Padit Serbinë në Strasburg
Ish i burgosuri politik Hazir Xhafolli nga Drenoci i Prishtinës ka vendosur ta padisë shtetin e Serbisë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.Ai do të kërkojë nga kjo gjykatë dëmshpërblim për torturat fizike dhe psikike që i ka përjetuar nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë gjatë viteve ’80.
Në këtë bisedë për “Epokën e re”, ai i ka ftuar të gjithë të burgosurit politikë që janë torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe kanë mbetur invalidë, ta bëjnë një gjë të tillë. “Kam vendosur ta padis shtetin serb në Gjykatën e Strasburgut sepse kam mbetur invalid nga torturat e politikës serbe ngaqë kam qenë i torturuar jashtë mase nëpër burgje. Për këtë marr pensionin invalidor nga shteti i Suedisë. Pra, janë bërë shkelje të të drejtave të njeriut të garantuar me ligje ndërkombëtare”, ka thënë Xhafolli, i cili tani jeton dhe vepron në Suedi.
Xhafolli, i cili i ka mbajtur 7 vjet burgim, ka bërë me dije se në vitet’80 ndaj të burgosurve politikë shqiptarë janë shkelur të gjitha normat ndërkombëtare. Madje, sipas tij, janë shkelur edhe ato konventa ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti i atëhershëm. “Do të argumentoj se Serbia me politikën e saj ka bërë tortura dhe shkelje të rënda të ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat konventa nuk kanë guxuar të shkelen, pasi ish-Jugosllavi ka qenë nënshkruese e këtyre konventave”, është shprehur ai.
Për kompletimin e lëndës së tij, Xhafolli ka treguar se do të angazhojë edhe avokat suedez. “Dosja pjesërisht është kompletuar, pres t’i kompletoj edhe disa dokumente dhe, posa të kthehem në Suedi, do të kërkoj një avokat suedez që merret me ligjet ndërkombëtare dhe do ta filloj procedurën për padi”, ka thënë ai, duke shtuar se është i bindur se do ta fitojë këtë betejë. “Kam biseduar me disa juristë të burgosur politikë në Prishtinë dhe me Shoqatën e të Burgosurve Politikë, të cilët më kanë përkrahur në këtë drejtim. Kam një dozë shprese mbi 70 për qind se do të fitoj. Kuptohet se kjo procedurë mund të zgjasë 3 deri në 4 vjet”, ka theksuar Xhafolli. Sipas tij, vetëm me veprime të tilla të burgosurit politikë mund ta denoncojnë politikën fashiste serbomadhe që është bërë ndaj tyre.
Ai ka treguar se është i detyruar ta marr këtë hap, pasi shteti i Kosovës nuk e ka ndërmarrë një veprim të tillë. “Ministra e Drejtësisë apo Shoqata e të Burgosurve Politikë është dashur ta bëjë një gjë të tillë dhe politikën serbomadhe ta ndjekë deri në Strasburg. Kjo është dashur të ndodhë kaherë. Po pse po çalohet në këtë drejtim për mua është e paqartë”, ka thënë ai.
Duke folur për përkujdesjen e shtetit ndaj kësaj kategorie, ai ka thënë se nuk është i kënaqur me atë që u është ofruar nga ana e Qeverisë ish të burgosurve politikë. “Shteti ka bërë diçka, por nuk jemi të kënaqur. Pagesa prej 15 apo 20 eurosh për çdo ditë të kaluar në burg që është përcaktuar nga Qeveria për të burgosurit politikë, të cilët kanë qenë të torturuar në mënyrën më të vrazhdë fizike dhe psikike, është e papranueshme”, ka thënë Xhafolli. Hazir Xhafolli aktivitetin e tij politik në atë kohë e ka ushtruar brenda organizatës “Komiteti i Kosovës për mbrojtjen e të drejtave shqiptare dhe ribashkimin e trojeve shqiptare”. Ai është dënuar në vitin 1984, ndërsa është liruar më 1992.
(Muhamet KOCI)