Bardhyl Mahmuti-Më 24 maj të këtij viti, teologu Mustafa Bajrami publikoi reagimin e tij ndaj shkrimit tim të titulluar «Jerusalemi kryeqytet i Izraelit, është e drejtë legjitime e popullit hebre». Mirëpo, siç e pohoi edhe vetë në mesazhin që ma dërgoi, në reagimin që ka bërë kundër meje nuk i ka qëndruar besnik tekstit të shkrimit tim. Po i drejtohem publikisht Mustafa Bajramit se është e drejtë legjitime e secilit person të shprehet lirshëm dhe të shpërndahet mendimi i tij, ashtu siç ia merr mendja. Së paku këto dy aspekte të të drejtave të njeriut për fjalën e lirë duhet të respektohen. Etika në komunikim është çështje në vete. Ajo që e bën të rëndë formën e reagimit të Mustafa Bajramit nuk ka të bëjë me shprehjen dhe shpërndarjen e pikëpamjeve të veta në publik, por me faktin se konfrontimet e mendimeve që kanë të bëjnë me temat ku kërkohet përdorimi i argumenteve shkencore, nuk përdoret ARGUMENTUM AD PERSONAM (logjika e sulmeve kundër personit). Aq më tepër kur emrit të vet i vë titullin akademik DR! Në këtë fushë debatesh, manipulimi me thëniet e kundërshtarit është gjëja më degraduese për nivelin intelektual.

Që në hyrje të reagimit të vet, Dr. Mustafa Bajrami thekson se «në shkrimin tim unë e kam përmendur disa herë emrin e tij». Pohimi i tillë është i vërtetë, siç është plotësisht e vërtetë se unë e kam cituar besnikërisht tekstin e tij dhe në përputhje me thëniet e tij kam shprehur qëndrimet e mia. Atëherë, me të drejtë shtrohet pyetja se si vepron Dr.Mustafa Bajrami në reagimin e tij ndaj shkrimit tim? Secili lexues i dy shkrimeve do të bindet se jo vetëm që nuk i përmbahet tekstit të shkrimit tim, siç e pohon edhe vet, por, ajo që është më neveritëse, m’i ngjet një varg etiketash që do të shqyrtohen më poshtë dhe polemizon me etiketat që janë sajuar prej tij! Kam bindjen e plotë se ai që do të lexojë shkrimin tim deri në fund do të bindet në faktin se kjo mënyrë e etiketimit nuk është shpikje e këtij teologu, sepse as në formë e as në terminologjinë që përdoret nuk ka asgjë origjinale në reagimin që mban emrin e Dr. Mustafa Bajramit. Këtu kemi të bëjmë me formë të shabllonëve tanimë të njohura edhe nga opinioni i gjerë publik!

Në vend të ideve ku dallojmë mes vete, Dr. Mustafa Bajrami bën përshkrimin e tij të parë për mua. Ai i njofton lexuesit e tij se «edhe më parë Bardhyl Mahmuti ka dëshiruar të më kap për gjuhe për debat me te rreth disa temave që me sa shihet, nuk i di sa duhet. Dorën në zemër, ai nuk është i padijshëm. Ai është një penë e mprehtë shqiptare dhe me përvojë në tema politike. Shkrimet e tij rreth ngjarjeve të kombit lexohen gjithandej. Ato shkrime i qëndisë bukur, ka një gjuhë të rrjedhshme dhe është i pasur në fjalë. Është i butë ndaj bashkëmendimtarëve të vetë, por i egër ndaj Islamit, ndaj Turqisë dhe ndaj myslimanëve. Therrë në sy i ka teologët myslimanë shqiptarë dhe i sulmon papërmbajtshëm».

Nuk po ndalem shumë në fjalët që lidhen me shkrimet e mija të fushës politologjike, sepse janë fakte të pamohueshme që unë shkruaj për më shumë se tri dekada rresht dhe u takon lexuesve t’i vlerësojnë shkrimet në përputhje me pikëpamjet e tyre politike dhe filozofike. Ajo që nuk lidhet me asnjë fakt ka të bëjë me etiketimin se gjoja unë jam «i egër ndaj Islamit, ndaj Turqisë dhe ndaj myslimanëve» dhe i paskësha «therrë në sy teologët myslimanë shqiptarë dhe i sulmoj në mënyrë të papërmbajtshme»!

Për secilin njeri që mban me dinjitet një titull akademik të doktorit të shkencave është e paimagjinueshme të bëjë shpifje të tilla. Por ky kriter i etikës intelektuale nuk është i vlefshëm për Doktor Mustafa Bajramin. Ai i bën këto shpifje vetëm e vetëm që të mund të plasojë akuzat se unë qenkam pa dinjitet! Ai me patetizëm shtron pyetjen sugjestive në relacion me shpifjet e konstruktuara prej tij: «Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë Turqinë ndërsa atje kemi milionat e shqiptarëve? Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë lindjen islame ndërsa shqiptarët i përkasin edhe fesë islame?».

Të deklarohet pa fije turpi se gjoja unë i kam «therrë në sy teologët musliman shqiptarë dhe i sulmoj papërmbajtshëm» është rezultat i të njëjtës logjikë që ia vesh dikujt etiketën dhe polemizon me sajesën e vet sikur të ishte realitet. Kjo formë e manipulimit degradon titullin që ia ke vënë vetes o Mustafa Bajrami!
Shpifja e kësaj natyre e Mustafa Bajramit më detyron të sjell për lexuesit që nuk ka pasur mundësi t’i përcjellë shkrimet e mia qëndrimet rreth kësaj çështjeje. Qëndrimet e publikuara për vite me radhë do të nxjerrin në shesh se cilën kategori të teologëve e kam «therrë në sy» dhe se ku e kanë origjinë shpifjet e këtij lloji. Mirëpo, para se të trajtoj këtë aspekt po e përmend edhe akuzën e tretë që bën kundër meje ky teolog.

Dr. Mustafa Bajrami nuk mjaftohet që më akuzon se «shaj Turqinë» dhe se i paskësha «therrë në sy teologët musliman shqiptarë», por ai mundohet të shpjegojë veprimet që m’i veshë sikur të ishin rezultat i një etikete të re: njeri me «mendësi komuniste nga e cila vështirë se mund të lirohem»! Jo vetëm kaq. Gënjeshtrën për «Bardhyl Mahmutin komunist» e paraqet si një të vërtetë universale për të gjithë shqiptarët! Pa u skuqur aspak ky doktor i teologjisë deklaron se «i madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti deri dje ishte një komunist i rryer e sot është një anti-demokrat i përbetuar»!!! Dhe për të qenë deri në fund koherent me këtë shpifje, në shkrimin e Mustafa Bajramit, Bardhyl Mahmuti nuk mund të shpëtojë nga përgjegjësia e krimeve të komunizmit. Pasi që renditë krimet e epokës së komunizmit në Shqipëri kundër hoxhallarëve, priftërinjve dhe intelektualëve, shembjen e tempujve të fesë dhe luftën kundër Perëndimit, ai pohon se unë dhe ata si unë «nuk mund t’i fshehim tmerret që i kishte përjetuar populli shqiptar nga komunizmi». Dhe në fund, pas të gjitha shpifjeve dhe fajësisë që m’i vesh, ky doktor i shkencës nuk e lë pa shtruar edhe preokupimin kryesor të tij: «si mund të jenë të mbeturit e kësaj të lige sot njerëz që ia duan të mirën shqiptarisë? Si mund tu besohet njerëzve të cilët deri dje vranë intelegjencinë shqiptare, syrgjynosen penat më të ndritura të kombit dhe shkruan më të keqen e mundshme kundër mendjes së ndritur shqiptare?». Me një fjalë, akuza se unë «shaj Turqinë», se i «kam therrë në sy teologët musliman shqiptarë», se kam «mendësi komuniste», se jam «anti-demokrat» e kështu me radhë

T’i marrim shpifjet një nga një!
Siç e citova më sipër, Mustafa Bajrami shkruan se «shkrimet e Bardhyl Mahmutit rreth ngjarjeve të kombit lexohen gjithandej dhe se ato shkrime janë të qëndisura bukur, me një gjuhë të rrjedhshme dhe të pasura në fjalë». Pohimi i tillë le të nënkuptohet se Dr. Mustafa Bajrami është në njohuri të shkrimeve të mija. Lexuesit që kanë përcjellë shkrimet e mija e dinë se botimet në gjuhën angleze dhe gjuhën frënge të librit tim të titulluar «Mashtrimi i Madh» kanë gjetur vend në bibliotekat e universiteteve më prestigjioze në botë. Këtë vend e ka siguruar falë trajtimit shkencor të fakteve dhe respektimit të metodologjisë së mirëfilltë shkencore gjatë hulumtimit për gjenocidin serb në Kosovë. Secili njeri që e ka pasur në duar këtë libër, qoftë në botim shqip, qoftë në gjuhët e huaja, e ka parë se unë u shpreh «Mirënjohje të përjetshme» personaliteteve të shquara botërore, politikanë dhe intelektualë që u mobilizuan për t’i dhënë fund Planit Serb të spastrimit etnik dhe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë. Në mesin e personaliteteve që kam veçuar nga koha kur isha Shef i Grupit Diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, përmenden Bylent Exheviti (Bülent Eceviti) dhe Sylejman Demireli (Sülejman Demireli) si personalitete të shquara të Turqisë që kanë dhënë një kontribut të madh për Kosovën. Këtë mirënjohje të përjetshme ndaj Turqisë së epokës së Bylent Exhevitit dhe Sylejman Demirelit mund ta lexojë secili njeri që dëshiron t’i verifikojë faktet. Mirënjohja i takon Turqisë së asaj periudhe edhe sikur të mos jetonte asnjë shqiptar në këtë shtet.

E kuptoj se të gjithë njerëzit që barazojnë Turqinë me Erdoganin nuk mund t’i pranojnë kritikat që dikush mund t’i adresojë kundër regjimit që vret, burgos, mbytë në burgje përmes torturave dhe dënon kundërshtarët e vet me burg të përjetshëm. Por një njeri që pretendon se mban titull akademik të heshtë para një dhune që është shndërruar në sistem dhe t’i cilësojë «të pa denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë Turqinë ndërsa atje kemi milionat e shqiptarëve» nuk është aspak dinjitoze. Përkundrazi, forma e këtillë e veprimit të Dr. Mustafa Bajramit është shprehje monumentale e manipulimit ideologjik për ta zhvendosur debatin në një rrafsh tjetër. Fatkeqësisht për te, rrafshin ku e ka zhvendosur problematikën është një terren tejet i rrëshqitshëm, si në akull!

Përtej kritikave lidhur me situatën që u krijua pas dorëzimit të qytetarëve me origjinë nga Turqia, me leje qëndrimi në Kosovë, nga autoritetet e Kosovës, ajo që më së shumti u dhemb një kategorie njerëzish ndër viset shqiptare ka të bëjë me kritikat që u adresohen përpjekjeve neo-otomane për të rishkruar historinë tonë dhe ta rikthejnë influencë e dikurshme në Ballkan. Kësaj kategorie u them ta lexojnë «Don Kishotin» e Servantesit për ta kuptuar kontekstin alla turka të Erdoganit. Kuptohet nëse nuk ju pengon që ka qenë i përkthyer nga Fan Noli, prift ortodoks shqiptar.

Qëndrimet ndaj dhunës që ushtron regjimi i Erdoganit në Turqi janë qëndrime personale që secili njeri i krijon në përputhje me botëkuptimet e veta politike, filozofike ose religjioze. Meqë më akuzon për «anti-demokrat të përbetuar» po i drejtohem Mustafa Bajramit dhe sortës së tij unë nuk jam demokrat i llojit të brumosur në kallëpet e shkollës (medhhebit) të tyre, që të hesht përballë terrorit që ky regjim ushtron ndaj kundërshtarëve të Erdoganit. Jam kundërshtarë i përbetuar i pseudo demokratëve të çiftit të Mustafa Bajramit që kërkojnë «tolerancë demokratike» ndaj kësaj dhune, nën arsyetimin se në Turqi jetojnë miliona shqiptarë!

Meqë më akuzon se i paskësha «therrë në sy teologët musliman shqiptarë» po i drejtohem Mustafa Bajramit dhe sortës së tij se unë, Bardhyl Mahmuti, jam kundërshtar i përbetuar i të gjithë teologëve myslimanë shqiptarë, pa marrë parasysh se çfarë detyre kryejnë aktualisht në kuadër të Bashkësive islame të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë, që bëjnë dua për «Sulltan Erdoganin», siç u pëlqen ta quajnë këtë diktator, dhe që luten për fitoren e tij kundër popullit kurd në Siri.

Teologët e këtillë myslimanë shqiptarë, që mbështesin dhunën dhe terrorin e «Sulltan Erdoganit» nuk shprehin pikëpamjet e tyre fetare, sepse do të ishte paradoksi më i madh të bëheshin dua për t’i vrarë kurdët të cilët i përkasin të njëjtës fe. Ata shprehin pikëpamjet e tyre politike!
Interpretimi i kritikave të mia kundër teologëve myslimanë shqiptarë që dalin me qëndrime politike për të mbështetur një dhunë të egër e barbare, si të ishte kritikë «e egër kundër islamit dhe teologëve musliman shqiptarë» nuk është asgjë tjetër pos përpjekje e Dr. Mustafa Bajramit për të fshehur gjurmët e një politike që përpiqet t’ia fusë «therrën në sy» popullit shqiptar.
Kam bindjen e plotë se përveç teologëve neo-otoman shumica e besimtarëve myslimanë shqiptarë nuk luten për të mbështetur krimet e «Sulltan Erdoganit» apo të kujtdo qoftë në botë, sepse shqiptarët e dinë më mirë se shumëkush që dhuna, kudo që të ushtrohet dhe nga kushdo që të bëhet ka emërues të përbashkët përgjakjen e njerëzve të pafajshëm, lotët, vuajtjet, shkatërrimet…
Mustafa Bajrami dhe sorta e tij duhet ta dinë se unë nuk jam asi «demokrati» që do të dëshironin teologët neo-otoman të përkatësisë shqiptare. Unë nuk i aplaudoj sulltanizmit!
Dr. Mustafa Bajramit po «i pengojnë ata që refuzojnë të tjerët që nuk mendojnë si ata, nuk besojnë si ata, nuk i takojnë fesë dhe medhhebit të tyre». Madje kërkon që kjo dukuri t’u pengojë edhe të tjerëve, sepse sipas tij unë dhe njerëzit si unë «me qëllim e pa asnjë argument fajësojnë teologët musliman shqiptarë se kinse po punuakan kundër interesave të shqiptarëve».
Është e drejtë e Mustafa Bajramit dhe cilindo njeri të sortës së tij që ta pengojnë qëndrimet tona por është manipulim i kulluar të thuhet se «pa asnjë argument fajësojnë teologët myslimanë shqiptarë se kinse po punuakan kundër interesave të shqiptarëve».

Sicili teolog i sortërs suaj mund të mohojë faktin se nëpër disa xhami ku xhemati përbëhet kryesisht prej shqiptarëve, u bënë lutje për fitoren e «Sulltan Erdoganit» në luftë kundër myslimanëve kurd në Siri? Ky nuk është argument? Apo mos pretendoni se duatë e tilla qenkan në interes të shqiptarëve?
Cili teolog i sortërs suaj mund të mohojë faktin se teologë myslimanë shqiptarë kanë fyer publikisht figurat më të njohura shqiptare: shtyllën kryesore të identitetit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, humanisten që e njeh tërë bota, Gonxhe Bojaxhiun e njohur si Nëna Terezë, Ismail Kadarenë, ambasadorin kombëtar të kulturës dhe letërsisë shqiptare? Apo mos pretendoni se fyerjet ndaj tyre qenkan në interes të shqiptarëve?

Teologët shqiptarë të kësaj sorte shkuan aq larg sa morën edhe funksionin që sipas fesë islame i takon vetëm Allahut: ua caktuan se kush do të shkojë në xhehenem nga këta personalitete shqiptare! Ky nuk është argument? Apo mos pretendoni se një gjë të tillë e bënë në interes të shqiptarëve?
Ti pohon publikisht se nuk ke lënë pa lexuar «as libër, as ese, as analizë, as shkrim e as fjalë që e ka shkruar Dr. Shefqet Krasniqi, të këtij teologu të proveniencës islamike që tejkaloi përmasat edhe ballkanike dhe arriti të bëhet njëri prej personaliteteve më të shquara në Ligën Botërore të Dijetarëve Myslimanë» dhe bëhesh garant se «ai nuk ka shqiptuar kurrë ama bash kurrë dhe në asnjë moment ndonjë fjalë që bie ndesh me parimet islame». Nëse për ty dhe teologët e sortës tënde trajtimi i humanistes shqiptare me përmasa botërore Nënës Terezë si grua e pamoralshme «që ndërron burrat kur të dëshirojë» «nuk bien ndesh me parimet islame» atëherë së paku mos e shpallni se ky kualifikim është në përputhje me interesat shqiptare! Nëse për ty dhe teologët e sortës tënde «nuk bien ndesh me parimet islame» kompetencat që ia jep vetes Shefqet Krasniqit për të treguar se vendi i Nënë Terezës është «midis xhehenemit» atëherë po ju them se shumë herët keni filluar të shpërndani «Fetva» për xhenet dhe xhehenem!

Po të drejtohem ty dhe sortës së teologëve e historianëve neo-otoman se kur aspiratat sulltaniste cenojnë qenien tonë kombëtare, shqiptarët e të gjitha besimeve religjioze do të bëhen bashkë si shqiptarë dhe do t’ua tregojnë vendin e merituar. Rreth kësaj çështjeje nuk kam asnjë iluzion: si në kohën e luftërave të Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut që pati pashallarë me origjinë shqiptare të sortës së Ballabanit, edhe në kohën e sotme kjo sortë ka lëshuar rrënjë. Nëse historia do të përsëritet duhet ta dinë teologët neo-otoman se Ballabani mbeti si coftinë në muret e Kështjellës së Krujës, mure që simbolizojnë rezistencën dhe krenarinë tonë kombëtare. Teologët myslimanë shqiptarë të kësaj sorte, që bëjnë si zorra në prush kur ua kritikon «Sulltan Erdoganin», kërkojnë nga ne që të mos i refuzojmë kur ata shajnë figurat më të rëndësishme kombëtare shqiptare!

Teologët myslimanë shqiptar të kësaj sorte që ne i kritikojmë shkuan aq larg sa indoktrinuan një numër jo të vogël të rinjsh shqiptarë me urrejtje kundër SHBA-ve dhe shteteve të demokracive perëndimore. Ky indoktrinim pati si pasojë atentatin e parë kundër ushtarëve amerikan pas çlirimit të Kosovës (emrin e atentatorit shqiptar nga Kosova në Gjermani nuk po ja përmend sepse e konsideroj si viktimë të kësaj sorte teologësh) kur humbën jetën disa ushtarë amerikanë. Është fakt i pakontestueshëm se si pasojë e këtij indoktrinimi, me qindra shqiptarë shkuan në të ashtuquajturën «luftë të shenjtë» për krijimin e Kalifatit Islamik, dhjetëra prej të cilëve kanë mbetur të vrarë. A nuk janë argument këto që them, kur dihet se edhe drejtësia e ka thënë fjalën e vet për një numër prej kësaj sorte teologësh? Sikur të mos ishin fakte të pakontestueshme Ministria e Drejtësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të kishin nënshkruan një marrëveshje për të angazhuar 20 imamë në programe për të deradikalizuar ekstremistët islamikë që vuajnë dënimet në burgje. Apo mos pretendoni se këta teologë myslimanë shqiptarë nuk kanë punuar kundër interesave të shqiptarëve?

Dhe në fund, meqë çështja iniciale e konfrontimit tonë publik ishte qëndrimi ndaj ekzekutimit të një vendimi të moçëm të SHBA-ve për ta transferuar ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem po ndalem në një segment të raporteve shqiptaro-hebraike. Dihet botërisht se shqiptarët, të njohur për mikpritje dhe solidaritet, gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk dorëzuan asnjë hebre të përndjekur. Pa marrë parasysh relacionet politike dhe diplomatike në mes dy shteteve tona me Izraelin, përpjekja për të kryer një atentat kundër ekipit të kombëtares izraelite, në shtëpinë tonë, është akti i përgatitur nga qarqet më antishqiptare. Fatmirësisht, viktimat e këtij indoktrinimi nuk arritën të kryejnë aktin terrorist që do t’i hidhte hijen më të rëndë imazhit të shqiptarëve. A ka nevojë të shtroj pyetje se në interes të kujt ishte përpjekja më e turpshme për të realizuar një akt të tillë terrorist? Mendoj se jo.

Kritikat e mia kanë qartësi se ku godasin: ata imamë që kanë qenë në shërbim të shërbimeve sekrete sllave dhe sot kanë hyrë në shërbim të ideve neo-otomane. Edhe pse Dr. Mustafa Bajrami mundohet të fshehë se ku i dhemb, manipulimi i tij është i nivelit aq të ulët sa ajo del qartë nga gjuha dhe terminologjia që përdorë.
(Vijon)

Shpërndaje artikullin në: