Meta-IlirIlir Meta/Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë -Shqipëria është një vend evropian dhe këtë populli shqiptar e ka treguar, sepse kemi bashkëjetesën e shkëlqyer në harmoninë e jashtëzakonshme që ekziston në këtë vend. Ekzistojnë paragjykime edhe ndaj vendit tonë në këtë aspekt, por paragjykime nga ata që nuk kanë njohjen e duhur. Ekzistojnë edhe lojëra politike për shkak të interesave elektorale.

Është fakt i njohur që drejtues të partive ekstremiste në vende të Europës, si rasti i Geert Ëilders në Holandë, partia e parë në të gjitha sondazhet dhe ishte partia që inicioi mocionin  në Parlamentin holandez  “Partia e Lirisë” për të bllokuar një qëndrim pozitiv të Qeverisë Hollandeze dhe të ministrave të jashtëm…

Por Shqipëria është dhe do të jetë një vend evropian dhe kjo është e përcaktuar, është zgjedhja jonë mbarëkombëtare…Edhe takimi i Prizrenit është një takim mjaft pozitiv. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën janë unike. Janë marrëdhëniet e dy vendeve fqinje, por jo vetëm kaq, janë më shumë.

Janë dy vende që të ardhmen e qytetarëve të tyre e shohin në BE. Kemi mundësi më të mëdha për të shfrytëzuar resurset për një zhvillim më të shpejtë, për të integruar më shpejt, por edhe për të përdorur më mirë resurset e njeri- tjetrit. Si në aspektin energjetik.

Shqipëria dhe Kosova kanë më shumë mundësi të përfitojnë më shumë nga sistemet energjetike. Shqipëria bazën kryesore të energjisë e ka nga energjia e rinovueshme, hidro. Ndërsa Kosova e ka nga energjia, e cila prodhohet nga termocentralet. Bashkëpunimi  i këtyre vendeve  do të rezultonte me një dobi shumë të madhe edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë dhe do ta bënte sistemin energjetik shumë efikas.

Edhe në shumë fusha të tjera mund të arrihet një shkallë shumë më e lartë e përfitueshmërisë reciproke. Ky bashkëpunim duhet parë si një mundësi për të eksploruar të gjitha mundësitë e fjetura deri tani për një zhvillim edhe më të mirë ekonomik, por edhe për të dhënë ndonjë shembull të një bashkëpunimi tepër konstruktiv edhe në rajon. Në këtë drejtim unë besoj se ky bashkëpunim nuk është i vetmi edhe pse është mjaft unik.

Shqipëria ka edhe marrëdhënie të mira edhe me vende të tjera, që është bashkëpunim i domosdoshëm, që është në ADN-në e vet të politikës së jashtme të Shqipërisë, politikë e fqinjësisë së mirë, politikë bashkëpunimi, pragmatike, që shikon drejt të ardhmes, zgjidhjes së problemeve.

Ka qenë një mbledhje e paramenduar. Ideja për të realizuar një bashkëpunim sa më të dobishëm nga Shqipëria me Kosovën, ka qenë një ide përpara zgjedhjeve dhe pas tyre. Unë besoj se takimi i Prizrenit do të pasohet me takime të tjera. Kemi nevojë për vendime konkrete,  si p.sh konsullatë apo ambasada të përbashkëta. Kjo është pozitive, jo vetëm me Kosovën, por edhe me vendet e tjera.

Kur ne duhet të japim shërbimin tonë ndaj fqinjëve tanë, por edhe të shfrytëzojmë burimet tona, sepse nuk kemi mundësi të hapim konsullata kudo. Këto forma bashkëpunimi janë të dobishme dhe me interes konkret edhe praktik për qytetarët tanë.