Batutat e Zhak Shirak me shqiptarët
Valter Gjoni, shefi i Protokollit dhe Ceremonive në Bashki, rrëfen se si u binjakëzua Tirana me Marsejën. Presidenti francez, njeriu që përmirësoi marrëdhëniet me Shqipërinë duke i vënë një sheshi në Paris emrin “Skënderbej”
Leonard Veizi
Një zarf i rastësishëm, të cilin nuk merrte përsipër ta hapte kush, u bë sebepi që Valter Gjoni, në atë kohë shef i Kulturës pranë bashkisë së Tiranës, të bëhej koordinatori i parë mes Tiranës dhe dy qyteteve më të mëdha të Francës; Parisit dhe Marsejës. Në letër ndodhej një kërkesë e kryeministrit francez për kryebashkiakun e kryeqytetit shqiptar, vend i cili sapo kishte dalë nga diktatura komuniste për të kaluar në një tranzicionin të brishtë e të shpërqendruar. Për gazetën “Shekulli”, ecuria e marrëdhënieve, për të paktën 20 vitet e fundit të Shqipërisë me Francën, vijnë nëpërmjet kujtimeve të Valter Gjonit, i cili për shkak të punës së madhe e impenjative që këto marrdhënie të konsolidoheshin, por në veçanti për koordinimin e punëve gjatë luftës së Kosovës, u dekorua nga Republika e Francës me titullin e lartë: “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës”. Intervista zhvillohet me ish-personin e kontaktit të bashkisë së Tiranës me di-sa bashki franceze, në kuadër të 15-vjetorit të anëtarësimit të Tiranës në shoqatën ndërkombëtare të kryeqyteteve frankofone në 1998.
Si nisi lidhja juaj me Francën?
Në vitin 1991 ish-Komitetet Ekzekutive u kthyen në Komitete Pluraliste. Ndërkohë që kryetar i Komitetit Pluralist të Tiranës ishte Tomor Malasi, unë isha shefi i Kulturës. Një ditë, në Komitet vjen një zarf, shkruar në frëngjisht, të cilin nuk e merrte përsipër askush. Ky zarf mbeti nëpër tavolina derisa dikush u kujtuar e tha: Jepjani atij të kulturës, se ai di frëngjisht”. Ç’është e vërteta, në atë periudhë Komiteti ishte i paorganizuar si për herë të parë në një periudhë ku administrata u konceptua si pluraliste. Kështu zarfi erdhi në dorën time. E hapa dhe pashë që në fund letra ishte firmosur nga kryeministri i Francës, Pjer Monrua. Në këtë letër flitej për anëtarësimin e Tiranës, në kushtet e reja të demokracisë, në një shoqatë që ndiqte qytetet të cilët binjakëzoheshin. Kështu unë për shkak dhe të gjuhës që njihja, por edhe pse një gjë të tillë ma delegoi Tomor Malasi, u bëra një koordinator. Takimi i parë i qyteteve Mesdhetare, që binjakëzoheshin, u bë në Barcelonë, ku përfaqësues nga bashkia e Tiranës ishte vetë kryetari Tomor Malasi.
A kishte pasur Tirana më parë marrëdhënie të tilla?
Deri në vitin 1990, Tirana nuk kishte marrëdhënie ndërkombëtare me kryeqytetet të tjera, përveç ca lidhjeve të thjeshta kulturore me ndonjë vend fqinj. Nga vitet 1990, filloi për qytetin e Tiranës një hapje dhe vendosje kontaktesh me mjaft qytete evropiane, pas shumë dekadash izolimi. I pari qytet që u lidh me Tiranën ishte qyteti i Marsejës. Qytetarët shqiptarë dhe francezë nuk e harrojnë pritjen që populli i Marsejës dhe qeveria franceze rezervoi më 15 korrik 1990 për anijen franceze “Star-Orient” me 544 refugjatët, burra, gra, fëmijë shumica banor të Tiranës, për aktin e të cilëve Presidenti Miteran u shpreh: “Më së fundi edhe Shqipëria do të bashkohej me koncertin e vendeve të Lindjes Evropiane në rrugën e demokracisë”.
Si do të vazhdonte më pas historia e marrëdhënieve të reja me Francën?
Kur në krye të Bashkisë së Tiranës u zgjodh Sali Kelmendi, iniciativat u shtuan. Vetë Kelmendi ishte frankofon dhe kështu u hapën mundësi të reja bashkëpunimi. Ne dinim që në vitin 1978, Zhak Shirak, si kryetar i bashkisë së Parisit, edhe me ndërhyrjen e vazhdueshme të komunitetit shqiptar në Francë, i kishte vënë emrin “Skënderbej” një sheshi në Paris. Kështu që me vendim të Këshillit Bashkiak edhe në Tiranë, sheshi përballë Kafe Florës, u quajt sheshi “Paris”. Sali Kelmendi, nga ana e tij, e ftoi homologun e Parisit me një ftesë të veçantë që të vizitonte Tiranës. Zhak Shirak iu përgjigj pozitivisht kësaj ftese, me fjalët se “do të vinte në një rast sa më të përshtatshëm”. Ndërkohë tek ne erdhi për vizitë një delegacion i bashkisë së Marsejës me kryetarin e saj Robert Viguro. Ishte vendosur që marrëdhëniet e Tiranës me Parisin të kalonin nëpërmjet Marsejës, si qyteti i dytë më i madh i Francës. Ku do të përqendroheshin më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve? Gjatë mandatit të Albert Brojkës si kryetar i bashkisë së Tiranës, u bë e mundur që Këshilli Bashkiak prej rreth 40 vetash, të bënte një stazh në shkurtër në Bashkinë e Marsejes, ku ç’është e vërteta u mor një përvojë mjaft e vlefshme. Nderi në vitin 2000 marrëdhëniet dypalëshe, përgjithësisht ishin në planin humanitar. Vetëm pas këtij viti, filluan të vinin investitorët francezë në Shqipëri, që do të thoshte se këto marrëdhënie kishin kaluar në një stad të ri. Gjatë mandateve të Edi Ramës, si kryetar bashkie, marrëdhëniet me Marsejën u mbajtët nëpërmjet shoqatës, ndërsa duhet të theksoj pozitivitetin që kishte ai ndaj projektit urbanistik francez për Tiranën. Gjithashtu edhe në mandatin kur Tiranën po e drejton Lulëzim Basha, ka një gjallërim të marrëdhëniet me investitorët francezë, madje ata janë afruar për të ngritur linjën e tramit, që do të lëvizë në dy akset e bulevardit të madh.
Me çfarë motivi presidenti Shirak ju akordoi një medalje të lartë?
Për sa i përket vlerësimit tim, ai ka ardhur si rezultat i një punë 10-vjeçare, por sidomos gjatë situatës së luftës në Kosovë, ku të paktën për gjashtë muaj unë bëja jo vetëm punën e përditshme në Bashki, por koordinoja dhe marrëdhëniet me bashkitë e tjera të Francës, të cilat u organizuan seriozisht për të kontribuar në aksionin humanitar të pritjes së refugjatëve që vinin nga Kosova. Francezet ngritën në Shqipëri pesë kampe, dy në Tiranë, një në Ndroq, një në Mullet dhe një në Arapaj të Durrësit. Kështu me të njëjtin dekret të Presidentit Shirak, mua dhe Pjer Kalfas, që ishte drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Bashkinë së Marsejës, na u akordua titulli “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës”.
A do të takoheshit me presidentin francez?
Në qershor të vitit 2000, së bashku me zotin Buron Kaceli, ish-nënkryetar i Bashkisë së atëhershme të Tiranës, patëm rastin të përfaqësonim qytetin tonë në Asamblenë Botërore të Qyteteve Frankofone. Kishim kohë që komunikonim me bashkitë e Francës, ishin mundësuar vendosja e lidhjeve intensive me qytetin e Marsejës, Lionit, Nimës, Bordosë. Kishim bashkëpunuar me shumë organizma shtetërore dhe shoqata në kuadër të vendosjes së një bashkëpunimi reciprok, ku mbi të gjitha spikat ndihma humanitare e bashkive të jugut ndaj Tiranës gjatë luftës në Kosovë. Por me qytetin e Parisit nuk ishin mundësuar takime direket mes titullarëve veç një letërkëmbim teknicienësh gjatë procesit përgatitor të anëtarësimit të Tiranës në shoqatën e sipërpërmendur dhe më pas një komunikim kortezie në nivel kryetarësh me rastin e pranimit të Tiranës në Shoqatën Botërore të Qyteteve Frankofone, që njihet me iniciale A.I.M.F.
Shirak takohet me delegacionin shqiptar
“U mundësua të ishim për herë të parë në vitin 2000 përkrah gjithë anëtarëve të shoqatës botërore të qyteteve frankofone që na kish ndenjur pranë në ditë të vështira. Programi i Asamblesë ishte mjaft i ngjeshur, që në fillim delegacioni i Tiranës u përshëndet nga Kryebashkiaku i Parisit z. Tiberi, si delegacioni më i ri i pranishëm për herë të parë në Asamble, gjë që bëri edhe prezantimin tonë , duke mundësuar që të njiheshim shumë shpejt po thuaj me gjithë delegacionet që na ofruan një prani dashamirëse. Ndër miqtë më të afërt me të cilët u lidhëm dhe u shoqëruam ato ditë ishte edhe ish Ministri i Pushtetit Lokal të Kongos, Krye-tari i Bashkisë i qytetit kongolez Dolizie, zoti Jogelyn Madingau, një anëtar i hershëm i shoqatës, frankofon i për-sosur dhe mjaftë i njohur në ambientet e shoqatës për humorin e tij të hollë, mik dhe bashkëpunëtor prej vitesh në kuadër të Frankofonisë me Kryebashkiakun e Parisit, por edhe me Presidentin e Republikës Franceze Shirak. Shoqëria me z. Madingau bëri që disa herë të ndodheshim afër dhe të këmbenim biseda të shkurtra edhe me Presidentin e Francës që kanë mbetur në kujtesën time dhe që dëshiroj ti bëjë publike Çasti i parë na u krijua gjatë pritjes së dhënë në Bashkinë e Parisit për nder të Presidentit të Algjerisë Abdel -Azis Bouteflika, që ndodhej ato ditë për një vizitë në Francë, pasi mbaroj pritja dhe prezenca protokollare, dy presidentët u përshëndetën me të ftuarit ku dukej qartë se pjesën më të madhe i njihnin, kështu iu afruan edhe mi-kut të tyre kongolez, që gjatë kësaj ceremonie ishte në shoqërinë tonë. Ai pati vëmendjen që të na prezantonte edhe ne me presidentët. Pas prezantimit, Shirak na tha: “Në Paris ka mjaftë shqiptarë, besoj dhe nga Tirana. Me një përfaqësi të tyre kam bashkëpunuar për t’i vënë një sheshi emrin “Skënderbej”. Buron Kaceli mori fjalën: “Ju faleminderit, por edhe ne kemi emërtuar një shesh “Paris” në Tiranë”. “Atëherë.. edhe nga unë faleminderit”, – tha Shirak. Luan Ram, që ishte Ambasadori i vendit tonë në Paris ndërhyri: “Shkëlqesi, sapo dorëzuam për ju një fotografi artistike të sheshit “Paris” në Tiranë”. Atëherë Shirak na tha: “Do ta shoh me vëmendje për të dalluar kush është me i bukur Parisi juaj apo Parisi ynë…”
Motra e mbretëreshës Geraldinë, lidhja mes Tiranës dhe Parisit
“Më pas veprimtaria e radhës e programit të Asamblesë, u shpërngul në Pallatin Elize, Rezidenca Zyrtare e Presidentit të Francës ku atmosfera ishte mjaftë shoqërore pasi dukej që bashkiakët dhe shoqëruesit e tyre njiheshin nga Presidenti dhe stafi i tij, këtë e përforconte edhe fraza “I dashur koleg” që presidenti përdorte gjatë takimeve me kryetarët duke evokuar kohën kur edhe ai ishte kolegu i tyre i Parisit. Ju lutëm që të bënim një fotografi së bashku, pranoi dhe po prisnim fotoreporterin e tij pasi ishim bërë gati duke e vendosur Presidentin në mes, por reporteri edhe pse po nxitonte u vonua disi. I themi Presidentit me humor: “A do të kemi shans edhe ne të Tiranës të bëjmë një foto me Ju”. Presidenti i thotë fotoreporterit me humor: “Kujdes se të paktën Tiranës, ia kemi borxh një foto” (duke aluduar për foton që i kishim dhuruar me pamjen e Sheshit Paris në Tiranë). Gjatë çastit të marrjes së një autografi nga Presidenti, në mënyrë miqësore ai na përmend familjen Muselier si një familje e njohur nga Marseja, e lidhur shumë me Tiranën dhe me Presidentin Shirak. Kjo familje tashmë e njohur për lexuesin, është familja e Admiralit Emil Muselier, figurë historike pranë Presidentit De Gol dhe Zonja Silvjan Muselier, aktualisht më e moshuara e familjes, gruaja e djalit të admiralit, është njëkohësisht motër për nënë e mbretëreshës shqiptare, Geraldinë”.
Gjoni: Franca, ndihma kolosale për kosovarët
“Ne u njohëm me faktin që ide-ja për ta tërhequr Tiranën pas shumë vitesh izolimi në kontaktet me simotrat e saj ishte mbështetur edhe nga Kryetari i Bashkisë së Parisit Shirak, si një nga kryesuesit e Organizatës Botërore të Qyteteve të Binjakëzuar (me iniciale F.M.V.J) ai mbështeti propozimin që lidhjen e parë me qytetet franceze Tirana ta vendoste me Marsejën si dy qytete mesdhetare, si dy qytete me lidhje të hershme, si qytet me një sensibilitet miqësor për aktin e fundit me refugjatët, si dy qytete me afërsi me portet kryesore të vendit për të hapur rrugën e anëtarësimit të Tiranës edhe në Organizatën e Qyteteve të Mesdheut (me iniciale MEDIC-ITE) Fillon kështu hedhja e bazave të një programi perspektiv të marrëdhënieve të Shqipërisë me jugun e Francës ku rol kryesor do të kishin projektet mes Tiranës dhe Marsejës si kryeqendra e rajonit më të afërt me Shqipërinë. Kjo ide e mbështetur edhe nga Kryetari i Baskisë së Parisit, Shirak do të rikonfirmohej pas disa vitesh nga presidentët Shirak dhe Meidani. Por situatat e vështira të vendit tonë në vitet 1997 dhe 1999 i devijuan programet e nënshkruara dhe projektet e nisura për ti kthyer në nevojën më imediate të vendit, atë humanitare. Veçanërisht gjatë gjenocidit serb mbi të shpërngulurit me dhunë nga Kosova dhe që u vendosën përkohësisht në Tiranë, ra në sy vazhdimi i mendimit Shirak për Tiranën ku qeveria franceze vendosi kontakte nëpërmjet Ministrit francez për çështjet e Evropës Zotin Sharl Zhoselin dhe përfaqësuesit të qeveris franceze për ndihmën ndaj familjeve kosovare Zotin Machuron direkt me Bashkinë e Tiranës duke vlerësuar edhe veprimtarin e përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara personalitetin francez Bernard Kushner. Këto kontakte angazhuan me dhjetëra bashki dhe shoqata franceze që u solidarizuan me thirrjen e Këshillit Rajonal të Departamentit Bouches-du-Rhone (që ka si qendër Marsejën) për të ndihmuar Tiranën. Duke ju referuar statistikave rezulton se 35.000 kosovarë u sistemuan në 2 kam-pet e ngritura nga Marsejezët në Tiranë, rreth 3000 të plagosur e të sëmurë u trajtuan nga qendrat shëndetësore të shërbimit të asistencës civile të Marsejës dhe 50.000 kosovarë të tjerë, të sistemuar në familjet e Tiranës u ndihmuan sistematikisht nga fondi humanitar i organizuar nga Marseja”.