, ka deklaruar Lunaçek gjatë një konferencë për media në Prishtinë.Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka përsëritur qëndrimin se Kosova duhet të bëjë më shumë në luftë kundër krimit dhe korrupsionit.
Lunaçek ka folur edhe për ulëset e rezervuara, duke thënë se një gjë e tillë do të mund të integronte serbët e veriut. Ajo ka thënë se vendimi për vazhdimin ose jo të ulëseve të rezervuara duhet të merret nga vet deputetët apo përfaqësuesit partive politike, pa rënë pre e presioneve nga jashtë. “Kushtetuta e Kosovës garanton 10 vende të ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Serbët duhet ta kenë të qartë se me ose pa vende të rezervuara, ata në Kuvendin e Kosovës gjithmonë do t’i kenë dhjetë vende të garantuara me Kushtetutë”, është shprehur Lunaçek.
Ajo ka folur edhe reformën zgjedhore, madje nuk ka kursyer kritikat për zvarritjen e këtij procesi. “Sa herë që kam ardhur këtu dhe jam takuar me përfaqësues të qeverisë është thënë se reforma zgjedhore është e rëndësishme. Vetë kryeministri pati premtuar se reforma zgjedhore do të përfundojë para verës dhe kjo ende nuk ka ndodhur. Reforma është dashur të përfundojë deri më tani dhe kam frikë se deri në zgjedhjet e ardhshme, reforma do të jetë shumë e vogël dhe nuk do të jetë reformë e vërtet zgjedhore”, ka thënë Lunaçek.