Kopshti zoologjik ua ndalon bananet majmunëve
Një kopsht zoologjik në Britani i ka ndaluar bananet për majmunë për shkak se kjo pemë është e kultivuar për njerëz dhe ka përmbajtje më të lartë të sheqerit në krahasim me ato që gjenden në pyje.“Pema e kultivuar për njerëz ka sasi shumë më të lartë të sheqerit dhe shumë më pak proteina dhe fibra në krahasim me pemët që rriten në pyje për shkak se ne dëshirojmë që pemët të jenë më të ëmbla dhe më të lëngshme. T’ua japësh këtë pemë kafshëve është e barabartë me një tortë apo çokollatë”, ka thënë ekspertja e vlerave ushqyese në kopshtin zoologjik, “Paignton Zoo”, Amy Plowman, transmeton Koha.net.
Plowman thotë se bananet për konsum nga njerëzit kanë më shumë sheqer gjë e cila mund të çojë në probleme me dhëmbët e kafshëve e po ashtu edhe me diabet e probleme tjera gastrointestinale.
Ajo thotë se bananet dalëngadalë po hiqen nga menyja ushqimore e majmunëve për t’i bërë ata më pak të varur nga kjo pemë. Tani majmunët ushqehen me perime të shumta të gjelbra për shkak se ato përmbajnë më shumë proteina, fibra dhe shumë vitamina e minerale.