Çaj rusi dhe krime - Imer Mushkolaj

 Lehtësia e padurueshme me të cilën rrëfehen krime të tmerrshme, duke pirë çaj rusi, tregon çfarë shoqërie e vendi jemi. Tregon çmendurinë tonë të përbashkët.

Të rrëfesh për vrasje dhe krime tjera duke pirë çaj rusi. Është video, por nuk është film. Megjithëse, edhe po të ishin pjesë të ndonjë filmi triller, do të konsideroheshin gjëra jo fort normale. Është çmenduri.

Dy persona, të vetëdeklaruar si agjentë të SHIK’ut, rrëfejnë për gjëra të tmerrshme që kanë ndodhur në këtë vend. Përmendim emra njerëzish që nuk janë më në këtë jetë, që janë vrarë – që i kanë vrarë. Dhe flasin shlirë, thua se po bëjnë muhabet për gjëra të rëndomta, triviale, të përditshme. Ndonëse, të përditshme edhe mund të kenë qenë urdhrat që kanë marrë ata dhe të tjerë si ata për të ekzekutuar njerëz ose për të kryer të tjera shërbime. “Për të mirën e vendit”.

Dhjetëra vrasje të ndodhura pas luftës, nga to shumë me motive politike, vazhdojnë të mbeten të pazbardhura. Të etiketuar si ish-bashkëpunëtorë të Serbisë, zyrtarë të LDK’së, gazetarë, dëshmitarë potencialë gjykatash e pjesëtarë minoritetesh janë vrarë me urdhër të dikujt. Të atyre që kanë dashur kriminalizimin e shoqërisë së rraskapitur nga lufta dhe përfitimet për vete.

Në mesin e të vrarëve ka edhe të atillë që thuhet të kenë pasur llogari të pashlyera lufte, por të gjithë janë eliminuar në liri, atëherë kur më së paku është pritur se dikush do të ndërmarrë veprime të tilla shkaku i ndonjë ideologjie, etnie ose arsyeje tjetër. Por kurrsesi për shkak të patriotizmit, pavarësisht se të tilla janë përpjekur të na i shesin.

Vite më radhë vrasjet, edhe ato më të bujshmet, i ka mbuluar pluhuri i harresës, për t’u rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, me shpresë se do të zgjidhet enigma e tyre.

Drejtësia e UNMIK’ut dikur, as ajo kosovare më pas nuk kanë bërë gjë të hajrit në këtë drejtim, ndërkohë që familjarët e viktimave i kanë varur shpresat te Misioni i EULEX’it.

Sa gjë e dhimbshme dhe e poshtër që, në vend se të merremi me krimet dhe viktimat e shkaktuara nga Serbia, duhet të merremi me krimet dhe viktimat që i shkaktuan shqiptarët. Shqiptarët ndaj shqiptarëve. Ndaj minoritarëve të pafuqishëm, me qëllim që t’ua marrin pronat. Duhet të merremi me çmenduritë tona.

Por, është koha e fundit që gjithçka të marrë zgjidhje. Larg paragjykimeve e pretendimeve për fajësinë e dikujt ose pafajësinë e dikujt tjetër, një gjë është e vërtetë: ata i ka vrarë dikush. Ata nuk e kanë vrarë veten.

* * *

Para se të flasim për traktate paqeje me Serbinë, do të ishte mirë që të vendosim traktat paqeje me viktimat e vrasjeve të pasluftës. Krimet ndaj tyre do të shpaguhen vetëm kur përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin për aventurat kriminale.

Një vend i pavarur nuk ka kurrfarë arsye që të mos zbardh vrasjet e qytetarëve të vet. Aq më tepër kur për disa sosh tashmë hetimet duket se kanë identifikuar autorë, ndërkohë që edhe publikisht flitet nga ata që kanë marrë pjesë në to, për të tjerët që kanë dhënë urdhrat ose që janë në dijeni të krimeve.

Njerëzit që atëherë kanë dhënë urdhra për vrasje kanë bërë “politikë të çajit të rusit”. Thjesht, kanë vendosur ta heqin qafe dikë veç pse s’iu ka pëlqyer që nuk është me ta, që u ka penguar të bëjnë biznese të fëlliqta ose që ka menduar ndryshe nga ata.

Kur dëgjon sot akterë të asaj kohe, të përfshirë në krime, se si flasin për kryerjen e tyre, të rrëqethet trupi. Sikur flasin për bubrreca që i kanë shkelur rastësisht, e jo për jetë njerëzish.

Nuk është hiç me rëndësi nëse videot e prezantuara në opinion janë të kurdisura nga dikush ose kundër dikujt. As nuk është me rëndësi se me çfarë qëllimi po prezantohen tash ato. E rëndësishme është që akterët e tyre po flasin për njerëz që janë vrarë, me emra e mbiemra. E rëndësishme është që ata po flasin për krime. Në një shtet normal kjo do të duhej të ishte tmerrësisht alarmuese. Hetuesia do të duhej të ishte vënë në lëvizje dhe zbardhja e krimeve do të duhej të ndodhte.

Por, te ne kjo është normale. Sistemi i politizuar i drejtësisë s’e ka forcën e guximin ta kryejë punën e vet. E urdhërdhënësit e krimeve mund të gjenden kudo. Ata mund të jenë edhe pjesë e institucioneve, partive politike, mund të jenë në krye të bizneseve të rëndësishme. Mund të jenë duke pirë çaj rusi, pa e prishur tymin e duhanit, përderisa familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi. Thua se kanë harruar se drejtësia mbërrin, ndonëse vonon.

Secili duhet të paguajë për çmenduritë e veta. Për kohën kur vrasjet i kishin kthyer në “sport nacional”. Për ditët e zeza të lirisë.