Vetëvendosje në protestë,sot kundër dhunës
Ka përfunduar e qetë protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër dhunës së përdorur nga policia gjatë protestës së djeshme. Protesta përfundoi me vendosjen e bluzave me emrat e aktivistëve të arrestuar në rrethojat e ndërtesës së qeverisë. Vetëvendosje që dje paralajmëroi se nuk do të ndalet me protesta kundër bisedimeve me Serbinë dhe kundër takimit të kryeministrit Thaçi me homologun e tij serb Ivica Daçiq, sot ka protestuar kundër dhunës.
Ashtu siç kishte paralajmëruar dje, aktivistë e mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur protestën kundër përdorimit të dhunës policore dje, ndaj tyre. Ata dje zhvilluan një protestë kundër takimit Thaçi – Daçiq, që degradoi në dhunë, në të cilën pësuan protestues e policë. Pati po ashtu edhe shumë të arrestuar, ndër ta edhe liderë të kësaj Lëvizjeje.
Sot qindra protestues u shfaqën në Sheshin “Nëna Terezë” në orën njëmbëdhjetë, të cilët me parullat tashmë të njohura marshuan drejt selisë së Qeverisë të papenguar. Protestuesit brohorisnin “Vetëvendosje, Vetëvendosje…”, pastaj “Hajna, Hajna…” “Me hajna nuk ka shtet…” Gjithashtu mbanin në duar transparente “Jo bisedime me Serbinë”. Në ballë të protestës ndodheshin liderët e saj, midis tyre edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe nga dje, sot pamja ishte shumë më e qetë. Protestuesit ndodheshin përballë objekteve të Qeverisë, nga të cilat i ndante kordoni i policisë së pajisur për të penguar përshkallëzimin protestës. Ndërkohë, policia bëri të ditur se Vetëvendosje as sot nuk ka bërë kërkesë për protestë, por thotë se ajo “për të qenë sa më pranë qytetarëve të saj ka marrë të gjitha masat e nevojshme që normaliteti jetësor në kryeqendër të mos cenohet”. Ndërsa para protestuesve ndërroheshin folësit, të cilët akuzonin Qeverinë për ‘tradhti kombëtare’, duke pranuar dialog me njerëzit e një vendi e regjimi, si Serbia, që ka bërë krime e gjenocid në Kosovë, policia njoftoi për zhvillimin e qetë të saj. Po ashtu ajo pohoi se sipas vlerësimeve të saj në protestë kan marr pjesë rreth 300 veta.
Albin Kurti para protestuesve ka thënë se “Serbia avancon drejt BE-së dhe Kosovës, e Thaçi avancon individualisht. Nëse Thaçi i ka borxh Serbisë, le t’ia paguajë me paratë e veta, e jo me tokën dhe pasurinë e Kosovës. Në këtë tryezë ku po e hanë Kosovën, Thaçi shërben vetëm si kryekamarier, që merr bakshish derisa u zgërdhihet atyre”, Kurti ka thënë se Daçiq është ai i njëjti që si ministër i punëve të brendshme i Serbisë, ka poshtëruar policinë e Kosovës në Dumnicë të Llapit. Drejtuesit e Vetëvendosje-së kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të arrestuar.